Historia që do të dëgjoni mund t’u duket si e pabesueshme, por është më se e vërtetë. Kjo ngjarje ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore në një fshat shqiptar ku kishin gjetur strehim shumë ushtarë italianë, të larguar nga repartet e tyre ushtarake, pas kapitullimit të Italisë fashiste. Prindërit e mi deri në muajin korrik të vitit 1943 banonin në qytetin e Fierit. Ka qënë koha kur Italia fashiste, si rezultat i disfatave të mëdha, u detyrua të kapitullonte pa kushte dhe të firmoste armëpushimin me aleatët. Pak kohë pas kësaj ngjarjeje një invadim i dytë u vërsul mbi vendin tonë, pushtimi nga nazistët hitlerianë. Në Shqipëri në atë kohë ndodhej një pjesë e konsiderueshme e ushtrisë fashiste italiane, të cilën ajo e kishte okupuar qysh në prill të vitit 1939. Si rezultat i kapitullimit, ushtria italiane që ishte në vendin tonë menjëherë filloi të shpërbëhej dhe të shthurej: një pjesë e ushtarëve ra rob e forcave gjermane, të cilët i nisën në Gjermani për të punuar me detyrim punë të rënda; një pjesë tjetër e ushtarëve preferoi të bashkohej me forcat partizane shqiptare. Këta, pak më vonë, krijuan një batalion partizan me emrin “Antonio Gramshi”. Ndërsa një pjesë e mirë e ushtarakëve italianë (kishte ushtarë, nënoficerë, por edhe pak oficerë) shkuan nëpër fshatra, që në një farë mënyre konsideroheshin si zona të lira ku gjetën nga banorët strehë dhe mikpritje.
Është e vërtetë se të gjithë ushtarakët italianë (në vend të fjalës “ushtar” do përdor fjalën “ushtarak”, meqë në mesin e ushtarëve kishte shumë nënoficerë, madje edhe oficerë), u pritën nga banorët e fshatrave me bujari dhe humanizëm. Jo vetëm kaq, por katundarët mikpritësa, ndonëse në shumicën e tyre ishin fukarenj, për t’i mbrojtur fatkeqët italianë, i veshën ata me rrobat e burrave të shtëpisë, me qëllim, që për çdo eventualitet, mos të dalloheshin se ishin të huaj. Madje, për t’u bërë edhe më të besuar se ishin vendalinj, fshatarët që i kishin pranuar në shtëpitë e tyre i ndryshuan dhe emrat miqve azilantë, duke i adoptuar me emra lokalë. Kështu, për shembull, Antoni u bë Ndoni; Salvatore u bë Selim, Mikele u bë Mihal, Adami u bë Adem e kështu dhe të tjerët.
Italianët e sistemuar, së bashku me familjarët e shtëpive ku banonin, bënin punë bujqësore të stinës. Babai im, i cili kishte në radhët e partizanëve një djalë (mua) dhe kushuririn e parë (djalin e xhaxhait) u detyrua të largohej nga Fieri së bashku me gjithë pjesëtarët e familjes dhe shkoi e u sistemua në fshatin Gorishovë të zonës së Mallakastrës. Atje atë e kishte ftuar ta mbante familjarisht një mik i tij i ngushtë, Mestan Çerçizi e quanin.
Në të gjithë fshatrat e zonës së Mallakastrës gjetën strehim dhe mikpritje një shumicë e madhe e ish ushtarakëve italianë. Por këtu unë do tregoj një ngjarje që ka ndodhur me italianët që u sistemuan në tre fshatra të Mallakastrës (në Gorishovë, në Cakran dhe në Kreshpan ).
Mestan Çerçizi e vendosi babanë tim familjarisht në shtëpinë e re që sapo e kishte ndërtuar, pranë asaj ku banonte. Në një dhomë të asaj shtëpie, me hyrje të veçantë, banonte një ish ushtar italian, i cili qe strehuar te Mestani, ashtu siç qenë sistemuar ushtarakë të tjerë italianë gati në të gjitha familjet e fshatit. Familjarët e Mestanit, por edhe fëmijët e tij e thërrisnin ushtarin Ndoni, ndërsa në fakt ai emrin e vërtetë e kishte Antonio. Ndoni, në shtëpinë e tij në Itali, kishte qenë bujk dhe tani punonte së bashku me Demon, vëllanë e Mestanit, në punë të ndryshme bujqësore.
Në familjet e fshatrave Gorishovë, Cakran e Kreshpan qenë sistemuar rreth 200 ish-ushtarakë italianë, ndoshta edhe më shumë. Më 4 dhjetor 1943, me rastin e ditëlindjes time (unë ishja djali më i madh në moshë dhe bëhesha plot 15 vjeç) babai pati organizuar një darkë në shtëpi, ku kishte ftuar disa miq të ngushtë të tij (Mestanin dhe Haki Muhametin nga Gorishova, hoxhën e xhamisë së fshatit, Nuredin Alinë dhe Mete Sulon nga Cakrani, Karafil Veliun dhe Ali Islamin nga Kreshpani, mësuesin e shkollës fillore të Gorishovës, Anastasin si dhe prifin ushtarak italian. (Ushtria italiane e asaj kohe kishte në përbërjen e saj edhe prift, i cili ishte me gradë dhe uniformë oficeri, por dallohej nga oficerët e tjerë, mbasi në pjesën e sipërme të anës së majtë të xhaketës kishte një kryq me ngjyrë të kuqe. Priftin të gjithë e thërrisnin padre). Priftin e kishte marrë në familjen e vet Haki Muhameti.
Darka pati kaluar gëzueshëm. Gjatë darkës me padren bisedonte Anastasi, mbasi ky kishte mbaruar shkollën e mesme normale të Elbasanit, e cila përgatiste mësues për shkollat fillore dhe atje, në atë shkollë, kishte mësuar italishten. Megjithëse, duhet thënë, se edhe gjithë burrat e tjerë flisnin nga pak italisht. Në bisedat e ndryshme që qenë zhvilluar gjatë darkës, temat kryesore ishin lufta e partizanëve tanë, lufta e aleatëve kundër hitlerianëve, fati i italianëve të strehuar në fshatrat shqiptare e të tjera.
Gjatë darkës padre-ja, nëpërmjet Anastasit, kishte thënë se gjithë italianët janë të besimit katolik dhe më 25 dhjetor (pas 20 ditësh) tek ne në Itali festohet lindja e Krishtit. Në qoftë se do shihet e arsyeshme unë kam një propozim: të gjitha familjet që kanë në shtëpitë e tyre italianë, ditën e krishtlindjeve të përgatisin një drekë pak më të veçantë nga të zakonshmet. Për mos t’u zgjatur, do mendoja se kjo gjë do i gëzonte shumë gjithë bashkatdhetarët e mi. Ky propozim i pëlqeu të gjithëve, madje Nuredini shtoi edhe këtë detaj: ky dimër po duket shumë i ftohtë, prandaj kam mendimin që gratë e familjeve ku ka italianë të përgatisin (thurnin) gjatë këtyre ditëve nga një triko leshi dhe çorape leshi për mysafirin e tyre dhe t’ia dhurojnë gjatë asaj dreke festive. Edhe ky propozim u pranua si një simbolikë kuptimplote ndaj mysafirëve italianë.
Kështu ditët po kalonin dhe krishtlindjet e 25 dhjetorit 1943 u festuan gëzueshëm nga të gjitha familjet që kishin në sofrat e tyre mikun italian. Por më të gëzuar, madje dhe të emocionuar qenë miqtë italianë, të cilët, përveç drekës festive me gjel deti dhe përshesh tradicional me bukë misri, morën si dhuratë triko dhe çorape leshi. Gëzueshëm kaloi edhe festa tradicionale e vitit të ri 1944.
Në ato kohëra, në të gjitha fshatrat e Shqipërisë nuk kishte rrymë elektrike, rrjedhimisht në familjet fshatare, në dyqane, në shkolla e xhami nuk kishte radio. Atëherë edhe gazetat nuk shiteshin në fshatra. Anastasi, mësues i shkollës, duke qenë afërsisht në një moshë me padren italian dhe të dy të shkolluar, ishin miqësuar njeri me tjetrin dhe takoheshin e bisedonin shpesh. Anastasi e kishte familjen në Fier (kishte prindërit, gruan dhe 5 fëmijë) dhe pasditeve të shtuna shkonte pranë familjes e kthehej të dielave në darkë. Mësuesi kishte radio në shtëpinë e vet dhe dëgjonte rregullisht lajmet e të shtunës në darkë dhe të dielës në kohë dreke, mbasi mbasditen e së dielës ai kthehej në Gorishovë për të filluar punën të hënën në mëngjes.
Që nga koha kur në shtëpitë e fshatarëve qenë strehuar ish ushtarakë italianë, qe bërë si rregull që në shkollën e Gorishovës, ditët e hëna mbasdite, vinin shumë italianë, mes tyre edhe padreja dhe Anastasi i tregonte atyre lajmet që kishte dëgjuar në radio. Ishte informacioni i vetëm që italianët merrnin mbi gjendjen në frontet e luftës dhe lajme të tjera.
Janari dhe gjysma e shkurtit të vitit 1944 qenë me mot shumë të ftohtë. Por, duke kaluar koha, dita filloi të rritet dhe po ndihesh ardhja e pranverës. Sipas kalendarit, në muajin prill të atij viti do festoheshin pashkët, ringjallja e Krishtit.
Në një darkë të ditëve të para të muajit mars Mestani kishte ftuar për vizitë në shtëpi disa miq të tij. Ndër ta ishte edhe hoxha i fshatit, babai i im, Anastasi dhe padreja. Duke pirë kafe e duke biseduar, dikush nga të ftuarit i thotë padres të shpjegonte shkurtimisht, nëpërmjet Anastasit, se si zhvillohet ceremonia e pashkëve në kishat katolike. Padreja pasi shpjegoi kuptueshëm ceremoninë liturgjike në kishat katolike, shfrytëzoi rastin dhe shprehu dëshirën që ditën e pashkëve, të cilat po afroheshin, ai vetë të zhvillonte në oborrin e shkollës një ceremoni liturgjike ku të merrnin pjesë të gjithë italianët që ndodheshin në fshatrat Gorishovë, Cakran dhe Kreshpan. Hoxha, një njeri shembullor në të gjitha drejtimet, mori fjalën dhe shkurtimisht tha: xhamia jonë e që është pranë shkollës është një vend i shenjtë i Perëndisë dhe Perëndia është e njëjtë për të gjithë. Prandaj atje mund të zhvillohen të gjitha shërbesat fetare dhe nuk ka pse padreja ta zhvillojë ceremoninë e pashkëve në ambjent të hapur (në oborrin e shkollës). Mund ta zhvillojë fare mirë në sallën e xhamisë, pavarësisht se ajo nuk është e madhe dhe si zor t’i marrë të 200 italianët që do asistojnë. Por, nuk prish punë, ata që nuk do mund të futen në sallën e xhamisë, le të qëndrojnë në ambjentet përreth sallës. “Kam mendimin, meqë tani është koha e qingjave, të grumbuliojmë rreth 20 qingja e t’i pjekim në hell. Tjetër: si ëmbëlsirë të përgatisim atë që përdorim ne për festën e bajramit, d.m.th. bakllavanë tonë tradicionale” tha Mestan Çerçizi.
Pas një pauze, e mori fjalën padreja i cili plot gëzim, por edhe i emocionuar, tha: Dua të them vetëm faleminderit për gjithçka dhe t’u parashtroj edhe një dëshirë tjetër. Për t’i dhënë një solemnitet më domethënës procesit fetar do të ishte mirë sikur të siguroheshin dy ikona, një me figurën e Krishtit dhe tjetra me atë të Shën Marisë. Tjetër: të siguroheshin 12 qirinj disi të gjatë dhe të trashë, të cilët të mbahen nga 12 djem të vendosur në të dy anët ku do të jem unë gjatë gjithë procesit të shërbesës fetare. Dhe së fundi edhe ca themjan, të cilin unë do e vendos (dhe e ndez) në një pajisje të posaçme që e kam me vete në valixhe, atje ku kam edhe veshjen që përdor gjatë kohës së shërbesës. Këtë dëshirë të padres italian u angazhua ta plotësonte babai im, i cili tha: unë kam xhaxhan tim, Andrea Gjeçi, prift të fshatit Selenicë, fshat që është i fesë ortodokse dhe ndodhet rreth 3 orë larg prej këtu, ndodhet në anën tjetër të lumit Vjosë. Qysh nesër po dërgoj Kozmanë së bashku me Demon (vëllanë e Mestanit) dhe po i jap një letër për xhaxhanë, ku do i shpjegoj gjithçka. Nuk kam dyshim që xhaxhai do i plotësojë të treja kërkesat. Do i them që ikonat do i kthejmë menjëherë, ndërsa qirinjtë sa të kostojnë do t’i paguaj unë.
Kështu, pas asaj darke ku qenë mbledhur për një kafe te Mestani, filluan përgatitjet nga banorët e Gorishovës që t’i realizonin miqve italianë festën e pashkëve.
Ditën e pashkës, në orën 10 filloi zhvillimi i shërbesës fetare nga padreja, i cili shoqërohej nga Anastasi dhe nga 12 djemtë që mbanin qirinjtë e ndezur. Padreja ishte veshur me veshje të posaçme për raste të tillë. Në dorën e majtë mbante kanelën prej bronxi ku digjesh themjami që i jepte atë erën karakteristike gjithë ambjentit, ndërsa në dorën tjetër mbante librin e shenjtë me kapak të kuq. Padreja, pasi ju drejtua gjithë të pranishmëve në emër të Atit, të Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, falënderoi nga zemra hoxhën e xhamisë për mirësinë e treguar, duke vënë në dispozicion faltoren myslimane për të festuar pashkët. Ai falënderoi edhe gjithë banorët e fshatit, e në veçanti amvisat e familjeve, për bujarinë e treguar duke shtruar atë drekë të mrekullueshme. Shërbesa liturgjike u mbyll me këto fjalë të padres të thëna shqip dhe me emocion: rrofshin dhe Zoti i bekoftë banorët e fshatit Gorishovë! Rroftë populli human shqiptar! Rroftë populli italian!
Gjithë aktivitetin e asj dite e ndoqën shumë banorë të fshatit. Kishin ardhur edhe banorë nga Cakrani dhe Kreshpani.
Në atë drekë morën pjesë: Mestani dhe Haki Muhameti si banorë të fshatit, mësuesi Anastas dhe 12 djemtë që mbajtën qirinjtë.
Pa kaluar as 24 orë nga festimi i pashkëve katolike në Gorishovë, në të gdhirë të ditës së hënë pas pashkëve, aty erdhën nga Fieri një grup ushtarakësh gjermanë SS, të cilët shoqëroheshin nga kolaboracionistët lokalë dhe filluan nga raprezaljet. Ata bënë një kontroll të imëtnë familjet e fshatit, ambjentet rreth tyre dhe gjithë zonat rreth e qark fshatit për të kapur italianë. Por nuk kapën asnjë prej tyresepse banorët e fshatit, i kishin paralajmëruar të gjitë italianët që të shkonin për t’u fshehur në pyjet që ndodhen mbi Gorishovë dhe të qëndronin atje deri sa të sinjalizoheshin nga fshatarët se gjermanët u larguan. Gjermanët së bashku me spiunët vendas arrestuan disa banorë dhe ndër ta arrestuan edhe hoxhën, për fatin e të cilit më vonë nuk u muar vesh asgjë, mbasi ai nuk u kthye më në shtëpinë e vet. U tha atëherë se e kishin deportuar në Gjermani. Fatmirësisht më 1945 lufta mbaroi dhe ushtarakët italianë filluan të kthehen pranë familjeve të tyre në Itali.