Kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika ka dalë dje papritur në një konferencë për media në përpjekje për t’u dhënë një përgjigje zërave të shtuar në qytet dhe jo vetëm aty, që e lidhin emrin e tij me personat e arrestuar ditët e fundit që njihen si “banda e tritolit”. Gjika dukej nervoz kur përmendi një deklaratë të prefektit Dervishi dhe një shkrim-opinion të publicistit Fatos Lubonja. Deklarata e prefektit është bërë ditë më parë, dhe duket disi e habitshme pse Gjika ka vendosur të përgjigjet vetëm dje.
Zërat e shtuar në qytet apo sinjalizime për rëndimin e pozitës së tij ligjore?
Një ditë më parë media ka aluduar se atentati me tritol ndaj prefektit Dervishi për të cilin akuzohet një ish-punonjës i stafit të Gjikës ishte menduar të realizohej në oborrin e Kryeministrisë për t’i dhënë një mesazh qeverisë për prishjet në Vlorë. Përfoljet janë shtuar sepse akti erdhi fill pas prishjes së një ndërtimi të të arrestuarit Mitro, i njohur si mik i Gjikës dhe deklaratave zyrtare të PS që mbështeste hetimet ndaj Gjikës dhe kujtdo që shkel ligjin, çka u përjetua keq nga Gjika dhe njerëzit e tij. Ra në sy që kryebashkiaku e ka identifikuar dje Dervishin pikërisht si “i dërguari i qeverisë në qark dhe mëkëmbësi i saj në qytet”. Duke thënë që “dikush po u fryn zjarreve dhe kërkon të ringjallë nga hiri, hijet e errëta të 97-s”, Gjika u shpreh ndër të tjera: Ajo që nuk e prisja as unë dhe as ju është që, për fat të keq, po jep një dorë për këtë, me ca deklarime “absurde”, njeriu që është i dërguari i qeverisë në qark, mëkëmbësi i saj në qytet. Po, e kam fjalën për Prefektin e Qarkut…”
Për prefektin Dervishi
Disa ditë më parë Dervishi deklaroi në media se të gjithë e dinë kush qëndronte pas personit që akuzohej për atentatin ndaj tij. Ai ka parasysh që në Vlorë, lidhja mes të arrestuarit për atentatin, Gjikës dhe disa personave të tjerë me pushtet politik në Vlorë, dihej. Gjika i quajti dje këto deklarata si “aludime shumë të errëta e shumë të rrezikshme”.
Tha Gjika: “…Në një dalje publike, z.Prefekt ka aluduar për një “klan” që ndodhet pas tentativës për goditjen e tij e të cilin, po sipas tij, “e gjithë Vlora e njeh”. Dëshiroj t’i kujtoj z. Prefekt, madje po të dojë, edhe nga pozita e zyrtarit që e ka mbajtur para tij atë post, se ai, si përfaqësuesi më i lartë i qeverisë në qarkun e Vlorës dhe në qytetin e Vlorës, duke qenë se për shkak të detyrës duhet të ketë të gjithë informacionin e nevojshëm e të klasifikuar, nuk mund të flasë me opinione e me llafe rruge, e ca më pak t’i amplifikojë thashethemet e ligësitë, duke i humbur rrugën e duke ia ngatërruar pistat hetimeve që po kryhen.
Pra, z. Prefekt ose e ka këtë informacion për këtë “klan që vepruaka në qytet” (dhe nëse e ka, nuk i takon ta dekonspirojë para mikrofonave të gazetarëve dhe telefonave të opinionbërësve, por ta çojë atje ku ligji e detyron atë dhe çdo qytetar), ose nuk e ka dhe flet me mllefe personale dhe e kthen hatërmbetjen personale në “kauzë shtetërore”, duke bërë kështu sërish një shkelje, më së paku të etikës së nëpunësit të shtetit…”
Për publicistin Lubonja
Kryetari i Bashkisë së Vlorës përmendi më pas edhe publicistin Fatos Lubonja. “Z. Prefekt, me deklaratat e tua të papërgjegjshme politikisht e ligjërisht, ti mund “t’ua pasosh topin” ca pseudogazetarëve dhe pseudo-opinionistëve, që në ajër e pritën “pasimin” tënd, por si nëpunës shteti e si pjesë e politikës, për aq sa je, ti nuk duhej “të kishe bërë gol në portën tonë”. Nuk mund të duroj as ty, Besnik Dervishi, as ty Fatos Lubonja e as këdo tjetër që gjoja në emër të opinioneve personale, të lëshoni akuza në erë që të më inkriminojnë në veprimtari të tilla, tipikisht mafioze. Jo, kurrsesi, jo! Keni shkuar shumë larg…” – tha ai.
Çfarë tha Lubonja
Publicisti Lubonja në një shkrim të dy ditëve më parë thotë ndër të tjera: “…Ujqit janë hedhur në aktivitet të ethshëm. Pa u kapur mirë ujqërit në Vlorë, ca ujqër të tjerë hodhën në erë një makinë në Tiranë.
Pastaj erdhën ca kërcënime të tjera për bomba. Dhe, kur them “ujqërit”, nuk e kam fjalën për bombavënësit, por për mandatuesit e tyre. Shkaku është se po u rrezikohet “ushqimi”. Njerëzit e thjeshtë bëjnë të habiturin: “Çfarë po ndodh kështu!” Sepse i shtyn në këtë miopi instinkti i atij që nuk do të besojë se i ka ardhur e keqja në derë, por e vërteta duhet parë në sy. Besoj se për të vërtetën që duhet parë në sy flet shumë “kërcënimi” që i është bërë prefektit të Vlorës, Dervishi, me vendosjen e tritolit në makinën e tij. Ai na flet edhe për shumë bomba e ujqër të tjerë. Leximi im për këtë ngjarje është ky: aksionet e qeverisë me shembjet e ndërtimeve të kundërligjshme (ku fus edhe atë të pallatit me pronar vjehrrin e kryetarit të PD-së, Basha) kanë prishur ekuilibrat e sistemit të ngrënies nga ujku dhe me ujkun në Vlorë. Nuk do shumë mend për të kuptuar se “klani” për të cilin foli Dervishi është klani i kryetarit të Bashkisë që, sipas meje, i ka lejuar ato ndërtime me parimin “të hash nga ujku”. Prandaj dhe lëshimi para disa kohësh i Gjikës në duart e drejtësisë nga ana e socialistëve nuk mund të jetë pa lidhje, direkte apo indirekte, me këtë kërcënim. Kemi të bëjmë me mesazhin e krimit të organizuar e të lidhur me politikën që kërcënon qeveritarët e rinj të mos u prekin interesat sepse, përndryshe, i presin bombat. Është emblematik edhe reagimi i opozitës në këtë kontekst. Deklarimet e saj se kishte të dhëna të sigurta se bomba ishte vënë nga vetë Dervishi dhe të tijtë për të justifikuar blindimin e pushtetarëve, si dhe për të larguar vëmendjen nga problemet e vërteta që ka vendi, doli se ishte një akt i pastër depistimi që, sipas meje, meriton jo vetëm një ndëshkim moral, por edhe hetim ligjor. Kushdo që kërkon të kuptojë në këtë histori pak më thellë se sa mënyrën si i prodhonte bombat i arrestuari Sinani, nuk mund të mos e lidhë këtë reagim të opozitës me faktin se në pallatin që u shemb në Vlorë kishte një bashkëndarje interesash midis kastës politiko-ekonomike socialiste të Vlorës dhe njerëzve të ish–maxhorancës kundër interesave të të cilëve qe angazhuar, me shembjen e pallatit, prefekti Dervishi. Në këtë kontekst, “bombëvënësit” dhe “shpërthimet” apo “mosshpërthimet” e bombave të tyre nuk janë gjë tjetër veçse vazhdim i politikës me mjete të tjera. Me fjalë të tjera, kontrolluesit deri dje të sistemit të “ngrënies nga ujku dhe me ujkun” ndihen sot të kërcënuar dhe kërcënojnë…”
Pakënaqësi ndaj PS dhe Edi Ramës në Facebook-un e familjarëve të Gjikës
Në muajin Tetor 2013, kohë kur nisën dhe procedimet në prokurori ndaj kreut të Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika, shumë mbështetës të tij në rrjetet sociale nuk nguruan të shprehin hapur dyshimet ndaj PS-së. “Ithtarë” por edhe anëtarë të rrethit farefisnor të Gjikës I kanë parë në mënyrë shumë skeptike këto zhvillime. “O Zot më mbro nga miqtë se nga armiqtë mbrohem vetë”, – ishte një ndër batutat më të përdorura nga mbështetësit e Gjikës nëpër statuse dhe komente në FB. Por kishte dhe komentues apo vlonjatë më ekstremist se kaq në mbrojtje të kreut të bashkisë Gjika. “Do i marrin të keqen hordhitë e Edi Ramës gjigandit tonë, nuk e vuri Edvini këtë burrë por e zgjodhëm ne vetë… Edvini të fusë në burg më parë veten pastaj Ilirin e Lesh e Lis dhe Saliun”, – komentonte një tjetër banor i Vlorës në një nga statuset e bashkëshortes së Gjikës në Facebook, Adriana Gjika. (faksimile majtas).
Intervista e 30 janarit: Mitron e njohin cilit klan i përket
Deklarata së cilës i referohej dje Gjika është botuar në 30 janar në një intervistë për DITA të prefektit Dervishi. Pas arrestimit të Marion Mitros Dervishi tha “ata që e njohin këtu në Vlorë dhe madje që më thonë, e dinë se cilin klan përfaqëson Marion Mitro në këtë qytet. Kë ka miq dhe me cilët rri apo u shërben”. Më poshtë intervista e plotë e Besnik Dervishit dhënë për DITA ditën e arrestimit të Mitros:
Zoti Dervishi, besoj jeni në dijeni të operacionit policor, që goditi një grup kriminal, i cili akuzohet edhe për atentatin e dështuar ndaj jush?
Po, e kam dëgjuar dhe parë në lajme. Unë e kisha deklaruar edhe më parë, se kam besim tek shteti dhe policia dhe isha i bindur se ngjarja do të zbardhej, pavarësisht interpretimeve që iu bënë. Unë vazhdoj të mbështes çdo veprim ligjor të organeve ligjzbatuese në goditjen e këtyre dukurive kriminale.
A ndiheni më i lehtësuar?
Sigurisht që po, sepse ngjarja ishte e rëndë. Unë vazhdon t’i besoj policisë dhe strukturave hetimore se do e zbardhin plotësisht këtë ngjarje dhe të tjerat. Madje jam në mbështetje të tyre edhe në luftën ndaj informalitetit.
A e njihnit personin i cili akuzohet se ka kryer porosinë për atentatin dhe a ju ka kërcënuar më parë?
Sinqerisht që nuk e njoh. Madje mund të them se edhe si emër nuk e njoh. As kontakte nuk kam pasur me të dhe as telefonata. Madje jam surprizuar kur më thanë se paska punuar në institucionin e bashkisë deri pak muaj më parë dhe qenka larguar.
Vazhdoni t’i qëndroni mendimit se u sulmuat për shkak të luftës kundër informalitetit dhe detyrës?
Po, mendoj se qëllimi ishte goditja e shtetit, si përfaqësues i të cilit isha. Nuk kisha asnjë përplasje apo konflikt tjetër. Ishte koha e aksioneve për shembjet e ndërtimeve pa leje.
Duket e çuditshme që një ish-zyrtar vendor të përfshihet në një krim kaq të rëndë të dyshuar?
Thashë edhe më sipër, unë nuk e njoh vetë personalisht dhe as e kam mik. Por ata që e njohin këtu në Vlorë dhe madje që më thonë, e dinë se cilin klan përfaqëson Marion Mitro në këtë qytet. Kë ka miq dhe me cilët rri apo u shërben.
Mund ta specifikoni se për kë klan bëhet fjalë?
Këto gjëra i takojnë organeve hetimore. Unë kam besim se ngjarja do zbardhet plotësisht dhe çështjes do i shkohet deri në fund. Kjo ngjarje dëshmon se krimi i organizuar mund të prekë edhe nivele të larta.
* * *
Si ia ngriti policia kurthin Julian Sinanajt
Nga opozita prej ditësh është hedhur ideja se policia shpërfilli denoncimin e N. Gj., 30 vjeç, nga Vlora, që endej prej 13 ditësh nga një qytet në tjetrin sepse nuk i pranohej ky denoncim. Por duket se e vërteta sipas Policisë, qëndron tek kurthi për të peshkuar vrasësin Julian Sinanaj, që hetimi i nisur të mos prishej apo të mbetej përgjysmë. Një zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit, i shpjegoi gazetës “Dita”, se “praktikat operacionale të policisë interpretohen nga politika ashtu siç dhe i intereson”. Më tej tregon me detaje disa pika të nxehta të aksionit dhe mënyrës së si ai u detajua me qëllim arrestimin e vrasësit me pagesë të dyshuar, nëpërmjet të cilit do të zbërthenin të gjithë grupin e atentateve me tritol, nga kupola deri tek ushtari më i thjeshtë.
“Vetëm me denoncimin e N. Gj., ky hetim do të ishte shumë i vështirë dhe do të minohej, pse kishte shumë boshllëqe. Ai dinte fare pak gjëra, sepse autori i vërtetë i krimeve ishte pikërisht Julian Sinanaj. Dhe vetëm duke siguruar këtë dyshe, ne mund të bënim zbërthimin e grupit”, tregon oficeri. Ai mohon që N. Gj,. Të kishte më shumë se 10 ditë sorollatje nëpër komisariate dhe se nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ia mohoi denoncimin dhe e quajti mashtrues. “Nuk është e vërtetë se nuk i është marrë denoncimi. Është vlerësuar që në ditën e parë dhe nuk ka zgjatur më shumë se 3 ditë kjo situatë, sepse më 25 janar ishte parashikuar goditja e radhës. Ne vepruam kështu për të mos i rënë në sy personit që donim të fusnim në kurth. Janë disa provokime të njohura në praktikën policore dhe operacionale. Ju siguroj se N. Gj., ka qenë nën vëzhgim që në momentin e parë kur ofroi denoncim dhe bashkëpunim. Nëse ne do të lëviznim hapur dhe bujshëm që në atë moment, mund të na kishin ikur të gjithë. Ndaj e lamë që ai të lëvizte i lirë, madje edhe të kujtonte sikur nuk ishte i mbrojtur, ndërsa nga pas kemi vënë agjentë të shumtë që ndiqnin në imtësi çdo gjë për të parandaluar sulmin ndaj tij”, shpjegon oficeri.
Grupi hetimor kërkonte në ato tre ditë kontaktin e Sinanajt me N. Gj., që t’i kapnin të dy në flagrancë, pasi Sinanaj e kërcënonte me jetë për mosgjetjen e makinës. Por duke menduar se po afronte dita dhe ora e vrasjes së biznesmenit, është vepruar duke përdorur shkëmbimin e mesazheve mes tyre. Dhe në mesazhin e fundit të shkëmbyer, agjentët kanë vepruar, duke e lokalizuar Julian Sinanajn afër “21 Dhjetorit” në shoqërinë e një vajze i ulur në lokal. “Komunikimi mes tyre na mundësonte një provë të fortë. Duhej shkëmbimi i mesazheve telefonike dhe që të mësonim zonën se ku ndodhej i dyshuari, por dhe ta kishim nën survejim të plotë. Nuk donim që Sinanaj të kuptonte se ne e kishim diktuar dhe po e ndiqnim. Dhe po ashtu nuk donim që N. Gj., të ishte nën rrezik”, thotë kryepolici për gazetën. Ndërkohë që pas arrestimit Sinanaj mohoi që të ishte vrasës me pagesë, megjithëse iu gjetën foto të viktimave dhe biznesmenit që do vriste. Por kur është ballafaquar pikërisht me N. Gj., të cilin e kishte kërcënuar me jetë, është dorëzuar dhe pranoi të bashkëpunonte si i penduar. Në lidhje me dekonspirimin e operacionit, oficeri shpjegon se ka qenë më shumë rrjedhje informacioni. “Operacioni nuk u dekonspirua. Por mendojmë se gjatë kohës që ne hetonim ato ditë, dikush dhe mendojmë se ka shumë spiunë ende në polici, ka rrjedhur informacionin tek personat e dyshuar që janë arratisur. Hetimet do zbulojnë edhe këta policë spiunë”, shpjegon zyrtari i policisë.
Sollaku: Klienti im është i nderuar, nuk ka lidhje me krimet
Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati vetëm disa minuta, ndërsa biznesmeni Karçini u mbrojt nga ish-kryeprokurori, Theodhori Sollaku. Gjatë seancës Karçini nuk ka thënë asnjë fjalë, duke lënë gjithçka në duart e avokatit të tij mbrojtës. Ai ka dhënë vetëm gjeneralitetet dhe më tej Sollaku ka deklaruar; “Klienti im është i pastër. Një njeri i nderuar dhe i njohur, që nuk ka lidhje fare me ato që akuzohet. Ndaj kërkoj një masë të butë sigurimi”. Pavarësisht kësaj kërkese, gjyqtarja Etleva Deda dha masën “arrest me burg” në konfirmim për 44-vjeçarin, sepse më parë masa ishte marrë në mungesë të Karçinit para se të arrestohen. Më tej avokati Sollaku i ka thënë gjykatës se kërkon kohë që të njihet me dosjen e klientit të tij dhe se do e apelonte masën e sigurisë në shkallën e dytë. Karçini, që njihet si një ndër biznesmenët më të rëndësishëm në vend, me lidhje të forta politike, sipas prokurorisë ka përdorur si ndërmjetës për të shkuar tek Julian Sinanaj, dy kushërinjtë, Genis Mëhilli dhe Andon (Erjon) Mëhilli, të cilët dyshohen si sekserë të njeriut të cilësuar si killer. Për vrasjen sipas të penduarit, ishin premtuar 120 mijë euro. Policia gjeti edhe fotografi dhe filmime të biznesmenit Bare, në aparatet e Sinanaj. Grupi i tritolit i goditur nga policia akuzohet për momentin për 7 atentate të organizuara me armë dhe eksploziv, 2 që u mbyllën me vrasje, 5 në tentativë, ndërsa po përgatitej për atentatin e tetë.
Rrëfimi i Karçinit
Biznesmeni Ilir Karçini, i dyshuari si porositës për vrasjen e biznesmenit tjetër, Piro Bare, ka deklaruar ditën e djeshme para oficerëve të policisë, se nuk ka gisht tek atentati që po organizohej ndaj rivalit të tij. Burime policore sqarojnë se Karçini ka pranuar para grupit hetimor se ka pasur konflikte me Baren, por vetëm për çështje biznesi. “E pranoj që kam pasur konflikte me Piro Baren, por vetëm për çështje biznesi. Janë disa raste, tri ose katër herë, që Piro Bare nuk më ka lejuar që të shkarkoj depozitat me gaz, por të gjitha konfliktet që kam pasur për këtë, i kam zgjidhur në rrugë ligjore”, mësohet se ka deklaruar para ekspertëve, bosi i kompanisë së gazit “Prima Gaz”, Ilir Karçini. Ai i ka cilësuar si të pavërteta akuzat që janë bërë ndaj tij, lidhur me vrasjen ndaj pronarit të “Romano Port”, Piro Bares. “Nuk i njoh edhe personat e tjerë me të cilët më lidhin, si Julian Sinanaj”, është shprehur biznesmeni i gazit. Mes Karçinit e Bares në vitin 2011, ka pasur konflikt të hapur, ku “Romano Port SHA”, që është koncesionaria e portit, nuk po i lejonte shkarkimin e anijes me emrin “LPG/C SEAGAS GOVERNOR”, të ngarkuar me 1500 tonë GLN, duke i shkaktuar një dëm ekonomik prej 14000 USD në ditë, ose rreth 140 mijë USD për 12 ditë. Karçini ka pasur konflikte aksionesh edhe me një biznesmen grek, George Vourvachis prej vitit 2003 dhe çështja është ende në gjyq, pasi greku e akuzon për zaptim të kompanisë dhe falsifikim.
* * *
Sinanaj gozhdon Karçinin: E takova 4 herë, dha kapar 50 mijë euro dhe fotografinë
I penduari Julian Sinanaj gozhdon biznesmenin e gazit Ilir Karçini, i cili kishte deklaruar se nuk e njeh fare të arrestuarin si vrasës me pagesë të grupit të tritolit. Kur hetuesit i kanë thënë se ai mashtronte për biznesmenin, 31-vjeçari është testuar më tej. I janë nxjerrë 20 fotografi biznesmenësh të ndryshëm, por ai direkt pa hezituar ka vënë gishtin mbi foton e Ilir Karçinit, duke thënë se ai ishte bosi i gazit që e kishte parapaguar dhe porositur për heqjen qafe të biznesmenit tjetër të gazit, Piro Bare.
Rrëfimi
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vijuar hetime intensive për të dokumentuar dhe provuar autorësinë e porosisë nga biznesmeni Ilir Karçini, pronar i “Prima Gaz”. Dhe Julian Sinanaj u ka thënë gjithçka. “Ai më porositi për të vrarë Piro Baren. Nuk m’i dha arsyet, por besoj ka qenë konkurrenca. E kam takuar 4 herë në zyrën e tij të punës. Kam qenë i shoqëruar nga Andon Mëhillaj. Ky i fundit më lidhi me biznesmenin. Karçini më tha se duhet ta eleminoja dhe më dha bashkë me fotografinë e Bares edhe 50 mijë euro. Vrasja do të bëhej në Tiranë, afër Kodrave të Liqenit, në një lokal, mbrëmjen e 25 janarit dhe unë po përgatitesha”, ka dëshmuar i penduari i drejtësisë. Dëshmia e tij në detaje është mbështetur edhe nga ndihmësi tjetër N. Gj., i cili ka thënë se Sinanaj i kishte kërkuar mjete mbështetëse, si makinë, për të kryer vrasjen më 25 janar. Kur hetuesit kanë dyshuar, për ta provuar nëse e njihte apo jo Karçinin, i nxorën në tavolinë përpara Sinanajt edhe 20 fotografi të biznesmenëve të ndryshëm për të thënë se cili e kishte paguar. Dhe ai vuri gishtin mbi fotografinë e Karçinit. Ka treguar gjithashtu datat e takimeve dhe vendin ku ndodhej zyra. Kurse Bare i kishte thënë policisë se kishte konflikte të shumta, duke dhënë disa emra biznesmenësh. Por Sinanaj identifikoi pikërisht Karçinin.
Dekonspirimi
Dekonspirimi i hetimeve për grupin e tritolit i ka kushtuar policisë arratisjen e të paktën 4 personave të dyshuar që janë informuar nga brenda policisë. Gjithashtu janë identifikuar dhe po mbikëqyren spiunët e policisë të dyshuar për rrjedhjen e informacionit, për të parë nëse kanë lidhje me të arratisurit apo informacioni ka dalë në pakujdesi. Burime zyrtare të policisë thanë se kanë shumë emra oficerësh të policisë që dyshohen se janë informatorë të grupeve kriminale dhe po i hetojnë. Kurse Ministria e Brendshme ka ndryshuar pas kësaj ngjarje edhe grupin hetimor, për të shmangur rrjedhje të tjera informacionesh. Nga katër të arratisurit dy janë kushërinjtë Genis dhe Andon (Erion) Mëhillaj, kurse emrat e dy të tjerëve nuk bëhen të ditur për momentin. Grupi dyshohet se ka dorë edhe në ngjarje të tjera të bujshme, si në atentatin ndaj Skerdilajd Konomit, Fredo Berberit, biznesmenit në Durrës Xhemal Çela, dhe shumë të tjera.
dhori i zeqinese dhe zeqenia e dhorit jane personazhet e muajit te pare te 2014 qe na tregojne se ne cilin realitet jetojme. Duhet topi i mato grudes ta shuaje kete rrace te ndyre mashtruesish, matrpazesh qe ja kane marre dhe po ja marrin frymen vendit
Mbrohu akoma Shpetim, por ora e drejtesise nuk do vonoje edhe per ty. Vepra jote ne Vlore do dale ne drite, se vec padrejtesise dhe korrupsionit nuk ke bere gje tjeter te mire. E ku ti gjeje trute ti per te bere te mira, tek mustaqet apo tek intelekti? Per te takuar kete kryetar duhej te rrije me muaj ne dyert e bashkise, ndersa letrave nuk u pergjigjej kurre. Ka vetem nje favor, qe te llojit te tij jane bere shume dhe me ke te merresh me pare. Qe ai vete ka bere aq shume, sa sdi ku ta kapesh me pare.
Marioni, kusheriri i pare i Edmond Lekes, pundhenesi i tij Shpetim Gjika dhe vete Ed Leka, pakan dhene 20 mije euro per koken time?! Do mesojne shume shpejt se jeta e nje njeriu, e imja, nuk vlen kaq pak. Drejtesia do ti coje gjerat ne vend. Vonon por nuk harron!