Janë të shumta veprimet që kryejmë gjatë ditës e që mund të na dëmtojnë pa e ditur. Ja disa prej gabimeve të përditshme të njeriut modern, që mund t’i bëjnë dëm shëndetit.
Dushi i përditshëm
Ndoshta është më mirë të mos bëhet përditë. Higjiena personale është diçka pozitive si për veten, ashtu edhe për bashkëjetesën civile, por nëse kthehet në mani mund të bëhet dëmtuese. Në fakt, nuk është e nevojshme që lëkura të “keqtrajtohet” çdo ditë me detergjentë agresivë kundër yndyrës apo sfungjerë.
Duhen zgjedhur detergjentë neutralë, më pak agresivë me lëkurën. Duhen shmangur sfungjerët apo mjetet e tjera, të cilat në vend që të ndihmojnë për të eliminuar mikroorganizmat dhe erërat e këqija, bëjnë efektin e kundërt.
Higjiena dentare
Larja e dhëmbëve dhe përdorimi i fillit dentar është i domosdoshëm, por gabimi qëndron tek mënyra se si e bëjmë këtë veprim të përditshëm. Larja energjike me furçë me lëvizjet majtas-djathtas i vendos mishrat e dhëmbëve në një stres të vazhdueshëm, që mund të çojë në dëmtime të rrezikshme. Këshillohet që larja të bëhet nga lart-poshtë dhe jo më shpejt se 30 minuta pasi kemi mbaruar ushqimin.
Përdorimi i tualetit
Ulja në ËC është veprim që e përsërisim disa herë gjatë ditës. Por një studim i kryer në Izrael sugjeron që në vend që të ulemi, duhet thjesht të përkulemi, në mënyrë që të shmangen disa rreziqe si p.sh hemorroidet apo koliti.
Qëndrimi ulur për një kohë të gjatë
Është zakoni më i përhapur i jetës moderne. Të kalosh një pjesë të madhe të ditës me shpinën pas karriges apo kolltukut mund të jetë e dëmshme për shëndetin. Jeta sedentare i shfaq pasojat jo vetëm në formën fizike, por edhe në sistemin e qarkullimit të gjakut dhe atë të tretjes.
Frymëmarrja
Edhe veprimi që bëjmë më shpesh gjatë ditës mund të dëmtojë shëndetin nëse nuk bëhet në mënyrën e duhur. Zakonisht, shumica e njerëzve shfrytëzojnë vetëm pjesën e sipërme të mushkërive për të marrë frymë, duke kufizuar kështu qarkullimin e oksigjenit. Një frymëmarrje e shëndetshme është ajo abdominale, e cila shfrytëzon kapacitetin e plotë të mushkërive.
Fjetja me jastëk
Duhet përdorur me kujdes. Para së gjithash për çështje higjiene. Muaj pas muaji, jastëku bëhet një çerdhe e vërtetë bakteresh dhe papastërtie. Mbi të gjenden qeliza të vdekura lëkure, djersë, pështymë etj. Kjo e bën të domosdoshme larjen e tij çdo tre muaj dhe larjen e copës që e vesh të paktën një herë në javë. Edhe qëndrimi që kushtëzon jastëku gjatë gjumit është i rëndësishëm. Në mënyrë që të shmangen dëmtimet e cervikales apo kolonës, duhet zgjedhur një jastëk i përshtatshëm.
Mania për të pastruar
Pastërtia si ajo laboratorëve shkencorë në ambientet e shtëpisë e ka ekspozuar njeriun ndaj një sërë alergjish. Në dhjetëvjeçarët e fundit është regjistruar një rritje e numrit të alergjive, sidomos te fëmijët. Mes shkaqeve mendohet të jetë edhe mania për pastërtinë në shtëpi. Nëse gjatë muajve të parë të jetës, një fëmijë mbahet në një ambient steril, sistemi imunitar i tij rrezikon të përballet me alergjitë e llojeve të ndryshme. Madje disa studiues mendojnë se pikërisht të jetuarit në ambiente të tilla me sterilitet maksimal mund të jetë shkak për sëmundje të tjera të rënda të sistemit imunitar, si skleroza e shumëfishtë. Pavarësisht se kjo nuk është provuar ende shkencërisht, thëniet e gjysheve se “pak rrëmujë nuk bën dëm” duket se nuk janë pa baza.