Nga Habjon HASANI
Si sot java, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, autorizoi dorëzimin në prokurori të një materiali kallëzues ndaj dy punonjësve të tij. Auditi i Bankës gjeti përgjegjës punonjësin Ardian Bitraj për mungesën e disa qindra milionë lekëve në Magazinën e Vlerës në Linzë. Janë qindra miliona lekë të avulluara pa gjurmë. Bitraj u arrestua menjëherë, bashkë me të dhe kolegia e tij Mimoza Bruzia. Bitraj u mor në pyetje, pranoi se ishte strumbullari i kësaj pune, implikoi dhe kolegen e vetë dhe kur u pyet se ku i kishte paratë e vjedhura, ai dha një përgjigje që vetëm tek lekët nuk të çonte: “I kam lënë në kumar. Jam kumarxhi, loz shumë loto”, – u tha Bitraj hetuesve. Më pas skandali mori dhenë, kur Banka bëri një njoftim zyrtar tre rreshta e gjysmë për këtë ngjarje. Në këto 7 ditë ku skandali është shpallur publikisht duket se ka disa anomali që ngrenë pikëpyetje, kryesisht në dy linja:
1. Menaxhimin publik të këtij skandali
2. Dritëhijet mbi cilësinë e hetimeve
Menaxhimi i jehonës – Ajo çka bie menjëherë në sy është qëndrimi i Guvernatorit të Bankës, zotit Fullani. Ai nuk është prononcuar fare publikisht për këtë çështje, në institucionin që ai drejton është konsumuar një nga vjedhjet më tronditëse të dëgjuara ndonjëherë, por z.Fullani nuk ka denjuar të dalë në një konferencë për shtyp për të thënë të vetën. Askush nuk i ka kërkuar të hetojë, apo të japë konkluzione përpara mediave, por në vigjiljen e një skandali të rëndë, shqiptarët duhet të dinë nga Guvernatori i Bankës nëse paratë në këtë moment janë të sigurta. Duhet të dinë nëse ka një hulumtim administrativ nga ana e Bankës për sektorët dhe drejtoritë që nuk kanë funksionuar dhe që i hapën rrugë skandalit dhe vjedhjes. Përgjegjësia penale është njëra anë, e atij që vjedh, por ekziston dhe përgjegjësia administrative. Për shembull, një roje parkingu kur e zë gjumi dhe i vjedhin makinat, nuk mund ta akuzosh si hajdut, por dhe në punë nuk mund ta mbash më si roje, apo jo?
Sot mbushet një javë nga skandali, por askush nuk di, nëse në Bankën e Shqipërisë ka pasur ndonjë hulumtim procedurial dhe administrativ mbi këtë skandal. E vetmja shenjë reaguese e ardhur nga Fullani, ishte një prononcim i tërthortë që ai ka dhënë për “Vizion Plus” tre ditë më parë. Në një komunikim telefonik, zoti Fullani u shpjegoi shkurtimisht kolegëve të “V+” se përse ai nuk mund të fliste për këtë çështje.
“Unë s’mund të flas, çështja është sekret shtetëror”, – citohet të ketë thënë Guvernatori. Nëse Guvernatorin e kanë cituar në mënyrë korrekte, atëherë del e qartë se Fullani ka mashtruar arbitrarisht shqiptarët, në të vetmin prononcim që ka bërë pas skandalit. Ka dy arsye që e vërtetojnë mashtrimin. Kleçka qëndron tek fjala“shtetëror”. Nëse ngjarja klasifikohet si e tillë, atëherë Fullani e ka vërtetë të ndaluar të flasë qoftë dhe një gërmë për të. Mirëpo, nëse do ishte vërtetë sekret shtetëror, me sa mend Banka e Shqipërisë njoftoi vetë e para ngjarjen për publikun(ai njoftimi me tre rreshta e gjysmë)?(!)
Nga ana tjetër, DITA kërkoi informacion zyrtar dje pranë Prokurorisë së Përgjithshme, mbi statusin e këtij hetimi. Një zyrtar i lartë i organit të akuzës konfirmoi se: “Çështja ka statusin normal të sekretit hetimor. Nuk ka asnjë klasifikim si sekret shtetëror. E konfirmojmë këtë”, – u shpreh zyrtari. Në këto kushte del e qartë se ose Guvernatori nuk di akoma statusin hetimor të grabitjes më të fortë të ndodhur ndonjëherë në Bankën që drejton, ose Guvernatori me qëllim sugjestionon median dhe publikun duke u hequr sikur “se zë gjumi për sekretet e shtetit”. Në të dyja rastet, qoftë nga padituria qoftë nga keqdashja, zoti Fullani ka mashtruar median dhe opinionin publik, duke përdorur artificën e rreme të “sekretit shtetëror” dhe ka shmangur ballafaqimin me opinionin publik.
Një tjetër aspekt interesant në jehonën publike të kësaj çështje lidhet me të arrestuarin Ardian Bitraj. Fama e tij si kumarxhi i thekur, gati sa nuk po merr përmasat e famës së Robert De Niros në filmin “Casino”. Të gjithë flasin se si ky tipi i kishte bërë rrush e kumbulla lekët në kazino dhe pika bastesh sportive. Dhe ku bazohet e gjithë thashethemnaja? Tek një deklarim, që vetë Bitraj ka bërë(!). Pra lekët nuk duken kurrkund, por ca fjalë të thëna nga Bitraj ama bindën shumëkënd që lekët ishin atje ku Bitraj thoshte, në eter. Për 4 ditë me radhë huqi i kumarxhiut u bë objekt i thuajse të gjitha raportimeve dhe vëmendjes mediatike. Duket si punë me leverdi, nëse troket tek Banka apo tek Fullani dhe u kërkon detaje mbi mënyrën si funksionon rregullorja për magazinën ku ndodhi grabitja, të përplasin në surrat: “Sekretin Shtetëror”. Por nëse shkon në ndonjë pikë bastesh dhe pyet për Bitrajn, ke shanse të gjesh ndonjë bastexhi tjetër që të rrëfen se si e kujton Ardian Bitrajn të ulur në një cep, ashtu vetëm fillikat, si gjynahqar, në njërën dorë kafenë dhe skedinën në dorën tjetër.
Por duket se ky sporti popullor me huqin prej kumarxhiu të Bitrajt ka funksionuar për mrekulli. Për shembull, ka funksionuar për Fullanin, i cili me siguri është më komod kur i sheh gazetarët duke bredhur nëpër pika bastesh për të hetuar veset e Bitrajt, se sa po t’i ketë te dera e zyrës së vetë këta gazetarë. Por mund të ketë funksionuar edhe për të tjerë, asnjë politikan, apo zyrtar me peshë në këtë vend nuk ka thënë as një fjalë për këtë skandal të pazakontë. Ne ende nuk e dimë çfarë mendon Ministri i Financave për këtë që ka ndodhur. Nuk e dimë çfarë mendon Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Nuk e dimë çfarë mendon opozita. Duket sikur askush nuk e vë më në dyshim fjalën e Ardian Bitrajt se lekët i ka vjedhur vetë dhe më pas i ka lënë në kumar.
Dritëhijet e hetimeve – Përtej zig-zageve dhe pikëpyetjeve që ngre jehona publike e skandalit, çështja ndodhet dhe në një hulli institucionale, prokuroria po heton. Por të dhënat e deritanishme të ardhura nga hetimi, sjellin shpesh të informacione kontradiktore. Ajo që me siguri dihet deri më tani, është fakti se janë arrestuar dy persona, dihet se një prej tyre ka thënë që ka vjedhur një sasi prej 600 milionë lekësh, se truku që kishte gjetur ishte futja e librave në arka pasi nxirrte lekët dhe se kishte nja 4 vite të mira që e bënte këtë punë.
Në këtë moment, askush, nuk ka një ide mbi shifrën e saktë të vjedhur. Aktualisht Banka e Shqipërisë po bën një audit tërësor të ‘Magazinës së Vlerës” për të gjetur ekzaktësisht shifrën e pareve të vjedhura. Lart e poshtë dëgjon se “janë shumë më tepër se 6 milionë dollarë”, por prokuroria thotë se e pret ditën e martë raportin final të Audituesve të Bankës. Nga organi i akuzës dje u konfirmua se edhe përllogaritja e dëmit i ishte lënë ekipit Auditues të Bankës. Kjo duket shumë e çuditshme. Për cilindo që njeh rregulloren e Bankës, bëhet e qartë se pas ekipit të Inspektimit të Bankës, përgjegjës për situatën e krijuar është direkt Auditi i Bankës. Por ky Audit, që si rregull, duhej të ishte “i dyshuar dhe vetë” është duke kopsitur letrat e abuzimeve të Bitrajt. Këtë kontradiktë i’a paraqitëm dje në rrugë zyrtare dhe zyrtarëve të Prokurorisë së Përgjithshme, këta të fundit nga ana e tyre u shprehën:
“Derisa ishte Auditi ai që solli materialin e kallëzimit fillestar, në këto momente nuk ka arsye të dyshojmë mbi Auditin dhe po presim ekspertizën e tyre. Pasi ta shohim këtë ekspertizë, natyrisht që mund të angazhojmë dhe ekspertë privatë nëse mendojmë se ka diçka që nuk shkon”, -tha dje për DITA një zyrtar i lartë i organit të akuzës.
Madje zyrtari konfirmoi se prokurorët dhe hetuesit e këtij institucioni as nuk kishin shkelur në këto magazina ku ishte konsumuar grabitja pasi i është lënë Auditit të Bankës të përfundojë komplet procedurën e vlerësimit të dëmit.
Pra të njëjtit Audit që i kishte kaluar nën hundë për 4 vite(sipas Bitrajt) vjedhja e arkave me lekë, po i besohet dhe zbardhja e vjedhjes. (?!)
Duket sikur dhe Auditi i Bankës ka kredenciale të forta, njësoj si me Bitrajn edhe Auditin e besojnë për çka thotë. Ndihet një nuancë e theksuar besimi reciprok në të gjithë këtë histori.
E megjithatë hetimi është në fillesat e veta. Mungojnë ende të dhëna dhe parametra teknikë të domosdoshëm për të vlerësuar më pas ngjarjen në tërësinë e saj. Ende nuk dihet në ç’raport ishin mes tyre arkat me prerjet e gatshme për tu hedhur në treg dhe arkat e mbushura me lekët e vjetëruar të dedikuar për asgjësim. Nuk dihet se cila është perioda qarkulluese dhe sasia e “prerjeve të gatshme” të hedhura në treg në katër vitet e fundit apo dhe më gjerë. Nuk dihet as perioda qarkulluese dhe sasia e lekëve të akumuluara për asgjësim.
Ndonëse ende me shumë të panjohura teknike, bëhet e qartë se alibia e “librave” të futur në arka pjell një problem logjik. Ajo magazinë nuk ishte një binxë, as një arkivë. Ajo ishte një magazinë ku arkat si rregull qarkullonin, herë pas here Bankës i duhej të hidhte prerje të gatshme në treg, ndaj dhe arkat duhej të zbrazeshin që më pas lekët të hidheshin në treg. Ky ishte dhe funksioni i tyre apo jo? Ndaj dhe në kushtet kur nga Bitraj kemi ‘mësuar’ se për 4 vite me radhë ai ka futur libra në arka dhe ka tërhequr lekët, problemi që shtrohet është:
Po 4 vite me radhë kush i ka hedhur në treg libra në vend të lekut?
Sepse nëse Banka ka kryer operacione për hedhjen e lekëve në treg, me siguri që do shkonte tek arkat, do kërkonte lekët dhe do gjente librat.
Për 4 vite ose Banka nuk ka ndërhyrë në treg duke mos injektuar lekë në sasi që justifikonin qarkulimin e Magazinës, ose… në Bankë dikush kishte marrë përsipër të mbulonte nga jashtë Magazinës trukun që bënte Bitraj brenda në Magazinë.
Dikush që kishte ‘aftësi alkimike’ . Dikush që kishte mundësinë dhe forcën që arkat me libra t’i paraqiste si arka me lekë dhe më pas të manipulonte dhe kopsiste letrat sikur këto lekë(libra) ishin hedhur vërtetë në treg.
Ky po që do ishte një kumarxhi i rëndë.
o edi po i soset durimi ketij popullit prandaj bej reforma ne drejtesi mos degjo ilir meten se aji e dij se po u reformua drejtesia aij do vej i pari brenda ne burg prandaj o edi vepro se pasaj do hash sallatorin brenda ne byth dhe ku te vijn zgjedhjet te jesh i sigurt do dali ps kart e djegur sic esht pd tani qe do humbasi si parti dhe do jet parti koti dhe per 1000 vjet pd nuk vjen ne pushtet ashtu do ti doll dhe ps o edi prandaj lei fjalet e bukura se populli esht gopur me fjal tani do qetesi dhe pune nuk do llafe o ediiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiii
Mund te kete ndonje shqiptar qe ta besoje se 600 milion leke ( 6 miliard ) jane luajtur ne lojra fati !!!Ai eshte ose me mire te themi duhet te jete nje grup jo i vogel vjedhesish : Por a mund ta bje kjo drejtesi kete hetim !?
Nja 40 vjet me pare u zbulua nje grup falsifikatoresh,qe hidhnin ne treg bileta treni false.Dy u pushkatuan,te tjeret burg.Vjedhja nga brenda e bankes me te sigurte ,me te madhe ne vend,as ka shqetesuar qeverine,as opoziten,
Hetimet duhen filluar qe me Banken ITALO-SHQIPTARE dhe me emerimin Guvernator ne tetor 2004 nga ai qe i vete prapa historia