Pa asnjë dyshim, Dr. Sabit Brokaj është ndër njerëzit më të informuar mbi të vërtetën e vdekjes së Hysni Kapos. Ai di gjithçka mbi sëmundjen apo kompleksin e sëmundjeve që e mundonin një nga udhëheqësit më të rëndësishëm të kohës. Në numrin e djeshëm ai tregoi se si u përkeqësua gjendja shëndetësore e Hysni Kapos nga korriku i vitit 1978 dhe deri sa dha frymën e fundit në shtator të vitit 1979. Në këtë pjesë të dytë të intervistës ekskluzive në DITA, Dr. Brokaj tregon për sjelljen e Ramiz Alisë në Paris në ditët e fundit të Hysni Kapos. Kush ia dha Enver Hoxhës lajmin e vdekjes së Hysniut si u realizua maska me fytyrën dhe dorën e Hysniut. A ka pasur përpjekje për të rrëmbyer kufomën e Hysniut nga morgu i spitalit të Parisit dhe e vërteta mbi “fletoren e zezë”…
Pjesën e parë e lexoni KETU
– Doktor, e lamë bisedën tek zemërimi i familjarëve të Hysni Kapos ndaj Ramiz Alisë. Pse u zemëruan ata?
– Sepse për ditë të tëra të afërmit e Hysniut nuk dinin gjë për diagnozën, nuk dinin prognozën, nuk dinin situatën dhe për ecurinë e sëmundjes. Shqetësimi, pse jo dhe zemërimi i tyre ishte i drejtë, ndaj dhe unë e Profesor Gaçja ishim në krahun e tyre. Kjo justifikohej se kemi porosi nga udhëheqja që mos ua thoni të afërmve diagnozën. Familja e vuante shumë këtë gjendje. Askush nuk kishte kurajën ta bënte këtë me iniciativën e vet. Aq sa në dhjetë ditëshin e fundit, edhe Vitua edhe Vera reaguan ndaj tyre. U detyruam edhe ne që gjithë natën kishim patur probleme, unë dhe Profesor Gaçja i themi Ramizit që këtu nuk bëhet më fjalë për udhëheqjen dhe politikën. Kjo është një marrëdhënie njerëzore brenda familjes. Ata po ndahen për jetë nga i afërmi i tyre dhe do të ishte normale që familja të kërkojë në këtë rast të dijë gjithçka për shëndetin e tij dhe për atë që e pret.
– Ju thatë se Ramizi vinte rrallë për ta vizituar Hysniun në spital, gjë që përputhet edhe me rrëfimin e dy shoqëruesve për të. Ç’përshtypje ka lënë kjo sjellje tek ju dhe tek të afërmit e Hysniut?
Po, kini të drejtë. Një lloj indiferentizmi i Ramizit që shfaqej nëpërmjet vizitave të rralla që i bënte Hysniut në spital, binte në sy tek familja që jetonte çdo sekondë me dramën që po ndodhte dhe me dhimbjen për sëmundjen e njeriut të tyre të shtrenjtë. Është e natyrshme që sjellje të tilla bëjnë efekt dhe lënë përshtypje. Prandaj dhe e kam thënë dhe e përsëris se ata kanë të drejtë të ngrenë dyshime dhe pretendime.
– Pra, Vito Kapo dhe familjarët e tjerë të Hysniut kanë të drejtë të dyshojnë për fundin e njeriut të tyre të dashur?
Po, unë kam qenë i pranishëm aty dhe ata reaguan rreptë. Sidomos Vera. Por edhe ne mjekët që kujdeseshim për Hysniun. Sidomos unë dhe Profesor Gaçja, pasi kishim rreth 40 ditë që ndanim të njëjtin shqetësim me ta. Nga përvoja ime e gjatë si mjek, nuk ka ndodhur asnjëherë që familjarët të mos informoheshin për gjendjen e njeriut të tyre të dashur me atë zhvillim fatal të sëmundjes. Asnjëherë nuk na kishte ndodhur më parë një situatë e tillë. Këto që them janë ato që unë i kam përjetuar dhe janë absolutisht të vërteta. Kjo në fakt ndodhi me Hysniun. Prandaj dhe në ishim në anën e tyre në shqetësimin, zemërimin apo protestën që bënë. Tani përshtypje dhe perceptimet janë individuale dhe ato kanë pjesë të së vërtetës.
– Doktor Brokaj, ç’mund të na thoni për atë që ka pohuar Xhelil Gjoni, kunati i Hysni Kapos, se në vdekjen e Hysniut ka dorë dhe KGB-ja, me qëllim për t’u hapur rrugë ndryshimeve të mëvonshme politike në vend, që edhe në fakt ndodhën, ç’mund të na thoni?
– Shiko, i dashur Xhevdet. Kështu do të arsyetonte kushdo, po të vendosemi në kohën kur ka ndodhur kjo histori. Bashkimi Sovjetik kishte një qëndrim armiqësor ndaj nesh në atë kohë dhe i kërkonte ndryshimet në favor të vetes. Ky person, pra Hysni Kapoja, që ishte një figurë stabiliteti në udhëheqjen e Partisë së Punës, ishte padyshim një synim që të eliminohej. Siç donin serbët, siç donin grekët e të tjerët. Por se sa arritën ata të realizonin qëllimet e tyre në këtë drejtim, këtë nuk mund ta them.
– Kush ia dha Enver Hoxhës lajmin e vdekjes së Hysni Kapos?
– Me siguri Ramiz Alia. Sepse ai ishte i dërguari i Enverit në Paris dhe ai mbante lidhje direkte me Enverin. Kjo është lehtësisht e imagjinueshme, pasi të gjithë ne që ishim në shërbim pranë Hysniut, qoftë dhe të afërmit e tij, nuk mund të komunikonin direkt me Enverin. Ne i thamë lajmin Vitos, e cila ndodhej disa metra më tej kur Hysniu dha frymën e fundit. U njoftuan pastaj, kuptohet, ambasada, Ramizi e gjithë të tjerët për atë që kishte ndodhur. Komunikimi me Enverin është bërë nga ambasada, jo nga spitali.
– Është folur se gjatë ditëve të qëndrimit të trupit të Hysniut në morg është bërë një përpjekje nga agjentët e UDB-së për të rrëmbyer trupin e tij. Këtë e kanë pohuar ish-shoqëruesit besnikë të Hysniut. Sa i vërtetë është ky fakt?
Unë nuk mund të them me siguri nëse ka pasur një përpjekje për ta rrëmbyer trupin e Hysniut pas vdekjes së tij. Unë di të them vetëm kaq: Unë e justifikoj plotësisht merakun dhe shqetësimin e dy oficerëve që kanë folur për këtë ngjarje. Është e saktë ajo që thuhet se kur ne, pra unë, Profesor Gaçja dhe Eqeremi (Sinani), po e çonim trupin e Hysniut nëpër ato katakombet e errëta të spitalit për në morg, barrelëmbajtësit e Hysniut të vdekur ishin spanjollë. Ishin plot minuta të mjaftueshme që ata edhe të shprehnin ngushëllimin për fatkeqësinë që kishte ndodhur, por edhe të shprehnin simpatinë e tyre për Partinë e Punës dhe Enver Hoxhës. Dukej qartë se ata ishin marksistë-leninistë pasi na flisnin vazhdimisht dhe me simpati për Enver Hoxhën dhe Shqipërinë. Në kohën që e çuam në morg dhe e vendosëm trupin e Hysniut në shtratin e mermertë, Xhipja dhe Eqeremi nuk donin të dilnin nga morgu, duke pasur merakun se atij mund t’i ndodhte ndonjë gjë po ta lemë vetëm. E diskutuam gjatë se si mund të qëndrohej gjatë aty. Ai ishte morg i një spitali në thellësi të madhe, me shumë të vdekur, sikurse janë në fund të fundit të gjitha ambientet e përshtatura për të ruajtur kufomat e të vdekurve. U thamë se kjo nuk është e nevojshme, ne do të flemë në spital, këtu jemi për çdo situatë etj. Ata të morgut na dhanë siguri. Ishte një derë e hekurt si këto dyert e strehimeve nëntokë, dyer të rënda me ganxha e me çelësa. Këta ndikuan shumë që shoqëruesit e Hysniut mos të rrinin aty në çimento e të sëmureshin. Megjithatë, ata qëndruan në ambientet e spitalit në ditët që pasuan dhe prisnin ngushëllime nga shumë shqiptarë që vinin, pasi u mor vesh lajmi i vdekjes së Hysniut. Kjo vazhdoi deri sa u kthyem në Tiranë.
– Është thënë se sëmundja e Hysni Kapos dhe shtrimi i tij në një spital të Parisit u mbajt tepër sekret si në Shqipëri, ashtu dhe në Francë. Sa e vërtetë është kjo?
– Është plotësisht e vërtetë. Mirëpo ndonjë javë a dhjetë ditët e para të shtrimit të Hysniut, “Le Monde”, gazeta më e madhe franceze dhe një nga më të mëdhatë e botës, shkroi: “Le deuxieme de l’Albanie a Paris” (I dyti i Shqipërisë në Paris). Në shkrimin shoqërues flitej se ai, pra Hysniu kishte mbërritur në Paris për probleme shëndetësore e të tjera. Në këto rrethana nuk mund të bëhej fjalë më për sekrete. Këtë i thamë dhe Ramizit dhe Llambi Ziçishtit: Këtë e dinë tashmë Parisi, Franca e gjithë bota dhe ju i mbani familjes sekrete.
– Pas vdekjes së Hysniut, është bërë një maskë e fytyrës së Hysni Kapos dhe dorës së tij, për të cilën ka ndikuar ose ka luajtur një rol parësor Sali Berisha…
– Po, edhe kjo është e vërtetë. Saliu vinte shpesh dhe interesohej, pavarësisht se ai nuk hyri asnjëherë në dhomën e spitalit ku ndodhej i sëmuri. Natyrisht që kur vdiq Hysniu, ishte dhe Saliu i pranishëm. Nuk më kujtohet se kush e hodhi i pari idenë e balsamosjes dhe të marrjes së maskës, por Saliu u hodh e tha se këtë punë e bëj unë pasi e di se si bëhet kjo. Më tej, nuk e di se si ndodhi, pasi në fakt kush ia kishte ngenë një detaji të tillë.
– Oficerët shoqërues të Hysni Kapos thonë se në fundjavë apo me ditë të tëra Sali zhdukej në Paris dhe nuk dihej ku shkonte. Ju keni ndonjë dijeni për këtë fakt?
– Nuk mund të them asgjë për këtë. Nuk ia kemi vënë veshin këtij aspekti në atë kohë. Ne shërbenim nga 12 orë pranë të sëmurit dhe nuk kishim nge të merreshim me hollësi të tilla. Kush e kishte mendjen tek Saliu në atë kohë. Ata si oficerë mund ta kenë vënë re mungesën e tij ato ditë dhe unë nuk mund t’i kontestoj për atë që thonë.
– Doktor, a kini dëgjuar për një “fletore të zezë” me pikëpyetjet e dyshimet për çështjen e vdekjes së Hysni Kapos, të firmosur përveç shoqëruesve, edhe nga Dine Abazi?
Po, unë e lexova këtë fakt në gazetën DITA. Por duhet të jemi të qartë: Oficerët e shërbimit mbanin shënime, kjo nuk mund të diskutohet. Për mua kjo ishte pjesë e detyrës së tyre. Por se çfarë është shkruar në atë fletore, nuk mund ta them. Por dua të them patjetër edhe këtë: Këndvështrimi i një oficeri shërbimi, dhe i një mjeku si puna ime, janë të ndryshëm. Pavarësisht se edhe pohimet e tyre duhen marrë në konsideratë. Sepse të dy palët janë të interesuar për të siguruar jetën e personalitetit, por natyrisht këndvështrimet janë të ndryshme. Edhe informacionet në këtë rast janë të ndryshme, kuptohet.
Bisedoi Xhevdet Shehu
(Vijon)
Nesër do të lexoni:
-Prishja e ekuilibrave në udhëheqjen shqiptare pas vdekjes së Hysni Kapos
-A ishte vdekje natyrale apo e qëllimshme vdekja e Hysniut?
-Roli i Sali Berishës në vdekjen e Hysniut dhe a ishte ai i besuari i Ramiz Alisë