Nesër nis zyrtarisht gara për pranimet në universitete gjatë vitit të ri akademik 2015-2016. Rreth 46 mijë maturantë në të gjithë vendin do u drejtohen ambienteve të zgjedhura për të dhënë provimin e dytë të detyruar të maturës, rezultatet e të cilit janë vendimtare në pikët finale që duhen për të fituar programin universitar të preferuar.
Ndryshe nga sa ka ndodhur me testimin e një jave më parë, provimi i gjuhës-shqipe dhe letërsisë do të zhvillohet nën masa edhe më të rrepta sigurie. Kjo me qëllim për të mos lejuar rrjedhjen e informacionit. Burimet zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Provimeve bëjnë me dije se tashmë ka përfunduar edhe përgatitja e tezës finale të provimit, e detajuar për të gjitha profilet e shkollave të mesme.
Sonte në orët e vona të mbrëmjes pritet të nisë edhe shpërndarja e testeve nën masa të rrepta sigurie për rrethet më të largëta të vendit, për të përfunduar nesër në orët e para të mëngjesit me Tiranën. Sipas një liste të detajuar, e cila tashmë është shpërndarë në të gjitha drejtoritë arsimore të vendit është konfirmuar edhe ndarja e mësuesve që do të mbikëqyrin procesin e provimeve sipas të gjitha shkollave.
Teza e provimit ndahet në dy pjesë, ku përfshihet testimi i njohurive për dy fragmentet e shkëputura nga veprat e autorëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Pjesa dërrmuese e pyetjeve të testit do të jenë rreth lëndës së letërsisë, ndërsa pjesa tjetër rreth njohjes së rregullave të drejtshkrimit dhe përdorimit të shenjave të pikësimit.
Testi do të ketë në përbërje fragmente nga tekste të ndryshme (tekst tregimtar, tekst poetik, tekst dramatik, tekst bindës/argumentues, tekst përshkrues, tekst shpjegues, tekst informativ, tekst eseistik, tekst kulturologjik), jo domosdoshmërish të punuara në klasë. Struktura e pyetjeve do të ndërtohet në mënyrë të tillë, ku të jenë të përfshira të tre nivelet e vështirësisë.
Njëra nga pyetjet me zhvillim është ese. Specialistët këshillojnë maturantët që të tregohen të kujdesshëm, dhe të mos mbështeten vetëm në perceptimin e fragmentit të tekstit, pasi testi do të përmbajë edhe pyetje rreth tërësisë së veprës së autorit përkatës. Për të qenë kalues në këtë provim, maturantët duhet të marrin detyrimisht 10 nga 50 pikët maksimale të testit.
Procesi i korrigjimit edhe për këtë vit u është besuar arsimtarëve që kanë minimalisht 5 vjet përvojë pune në lëndën e gjuhës Shqipe dhe letërsisë.
Kjo në mënyrë që vlerësimi të jetë sa më korrekt. Çdo test do të kalojë në duart e dy mësuesve, e nëse ndërmjet tyre do ketë vlerësime të ndryshme, testi do ti kalohet edhe një mësuesi të tretë për të vendosur pikët finale dhe notën përkatëse që meriton maturanti, në varësi të përgjigjeve të dhëna.