Për të përuruar 200 vjetorin e G. Verdit, kompozitorit emblematik italian lindur në tetor të viti 1813 në një province të Parmës, « Rigoletto » ishte në krye të afisheve të programit të vitit 2013 për Operën e Zurich-ut, me një koncept krejt të ri regjisorial e modern, vënë në skenë nga Tatjana Gürbaca, nën drejtimin muzikor të Fabio Luisi-t. Tre solistët protagonistë të kësaj shfaqeje që ngjalli interesin më të madh të mediave dhe publikut, ishin tenori Saimir Pirgu (Duka i Mantoves), sopranoja Aleksandra Kurzak (Gilda) dhe baritoni Quinn Kelsey (Rigoletto).
Kompozuar në vitin 1851 brënda 40 ditëve, opera « Rigoletto » i përket triptikut gjenial verdian të periudhës së pjekurisë krijuese të autorit, së bashku me « Trovatoren » dhe « Traviaten ». Libretisti i tij, Francesco Maria Piave u mbështet në dramën e Victor Hygo-së « Mbreti zbavitet », premiera e së cilës u shfaq në « Komedinë Franceze » në nëntor të vitit 1832 dhe u ndalua menjëhere të nesërmen nga çensura, për shkak se historia prekte direkt mbretin e Francës dhe oborrin e tij. Me gjithë përpjekjet e Viktor Hygo-së për rehabilitimin e vepres, drama nuk e pa më dritën e skenës. Nga ana tjetër, Verdi dhe Piave, për t’i shpëtuar çensures se autoriteteve austro-hungareze në Italine e asaj periudhe, u detyruan ta çvendosin aksionin dhe personazhet e Hygo-it ne pallatin dukal të Mantovës.
A ishte thjesht vetëm zbavitja?
A ishte thjesht vetëm zbavitja dhe kënaqësia estetike e spektatorëve për të cilën kishin menduar më parë Hugo-i e pas tij, Verdi et Piave? Apo mos ndoshta, përtej emocioneve të muzikës sublime, tekstit të saj e mbas të qeshurës groteske të personazheve, të bëhej një reflektim serioz mbi abuzimin e pushtetit absolut, që kjo të ngjallte tek njerëzit revoltën kundër padrejtësisë së kushteve sociale në të cilat ndodheshin?
Në qoftëse Hygo, Piave dhe Verdi zgjodhën ta vendosin intrigën në të kaluarën, a do të ishte legjitime sot të aktualizohej vënia e saj në skenë, për të përcjellë një mesazh të ri, bashkëkohor e shumë të dobishëm për shoqërinë? Viktor Hygo zgjodhi oborrin e Francës, Piave e Verdi pallatin dukal të Mantovës, ndërsa producentët e Zurich-ut e rivendosën kësaj here historinë në një kontekst krejt tjetër, në ditët tona, ne tryezën e nje Parlamenti modern apo të një keshilli ministrash, në një vend ku pushteti është absolut vetëm në duart e një personi të vetëm, i cili rrethohet nga një bandë servilesh, indiferentësh, frikacakësh e sahanlëpirësish, që bëhen institucioni i përligjur i një krimi që më pas bie pamëshirshëm mbi kokat e tyre.
Për të qënë e suksesshme vënia moderne në skenë e një vepre madhore si Rigoletto, që përcjell prej dy shekujsh mesazhe të mëdha, kërkon një analizë të thellë jo vetem për t’i nxjerrë në pah idetë e saj, por mbi të gjitha, për t’i ruajtur e përcjellë ato gjithnjë e më aktuale për publikun. Gjetjet e reja regjisoriale mund të shërbejnë që përveç aspektit estetik, artistik apo historik, ato të përcjellin edhe mesazhe të mëdha në shërbim të shoqërisë. Të modifikosh apo të kundërthuash gjëra të përcaktuara më parë prej autorëve, është një demarsh që mund të justifikohet vetëm me arsye tepër të forta dhe me gjetje regjisoriale të ralizuara në mënyrë të përsosur, duke prezervuar nga ana tjetër, të gjitha diferencat dhe statusin social të personazheve.
Pse pikërisht këtë kryevepër
Pse zgjodha pikërisht analizën e kesaj kryevepre të lirikës, për të folur për një nga sukseset e kohëve të fundit të tenorit shqiptar me famë boterore, Saimir Pirgu ? Jo sepse ky ishte produksioni më i rendesishëm i vitit për të, pasi axhenda e tij e 2012-tës përfshin bashkëpunime me emra të mëdhenj si Franco Zeffireli, Riccardo Muti, Nicolaus Harnoncourt, Philippe Jordan, etj. ; skena të mëdha si Arena e Veronës, operat shteterore të Vienës, Berlinit, Parisit, Barcelonës, San Franciskos, Buenos Aires…por sepse në këtë prodhim të ri të Operës së Zurich-ut kishte një mesazh të veçantë që u përcoll tek publiku i gjerë permes skenës ; mesazh që ngjalli shume debate, duartrokitje dhe kundërshtime, shkrime e artikuj, intervista dhe emisione televizive.
Opera, sipas kritikës së nesërme, ishte e përfshirë totalisht nga sharmi i 3 solistëve kryesorë, Saimir Pirgut, Aleksandra Kurzak e Quinn Kelsey, të cilët i transmetuan publikut emocione të mëdha nëpërmjet vokalit dhe lojës mjeshtërore, ku ndërthureshin njëkohësisht pafajësia, mashtrimi, tradhëtia, mallkimi dhe pamundësia e mbrojtjes prindërore. Vendojsa e ngjarjes në kohët moderne, i dha ngjyra të reja tre personazheve kryesorë, krejt ndryshe nga ç’jemi mësuar t’i shohim më parë, duke evidentuar edhe më shumë anën vokale, e cila ishte mbulesa më e mirë e dekorit pothuajse të zbrazët skenik.
Pak atmosferë nga salla
Notat e para të uverturës tragjike të operës krijuan në salle një gjëndje të akullt. Është pikërisht momenti kur spektatori nis të reflektojë mbi atë që do të ndodhë më pas. Një histori e dhimshme, ku Verdi alternon lotët dhe të qeshurën me një forcë krijuese të pa parë deri atëherë ; me një personazh të një personaliteti të dyfishtë : atë të një gungaçi qe ka humbur gruan e është i detyruar te mbijetojë duke bërë kllounin e paskrupullt pranë një arisokrati të ri e mizor, e nga ana tjetër, atë të një babai të dhimsur për vajzën e tij të vetme, që për shkak të frikës, e detyron të jetoje e izoluar midis kishës e shtëpisë së saj…
Perdja hapet dhe spektatorit i vret sytë drita gri e një skene pothuajse të boshatisur, mbi të cilën ndodhet vetem një tryezë e madhe dhe e gjërë, rrethuar me karrige të rënda, e cila do ta mbushë dekorin e operës deri në mbarimin e aktit të tretë e të fundit të saj.
Ç’të jetë valle kjo tryezë ku qëndron i ulur me kapadaillëk një burrë i ri e i bukur, arrogant në pamje e me këmbët sipër saj ? Kush janë vallë ata burra që turren të zenë vend nëpër karriget përreth, duke bërë kujdes të mos e shqetësojnë padronin e ri ?! Pallati lluksoz i Dukës së Mantovës është zëvëndësuar me këtë tryezë të zbrazet ku gatuhet një zullum i ri, modern e bashkëkohor, ku duket se luhen kartat e politikës së një vëndi pa emër por që çuditërisht e njohin të gjithë.
Duka i Mantovës dhe Rigoleto
Duka i Mantoves, në këtë rast nuk është më aristokrati i rrethuar nga lluksi i shfrenuar i pallatit dukal, por një personazh i nje epoke tjetër ; i sigurt e arrogant, ndoshta ministër apo kryetar parlamenti, ai rrethohet nga vartës të përulur e servile, përqark një tryeze ku gatuhen marrëzitë, intrigat dhe krimet më të mëdha ndaj viktimave të shoqërisë.
E Rigoletto ? Është e pamundur të kërkosh një bufon në shekullin e XXI apo një figurë analoge me të. Ai nuk është më bufoni gungaç e zbavitës, por një njeri i rëndomë në pamje ; një zyrtar që nuk qesh, një servil i padronit të tij që shtyp e dhunon në emër të pushtetit absolut çdo vlerë njerëzore me arrogancë e ligesi, duke nënshtruar pa mëshirë kundërshtarët e patronit të tij.
Me një zë të bukur, herë të fuqishëm e here melodioz, tenori Saimir Pirgu shpalos nëpëmjet një loje aktoriale të rrallë, tiparet e një Duke arrogant, më të paskrupullt, më mizor e më imoral se kurrë. Epshet e papërmbajtura të këtij padroni të ri duket se nuk kanë më asnjë kufi. Të duket sikur Pirgu e njeh mirë këtë personazh dhe loja e tij rrjedh natyrshëm, duke mos e lënë indiferent spektatorin në salle. Si në aktrim, ashtu edhe në nuancat më të holla vokale, shpaloset oreksi i madh i një diktatori në pushtet për aventura të shfrenuara, të cilat e implikojnë gjithnjë e më shumë në ndërmarrje të mynxyrshme e imorale, të mbështetura nga vartësi i tij Rigoletto. Zëri i Pirgut kapërcen me mjeshtëri regjistra të ndryshëm emocionalë, duke nisur nga lirika e arieve, duetit dhe kuartetit, në elegancën e këngës « La donna e mobile » e deri në tonet më të larta të të aktit të dytë.
Ndërkohë, Rigoletto jeton në çdo moment me ankthin e mallkimit për gjuhën e tij të pamëshirshme ndaj viktimave të së shkuarës. Në fund të operës, mallkimi bie mbi Gildën, vajzën e tij të vetme, këtij thesari që ai e kishte kultivuar me xhelozinë më të madhe, larg botes së pamëshirshme të krimit dhe vesit. Gilda do të ishte njëkohësisht dobësia dhe ndëshkimi i tij. Ashtu si edhe viktimat e tjera, ajo do të ndiqej prej Dukës, për t’u rrëmbyer më pas me dorën e vetë Rigoletto-s, që beson në rrëmbimin e një tjetër vajze të re. Gilda zgjedh të vdesë vetë nga dora e vrasësit që kishte paguar babai i saj, për të shpetuar Dukën, njeriun që aq pafajësisht i fali dashurinë e saj.
Por edhe në këtë rast nuk do të jetë Sparafuçile ai që do ta kryejë vrasjen, si në çdo version tjetër të mëparshëm të kësaj opere. Vrasësi me pagesë nuk ka më armë në dorë. Në këtë rast, ai është vetëm një spektator apo një dëshmimtar i një krimi kolektiv ; ose më mirë, një gjyqtar që e pranon krimin dhe e vret viktimën për herë të dytë me indiferencen e tij. Në krah të tij qëndrojnë obortarët, deputetët apo ministrat, kjo turmë qorre që s’sheh më larg hundës së vet, por që përpiqet të përfitojë ofiqe duke i shërbyer një padroni të egër e barbar, që here i shtyp e here qesh me përulësinë e tyre. Ky grup njerëzish parazitë që qëndrojnë të palëvizur deri në fund të operës, indiferentë dhe të ftohtë përpara tragjedisë që zhvillohet përpara syve të tyre, është pa dyshim institucioni i vërtetë i krimit që mban diktatorin në pushtet ; janë varrëmihësit e shoqërisë që u dha mundësinë dhe fuqinë për të qëndruar rreth asaj tryeze zullumi ; janë tehu i thikës që nesër do të ngulet në gjoksin e fëmijëve të vet !
Treshja Pirgu-Kurzak-Kelsey
Shfaqja u duartrokit gjatë për lojën brilante të treshes Pirgu – Kurzak- Kelsey. Solistët ishin ne një formë skenike dhe vokale të shkëlqyer, e cila u dallua edhe në duetet dhe kuartetin final, një nga faqet më të bukura të muzikës operistike botërore, per të cilin Viktor Hygo është shprehur : «Edhe unë, po të kisha patur mundësi t’i bëja të flisnin në të njëjtën kohë katër personazhe, që publiku të kuptonte fjalët dhe ndjenjat e tyre të kundërta, ashtu si Verdi në këtë kuartet, do të kisha korrur të njëjtin sukses ».
Duartrokitje frenetike e shoqëruan përfundimin e premieres së Rigoletto-s në 3 shkurt të këtij viti në operën e Zurich-ut. Duartrokitje, mes të cilave u ndjenë aty-këtu edhe zëra kundërshtarësh, që më pas u mbytën nga ovacionet e publikut. Ishte një shfaqje e re që na bëri të gjithëve ta « ri-duam » këtë perlë të trashëgimisë boterore të lirikës.
Ndërsa mua, artistes që kishte kaluar rininë nën prangat e një rregjim totalitar, ku ishte e ndaluar çdo liri e shprehjes dhe e mendimit të lire, më erdhi nëpër mënd pyetja : A do ta kishte lejuar çensura e nje vendi jo demokratik kete produksion te ri te « Rigoletos 2013 »? Edlira Dedja
*********
“Rolin e Dukës e njoh mirë, por kësaj here ishte ndryshe për shkak të regjisë”
INTERVISTË / Midis Opernhaus-it të Zurichut dhe Metropolitan-it te Neë York-ut. Flet tenori i njohur shqiptar Saimir Pirgu
Intervistoi Edlira Dedja
Mbas shfaqes, patëm kënaqësinë të takohemi me miq të shumtë që kishin ardhur nga larg për të duartrokitur tenorin Saimir Pirgu. Ishte violinisti i njohur shkodran Paçalin Pavaci (koncertmaester ne orkestren e teatrit « Petruzzelli » ne Bari) dhe bashkëshortja e tij, pianistja Carmen Santoro, që kishte punuar për vënien në skenë të « Rigoletto-s » në krah të dirigjentit Fabio Luizi. Më pas u bashkuan me ne sopranoja e njohur Inva Mula ma bashkëshortin, që këtë muaj do të këndojë në të njëjtën skenë rolin e Mimi-së (« La Bohème »), sopranoja më e re, Evis Mula, gazetarja e BBC në Londër Mirela Shtëmbari, studentë shqiptarë në Universitetin e Zurich-ut e miq të tjerë.
Desha të veçoj, me këtë rast, edhe takimin me tenorin e njohur italo-francez Roberto Alagna, i cili e vlerësoi maksimalisht lojën e Saimir Pirgut, duke e krahasuar me një tenor, të cilit i buron drita nga buzët kur këndon.
Duke përfituar nga rasti, munda t’i shkëpus edhe këtë intervistë të shkurtër tenorit Saimir Pirgu, i cili menjëherë pas Zurich-ut do të niset për në Metropolitan Opera të Neë Yorkut, ku do të këndojë në krah të Placido Domingos Alfredon, në « La Traviata ».
Pyetje: Ditën e dielë patët suksesin e rradhës me premierën e prodhimit më të ri të operës së Zurich-ut, « Rigoletto »-n e G. Verdit. Pati shume artikuj, emisione televizive ku interpretimi juaj është vlerësuar maksimalisht si për anën vokale, interpretimin aktorial, ashtu edhe për frymën e re që i dhatë rolit te Dukes, në kuadrin e nje regjie moderne, të konceptuar krejt ndryshe nga ç’jemi mesuar ta shohim më parë. Çfarë mund të na tregoni për këtë përvojë të re ?
Saimir Pirgu : Këtë herë, për mua ka qënë tepër e vështirë të interpretoj rolin e Dukës së Mantovës, të cilin unë e njoh prej vitesh dhe e kam interpretuar shpesh në skena të mëdha. Kjo vështirësi vinte për shkak të një regjie të re dhe eksperimentale të konceptuar nga regjisorja Tatjana Gürbaca. Te luash një rol që ke kenduar dhe aktruar disa here, në një skenë pothuajse të boshatisur, të ftohtë, vetem me një tavolinë e disa karrige, shton pergjësinë e solistit për të dhënë shumë më tepër se ç’është mësuar më parë. Desha të shtoj se kostumet e reja, të cilat na dhane një identitet të ri në skenë, e vështirësuan edhe më shumë interpretimin e rolit. Më është dashur të ndryshoj çdo lëvizje convezionale të Dukëve të mëparshëm, për t’ju përshtatur vizionit te ri.
Pyetje: Çfarë përfaqësoi viti 2012 në karrjerën tuaj dhe kush janë bashkëpunimet më të rëndësishme dhe eksperiencat më unike të vitit që latë pas ?
Saimir Pirgu : Ka qënë vit shumë i suksesshëm, me shumë interpretime të reja e bashkëpunime me dirigjentë të rëndësishem, nga të cilat dua të veçoj : Requiem-in e Berlioz-it, me të madhin Riccardo Muti ne Festivalin e Salisburgut. Po ashtu, koncertet me Nikolaus Harnoncourt ne Styriarte Graz. Pastaj suksesin e operës « Bohème » të Puccini-t në Barcelonë me sopranon Angela Gheorghiu, debutimin tim ne Arenën e Verones me operën « Don Giovanni » të Mozart-it, me regjine e Franco Zefirelli-t ; perseri me Riccardo Mutin ne Teatrin gjigand të ne Buenos Aires, duke mbyllur vitin ne teatrin « La Fenice » të Venezia-s, me koncertin tradicional të Vitit te Ri, trasmetuar me mondovision në 47 shtete të botes. Pra, mud ta quaj një vit tepër të ngjeshur me punë, por njëkohësisht edhe me sodisfaksione të mëdha.
Pyetje: Si e shikoni Saimirin e dhjetë viteve më parë me Saimirin e viti 2013 ?
Saimir Pirgu : Saimiri i vitit 2003 ishte student me ëndrra e shpresa të mëdha për jetën, që sapo kishte fituar 2 konkurse të mëdha operistikë, të cilët i mundësuan autofinancimin e tij për të ndjekur audicionet e teatrove të ndryshëm, të cilat do ta çonin më pas në dyert e operës shtetërore të Vjenes, ku në 30 prill 2003 do të debutonte për herë të parë me operan « Elisir D’amore » të Donizetti-t. Pra, 10 vjet më parë, Saimiri këndonte në operën e Vjenës, si i riu më premtues. Ndërsa sot, Saimiri kthehet ne Vjenë mes publikut të tij që e pret me kuriozitet, për të parë se çfarë të reja do të sjellë Pirgu këtë vit.
Pyetje: Çfarë përfaqëson për ju kalendari i vitit 2013 në planin profesional ?
Saimir Pirgu : Përgjegjësi për të arritur me perkushtim rezultatet që tashmë publiku nderkombëtar pret prej meje. Për mua është gjithmonë një sfide e re interpretimi i roleve që kendoj. Ndodhesh gjithnjë në shënjestër të kritikës së spektatorit dhe mediave. Mbasi për ta nuk je më tenori i ri i dikurshëm, por je Pirgu tashmë i njohur, tek i cili, të gjithë presin profesionalizëm të lartë në interpretim dhe përsosmëri vokale. Pra, çdo dite e më tepër, për mua shtohet përgjegjësia për t’i kënaqur këto aspetativa të publikut.
Pyetje: Si e prisni bashkëpunimin e muajve mars-prill 2013 me një nga ikonat e lirikës nderkombëtare, Placido Domingon në Metropolitan Opera të Neë Yorkut ? A është e rastësishme që ai ju ka zgjedhur pikerisht në krah të tij si « Alfredo » (rol te cilin ai e ka interpretuar dikur me shumë sukses), duke kenduar perballe jush rolin e Germonit plak ? Mos ndoshta kjo zgjedhje është edhe një mesazh per spektatorin dhe kritikën në lidhje me pozicionin tuaj në elitën e tenorëve të kohës ?
Saimir Pirgu: Këtë herë nuk kam qënë zgjedhur drejpërsëdrejti nga Domingo, por ka qënë Metropolitan Opera e Neë York-ut si dhe ideja e drejtorit te saj Peter Gelb, e cila ka bërë zgjedhjen dhe e ka mundësuar këtë kast solistesh. Domingo në këtë prodhim të ri të « Traviatës » ndodhet në pozicionin e solistit, ashtu si dhe unë. Sigurisht, pa miratimin e tij kjo gjë nuk mund të ndodhte. Placido Domingo ka qene drejtor i operës në Los Angeles dhe më ka ftuar disa herë të këndoj në atë teatër, por kënaqësia ime e veçantë është se kësaj here, do të jemi koleg në të njëjtën skenë me të, aq sa nuk me besohet !? Më duket ende e çuditshme që do të këndoj në krah të të madhit Domingo, edhe pse nuk është hera e parë. Më kujtohet ende viti 1995, kur isha vetëm një adoleshent që nuk e kisha idenë e operës dhe ndiqja me kenaqësi koncertin e tre tenorëve në Rai 1… E pas një muaji do të gjindem në Metropolitan opera Neë York me Placido Domingon, në vënien e re në skenë të operës më të famshme në bote, « Traviatës », ku ai do të lozë rolin e babait të Alfredos, plakut Germont…. Nuk di nëse do të dëshiroja më tepër ndonjëherë !
a do ta lejonte saliu cfaqjen e rigoletos modern ne tirane
kur ka ngjashmeri me regjimin berishjan
Neqoftese do te pyetej JO.
A mund ta di pse në gazetë nuk është vendosur emri i artikullshkruesit?
Pasi këtë shkrim e kam përgatitur dhe dërguar unë në Tiranë (jo për gazetën tuaj) e më vjen çudi ta shoh të botuar tek ju pa e përmëndur as emrin!?
Ju lutem ta korrigjoni menjeherë kete keqkuptim, nëse eshte i tille.
Edlira Dedja
Rigoleto 2013 – Trailer (filmim i permbledhur)
http://www.youtube.com/watch?v=_leV2xeUHP0