Sokol Olldashi nuk ngjante fare si një deputet i PD-së dje kur fliste në seancë plenare për atë që së fundmi po cilësohet si “skandali i blerjes së votave në Korçë”. Gjatë fjalës së vetë, deputeti demokrat ka dalë tërësisht nga retorika dhe recitimet në grup, duke folur papritur, krejt pa dorashka. Sikur të ishte një arbitër mes palëve dhe jo një deputet i PD-së, që si rregull duhej të vinte kujën për “masakrimin e votës në Korçë”. Olldashi ofroi një panoramë objektive të asaj që e quajti si fenomenin e blerjes së votës të konvertuar në Sistem. Ai ofroi trajektoren e këtij fenomeni që sipas Olldashit e kishte pikënisjen me Fatos Nanon, duke vazhduar me demokratët dhe duke u kthyer sipas tij në një “mënyrë jetese” për partitë e vogla. “A do merremi seriozisht me këtë çështje?”, pyeti Olldashi në një moment të fjalimit të tij kolegët në sallë, të cilët si majtas, por sidomos djathtas, po shikonin njëri tjetrin ndërsa Olldashi fliste. Dukej sikur fjalimi dhe personi që e mbante nuk përputheshin gjëkundi, deri në atë moment. Në fakt pyetja e Olldashit: “A do merremi seriozisht?”, përfaqëson, sidomos për PD-në, një qëndrim që flet shumë më tepër se sa thjesht artikulimi i sinqertë i një deputeti për fenomenin e blerjes së votës, kjo pyetje e Olldashit, ishte një goditje, e beftë, për një skemë politike që PD-ja ka kohë që e ka paramenduar, e që vendosi ta praktikonte fill pas video-skandalit të Korçës.
Skema e Protestave
Që pas humbjes së thellë më 23 Qershor, qeveria “Berisha” kaloi një periudhë qeverisje tranzicioni, duke bërë çdo veprim të mundshëm për të lënë një situatë sa më të rënduar ekonomike për pasardhësit, sidomos në sektorin energjetik, si një plan i qartë për të nisur me protestat opozitare në Nëntor dhe përgjatë gjithë dimrit. Plani për të ekstremizuar qëndrimin i ka dhënë sinjalet e veta shumë herët. Berisha ishte kryeministër në detyrë, por akuzonte Ramën se me “krimin e organizuar dhe mafien” i kishte blerë atij votat e demokratëve. Pak më vonë Berisha hidhte ndonjë fjalë në “Facebook” duke përmendur si shkarazi “skenarin grek, Papandreun dhe Ramën”. Më pas erdhi një sinjal i dytë, nëpërmjet kryetarit të emëruar të PD-së, Lulzim Bashës. Ai kërcënoi me protesta kur Kuvendi miratoi ligjin e amenduar për statusin e nëpunësit civil. Basha papritur në këtë kohë egërsoi dhe fjalorin kur dilte dhe lexonte deklaratat për shtyp para kamerave, duke përdorur fjalë qesharake si “thikë” “helm” “mos guxo” “do ta pësosh” etj. Berisha testoi strukturat e veta në këtë kohë, por kampioni që erdhi ishte dëshpërues, Ligji për Statusin “nuk ngjiste” poshtë në bazë, nuk e justifikonte organizimin e një proteste. Pas zgjedhjeve në Korçë, PD-ja humbi sërish me plebishit, por videoja e Fiksit e zbehu disi fitoren plebishitare të të majtëve, por qëndrimi që mbajti PD-ja pas kësaj videoje ishte tepër interesant. Vetëm pak minuta pasi u transmetua videoja, PD-ja njoftoi një konferencë për shtyp, doli Eduard Halimi dhe tha se kërkonte hetim nga ana e prokurorisë. Të nesërmen doli kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka, ai shkoi më tej, kërkoi anulimin e zgjedhjeve. Më pas ishte Berisha që shkroi mbi videon dhe në fund të paragrafit, gërmëzoi me kapitale: TË NGRIHEMI.
Ofensiva medietike
Që pas këtij mesazhi të Berishës, asnjë deputet apo zyrtar i PD-së, asnjë i vetëm, nuk është prononcuar publikisht apo në intervista me medien përveçse për këtë çështje. Direktiva ishte e qartë: Amplifikojeni Korçën, na duhet të dalim në protesta, na duhet sebep. Korça ishte “simboli i vjedhjes së votës”, – sipas tyre. E njëjta linjë vazhdoi dhe dje në Kuvend me fjalimet e të gjithë deputetëve demokratë në seri. Ajo që kishte ndodhur në Korçë ishte problem shumë serioz për deputetët demokratë që folën në sallë, ishte prioriteti i prioriteteve. Kështu ndodhi deri në momentin kur… fjalën e mori Sokol Olldashi. Ky i fundit, që në krye të fjalimit, goditi gjithë linjën zyrtare të Partisë kur automatikisht i akuzoi të gjithë, të vetët përfshirë se “nuk e kishin seriozisht me Korçën”. Por për PD-në Korça ishte shkaku dhe Protesta do ishte pasoja. Olldashi goditi dje shkakun, automatikisht ai ka goditur edhe pasojën, Protestën. Minimalisht, ai dje ka shpallur një linjë të re në aksionin e PD-së, linjën e atyre që po sfidojnë projektin e Berishës për të amplifikuar sebepin dhe për të dalë në protesta. Për Sokol Olldashin, këto protesta “nuk mund të merren seriozisht”, ngelet se sa seriozisht do e marrë PD-ja, tani e tutje, këtë “fiasko” të Olldashit.
* * *
Lulzim Basha shkon çdo natë tek Doktori
Kryeqytetasit e njohin të gjithë atë që quhet “Abba Bussiness Center”, një godinë 21 Katëshe, luksoze, pranë Radio-Televizionit në Tiranë. Por jo të gjithë e dinë që pasi Lulzim Basha u emërua kreu i ri PD-së, kjo godinë është lidhur shumë ngushtë me aktivitetin e tij, të mbrëmjeve sidomos. Gjithçka nisi kur PD-ja u zhvendos tek SHQUP-i. Në fillim, tek SHQUP-i, ishte edhe Berisha që kishte një zyrë të tijën, si “ish-kryetar nderi” i partisë. Zyrat e Bashës dhe Berishës ishin pranë. Por axhenda e të dyve dallonte shumë. Deputetë, simpatizantë, biznesmenë demokratë, vendoseshin në radhë pranë zyrës së Berishës tek SHQUP-i dhe “kryetari sefte” nisi ta gjente veten shumë keq nga kjo situatë.
“Doktori” e kapi në ajër kompleksimin e Lulzim Bashës, shqetësimin, e shoqëruar edhe me pak poshtërim. Ndaj vendosi ta ndihmonte…edhe kësaj here. Vendosi të zhvendosë zyrën në katin e 14 të kullës pranë RTVSH. Iku fare nga selia e SHQUP-it. Nuk vonoi dhe një gazetë shumë e dashur për Bashën, u sigurua që në faqen e parë të saj të jepte njoftimin se : “Berisha nuk do të ketë zyrë në selinë e re të PD-së, SHQUP”.
Entuziazmi i një lajmi është njëra anë, por ama hierarkia është komplet gjë tjetër. Berisha me siguri e ka ditur edhe këtë kur bëri zhvendosjen e zyrës. Tashmë ai pret çdo natë, çdo mbrëmje Lulëzim Bashën në katin e 14 të “Abba Business Center”. Dëshmitarë të ndryshëm që punojnë ose banojnë pranë kësaj kulle, kanë spikatur këto vizita në mbrëme të Bashës për tek Doktori. Nga ana tjetër burime në PD, përforcojnë informacionin në fjalë dhe thonë se Basha çdo natë , kur shkon tek Doktori merr dhe një copë letër me vete për të mbajtur shënime. Kjo është diçka pozitive, që flet qartë se kryetari i ri i PD-së është çun sistematik dhe i vëmendshëm.
Sokol Olldashi: Alibia e Korçës, s’mund të merret seriozisht
Nga Sokol Olldashi*
Problemi është shumë më i madh sesa 20.000 lekë që iu dhanë studentëve në Korçë! Problemi është kthyer në sistem dhe, nëqoftëse ne duam të meremi seriozisht me te, duhet të kuptojmë dhe pranojme atë çka realisht po ndodh… Dua t’i drejtohem shumë deputetëve, të djathtë dhe të majtë, gjithkujt që ka një grimcë përgjegjshmërie – ka plot njerëz për të cilët kam konsiderata pozitive njerëzore, pavarësisht se nuk i besoj apo pranoj arsyetimin apo vokacionin e tyre politik – a do të merremi ne me ketë problem? Apo do të bejmë sikur nuk shikojmë?
Kjo që po ndodh është e tmerrshme! Nëse kthehemi mbrapa, në vitin 1991 dhe 1992, kur janë bërë zgjedhjet e para pluraliste në këtë vend, nuk është paguar askush, nuk është harxhuar asnjë qindarkë e vetme, as nga kandidatët as nga komisionerët! Askush nuk ka paguar askënd. Pse? Sepse njerëzit kishin një zemër, kishin një moral dhe kishin një shpirt. Vinin dhe e bënin gjithçka me dëshirë. Si tanët, si tuajt.
Çfarë ndodhi më vonë? Më vonë filluam të paguajme komisionerët, më pas filluam të paguajme makinat për t’i sjellë njerëzit të votojnë, më pas filluam të paguajmë grupet e margjinalizuara për t’u marë votat.
Akoma më pas, e çuam përtej. Pse të lodhemi dhe të paguajmë makina, zgjedhës që të vijnë dhe të votojnë, komisionerë?!?!?! Më mirë i biem drejt, paguajmë zgjedhës në një proces që nuk është më zgjedhor, por një treg kërkesë-ofertë për blerje votash me shumicë dhe pakicë.
Paguajmë zgjedhësit direkt dhe kjo është “demokracia direkte”! Por kjo nuk është demokracia direkte e vullnetit të njerëzve, por është “demokracia direkte” e xhepave. Por kjo, nuk është demokracia për të cilën kanë nevojë shqiptarët.
E çuam më pas më tutje, ndonëse ne të gjithë bëjmë sikur e harrojmë këtë gjë. E çuam edhe te tregtimi i deputetëve. E nisi Nano në parlamentin e 2001, e vazhduam ne, kur do zgjidhnim presidentin në 2007. Dhe bëjmë prapë sikur nuk e shikojmë dhe nuk e dimë këtë gjë. E nisi Nano, e perfeksionoi LSI-ja por, për hir të së vërtetës, jo vetëm LSI. Edhe parti të tjera, të vogla, në koalicion me ju apo në koalicion me ne. Edhe ne të PD-se bëmë sikur s’e pamë.
Dhe vijmë sot, në Korçë. Por, përpara Korçës kemi qenë në 23 qershor. Nuk ka pasur gjë më të turpshme, gjë më të fëlliqur sesa fushata e 23 qershorit. Shkonim nëpër zonat elektorale dhe u thonim zgjedhësve: “kemi bërë këto punë, kemi këtë projekt”. Dhe përgjigjia që na vinte ishte: “ky ka dhënë 20; ky ka premtuar 30; ky tjetri 50. Sa jep ti?”
Ne u detyrohemi një ndjesë dhe një përgjigje qytetareve shqiptarë.
Dhe, në qoftë se duam seriozisht të merremi me këtë problem, duhet të fillojmë të merremi që sot. Nuk mund të fusim thjesht kokën në rërë si struci dhe thjesht të themi që fajin e ka PS-ja.
Kemi vërtet vullnet dhe dëshire për t’u marë me këtë çështje?? Shpresoj që po! Por, nëse duam vërtet të merremi me këtë çështje dhe t’u japim një përgjigje shqiptarëve, duhet të ndajmë mendjen që në këtë parlament disa do të vazhdojnë të jenë deputetë, ndërsa të tjerë duhet të lenë karriget. Nuk mundet që në këtë sallë të parlamentit të bashkëjetojnë të patrazuar, deputetët dhe blerësit. Kjo sallë ka vend për një kategori; ose për deputetët, ose për blerësit. Të dyja palët këtu, bashkë, nuk mund të rrinë dot. Duhet të merremi dhe duhet të fillojmë që sot!
BRAVO OLLDASHI… DUHEJ TE IKTE BERISHA QW TW BEHESHE …DASH.
POR C’I THA BASHA BERISHES PER TY? pO BERISHA….?