Në Ditën e Mësuesit, kryesocialisti Rama ka pritur në selinë rozë disa mësuese me përvojë shumëvjeçare, por që aktualisht janë pa punë.
Gjatë bashkëbisedimit me kreun e PS-së, ato thanë se janë pushuar nga puna për shkak të bindjeve politike, ndërsa përvoja e gjatë në mësimdhënie nuk është marrë fare parasysh. “Në shkolla janë emëruar mësues për bindje politike, ndërsa më të aftët janë lënë pa punë”, thanë ato.
“Më thirri drejtoresha më tha, Marjeta duhet të ikësh nga mësimi, më vjen keq për një gjë, dhe mua PD më ka vënë tha, por bindjet janë bindje. Jam një brez që u kemi dhënë kaq shumë nxënësve, kemi mësuar fëmijët e fëmijëve dhe të gjendesh në këtë situatë sepse nuk je militante me asnjë parti, kjo është alarmante”, tha njëra prej mësuesve.
“Mësues të aftë ndodhen jashtë dyerve të shkollave, të paaftë porse kanë një teserë partie japin mësim në bankat e shkollave. Kam kaq vite që endem dyerve të Drejtorisë Arsimore dhe jap mësim me kohë të shkurtuar, në çdo cep të Tiranës dhe nuk kam një pozicion stabël”, u shpreh shprehet një mësuese tjetër.
Ndërsa kreu i PS-së, Edi Rama, tha se arsimi është një ndër sektorët që është prekur më tepër nga përndjekja për shkak të bindjeve politike. Rama tha se me ardhjen në pushtet pas 23 qershorit, PS-ja do t’u kthejë mësuesve autoritetin dhe do të ulë taksat ndaj tyre.
“T’ua kthejmë lirinë e profesionit mësuesve. Të ndërtojmë një proces rekrutimi të mësuesve të koordinuar me prindërit. Mes shkollës e prindit të vendoset një komunikim konstant.
Të afrojmë shkollën me komunitetin. Të ulim taksat për mësuesit se rroga është rritur minimalisht, por fuqia blerëse është përgjysmuar. Taksa e sheshtë është një goditje që ia ka marrë frymën gjithë shtresës së mesme. Ne duhet t’i ulim taksat për mësuesit, nga llogaritjet që kemi bërë, mësuesit do të fitojnë një rrogë më shumë vetëm nga ulja e taksave”.