Media amerikane hedh dritë mbi personalitetin e Ariel Kastros, i cili për një dekadë ka mbajtur të burgosura tre gra dhe mund të jetë edhe babai i fëmijës së njërës prej tyre. Për shumë ishte një njeri normal që punonte si shofer i një autobusi shkolle, për të tjerë një fantazmë. Burime të FBI-së thonë se gratë kanë sjellë në jetë 5 fëmijë, të cilët vdiqën gjatë viteve
Pak para orës 18:00 të ditës së hënë, Çarls Ramsei, me profesion pjatalarës, sapo ishte kthyer në shtëpinë e tij në lagjen “Tremont”, kur dëgjoi britma të forta nga shtëpia fqinje. Me pizhame dhe pantofla ia afrua ndërtesës dhe përtej portës së mbyllur pjesërisht dalloi një vajzë të re që mbante në krahë një fëmijë dhe kërkonte ndihmë. Fqinjë të tjerë u afruan e bashkë me ta, Ramsei arriti të shkallmonte derën dhe të nxirrte jashtë gruan me fëmijën. Menjëherë më pas telefonuan 911, numrin e ndërhyrjes së shpejtë të policisë. Shumë e frikësuar, gruaja i tha Ramseit se ishte zhdukur më 21 prill të vitit 2003, në prag të ditëlindjes së saj të 17-të, ndërsa kthehej në shtëpi nga fast food-i ku punonte. Policisë i dha adresën e “shtëpisë së torturave”: 2207, “Seymour Avenue”, dhe kërkoi që ndihma të vinte mënjëherë, “para se ai të kthehej”. I referohej Ariel Kastros, 52 vjeç.
Kastro, ish-shofer i një autobusi shkolle, kishte mbetur i papunë nëntorin e kaluar, pasi u akuzua se kishte quajtur “bu…” një vajzë të vogël dhe e kishte lënë vetëm në autobus. Ishte i divorcuar prej shumë vitesh dhe nuk ishte parë kurrë në shoqërinë e një gruaje, deri në momentin kur filloi të dilte jashtë banesës së tij me një vajzë 6-vjeçe. Fqinjëve u kishte thënë se ishte vajza e të fejuarës.
Të paktën 5 fëmijë dyshohet se kanë lindur në shtëpinë në Kleveland të Ohaios, ku u mbajtën peng Amanda Berri, Mishel Knait dhe Xhina Dejesus. Knait u zhduk në vitin 2002 asokohe 22 vjeçe, ndërsa Dejesus humbi çdo gjurmë në 2004-n, kur ishte vetëm 13 vjeçe. Fëmijët e tyre nuk mbijetuan gjatë viteve, por nuk janë zbuluar ende shkaqet e vdekjes së tyre.
Vetëm e bija e Amandës që lindi në 2006-n ia doli të jetonte dhe dyshohet se është vajza e Arielit. Ai ka edhe një djalë, Entoni, 31 vjeç, i cili nuk ka qenë në dijeni të kësaj historie, si dhe një vajzë Emili, e dënuar me 25 vjet burg sepse tentoi të vriste foshnjën e saj 11-muajshe.Të afërmit dhe fqinjët e Kastros, që deri në këtë moment e kishin konsideruar atë si një njeri normal, nuk mund të besojnë se ka mbajtur të burgosura tre gra. “Ndoshta po fshihte personalitetin e tij të vërtetë, ndodh me ata që kanë një personalitet të dyfishtë”, thotë xhaxhai i tij 77-vjeçar, Hulio Çezar Kastro. Në vitin 1993, Ariel u arrestua për dhunë shtëpiake, por nuk u dënua kurrë.
Elis Kintron, e cila banon vetëm pak metra larg kësaj banese, tha se mbesa e saj njëherë pa një grua lakuriq që po zvarritej në pjesën e pasme të çatisë së Kastros dhe kishte telefonuar policinë, por nuk ishte marrë seriozisht për shkak të moshës së saj.
Vëmendja e hetuesve përqendrohet edhe te dy vëllezërit e tij, Onil, 50 vjeç dhe Pedro 54 vjeç, pasi mendohet se ata ishin bashkëpundorë të izolimit të tre vajzave. 10 vjet më parë, Onil kishte marrë pjesë në kërkimet e njërës prej vajzave, madje kishte ngushëlluar edhe të ëmën e saj.
Tani vajzat janë pranë familjeve të tyre. Policia dhe familja i kërkuan mediave që t’u jepnin kohë të rimerrnin veten nga trauma që kishin pësuar dhe asnjë informacion nuk u dha në lidhje me atë që iu kishte ndodhur. Përgatiti: Dorina Gjuzi