Që nga miratimi i Pendleton Act, njëri ndër ligjet më të vjetra dhe të civilizuara për administratën publike, ndryshimet politike janë shoqëruar nga avazi i ndryshimeve administrative. Ky avaz bie prej vitit të largët 1883, kur Kongresi amerikan miratoi ligjin e mësipërm, e deri sot. Madje edhe administrata realisht meritokratike, në kohë ndryshimesh ndodhen para sfidash e risqesh. Por trupat adminstrative në vendet e qytetëruara nuk janë të mbrojtura thjesht dhe vetëm nga ligji. Parzmorja e vërtetë e tyre është kultura meritokratike e shoqërisë.
- Tam-tamet për 13 mijë persona
Të punësuarit në sektorin shtetëror në Shqipëri zënë pjesën më të vogël të të punësuarve të vendit. Sipas burimeve zyrtare, ata nuk shkojnë më shumë se 165 mijë persona ose 15 përqind e forcës së punës. Nëpunës të të gjitha rangjeve janë rreth 90 mijë, pra më pak se 10 përqind e 935 mijë të punësuarve. Ndërsa në nivele drejtuese administrative qendrore e lokale janë rreth 13 mijë persona. Tam-tamet bien kryesisht për këta të fundit. Këto muaj të parë të ndryshimeve në qeverisje janë shoqëruar nga jehona, ankime, presione, pse jo edhe ndryshime në administratën publike të vendit. Këto ndodhi mund të shihen nëpërmjet pasqyrash të ndryshme.
- “Teleskopi” i opozitës
Po e filloj me pasqyrën e opozitës. Udhëheqësit apo zëdhënësit e saj kanë vënë në sy një teleskop dhe në pamjet e kësaj tejqyre partiake duket sikur po bëhet hataja! Po hiqen nga puna njerëzit e mësuar, specialistët me përvojë, ushtarët e shtetit! Dikush thotë një mijë, dikush dy mijë, një tjetër katër mijë! Demokratët ankohen se po i kalojnë në listën e pritjes! Ajo që bie në sy nga kjo “hata” është se partiakët (e të dy palëve) i shohin episodet me gjak të nxehtë dhe nga plateja. Ata flasin emocionalisht, sjellin raste, bëjnë krahasime, heqin paralele, nxjerrin përfundime. Por duke qenë në plate dhe duke gjykuar politiko-emocionalisht, është shumë e lehtë të gabosh. Galeria dhe ballkoni të bëjnë më të kthjellët. “Galeria” dhe “ballkoni” janë një metaforë e distancës dhe pavarësisë në gjykimin e ngjarjeve të ditës.
- “Plateja” e shumicës
Por teleskopët e opozitës nuk shohin çfarë ndodh në kampin e fitimtarëve. Të rrijmë shtrembër dhe të flasim drejt, presioni më i madh ndaj qeveritarëve të rinj nuk vjen nga opozita. Presioni opozitar është më i dukshmi dhe potere-bërësi, por jo më i forti. Presioni i vërtetë, para të cilit ndodhet qeveria, vjen nga një milionë votat, një milionë shuplakat, një milionë shpresat. Quajini si të doni. Nuk është as lajm, as ndonjë mëkat po të themi që një përqindje jo e vogël e votuesve të kësaj shumice kërkojnë një vend pune. Kjo është gjendja e punëve në Shqipëri dhe këtë nuk e ndryshon dot as kjo shumicë e re dhe energjike. Thashë më lart që njëqind demokratë ankohen se kaluan në listën e pritjes. Por dhjetë mijë socialistë, të shkolluar e të kualifikuar, ankohen se as kanë qenë, as kanë shpresë të hyjnë ndonjëherë në listat e nëpunësve të shtetit. Unë po ndaloj për një çast në platenë e socialistëve. E dini ç’dëgjova duke ndejtur në këtë plate? Po e jap në ligjëratë të drejtë atë që më tha një burrë në lule të moshës, ish punonjës dhe specialist i vlerësuar, në një nga ministritë e Shqipërisë: “Kam gjithë jetën socialist, kam dhënë gjithshka kam mundur për fitoren e partisë sime dhe tani që ajo fitoi, mua më hoqën nga puna. Dy kolegë të mi, demokratë, por jo profesionistë më të mirë se unë, nga specialistë, u bënë drejtora”! Pse nuk e drejtoni teleskopin edhe nga ky specialist socialist, që përfundoi në listën e pritjes?
- A janë nëpunësit tanë savantë publike jopolitikë?
Vështirë të thuash Po. Kemi jetuar në këtë vend edhe para 23 qershorit 2013, edhe para 28 qershorit 2009, edhe para 3 korrikut 2005. Kemi parë jo vetëm në periudha fushatash, por edhe në kohë të qeta gjithfarë zyrtarësh, punonjës të shërbimit civil të rangjeve të larta, jo të votuar, jo të mandatuar, që janë krekosur nëpër tribuna politike duke sulmuar opozitën. Për të qenë korrekt, opozitat. Pa pasur asnjë detyrim institucional për ta bërë këtë, përveç urdhërave të shefave. Nëpunës të tillë civilë janë vetë-politizuar dhe kanë shkelur me të dy këmbët statusin e nëpunësit civil. Dhe në kohë ndryshimesh ose i kanë tundur këto shfaqje si merita në vend të performancës së varfër, ose janë bërë lolo nën këmbët e shefave të rinj. Le ta gjykojnë vetë nëse mund të quhen apo jo savantë publikë!
- Rekrutimet aktuale: proces dhe interes më i madh publik
Nuk mund të mohohet që ndryshimet politike janë pasuar nga ndryshime në administratë. Disa sektorë nevralgjikë të qeverisjes kërkojnë, përveç vizionit dhe programit të ri, edhe burime të reja njerëzore. Në disa institucione nuk mjafton vetëm ndryshimi i drejtuesve politikë. Nevoja imponon edhe zëvëndësime të rangjeve të caktuara. Në nisje të këtyre ndryshimeve bien në sy disa praktika të reja: thirrje publike për të aplikuar, një zgjerim i konkurseve, dëgjesa publike të kandidatëve për poste publike, ku shprehen platformat institucionale, pjesëmarrje dhe akses i grupeve të interesit në vendim-marrje, vëmendje më e madhe publike për proçeset e rekrutimit, hapje e institucioneve ndaj aplikantëve jopartiakë (në selitë e dy partive kryesore të qeverisjes janë parë dhe intervistuar mjaft anëtarë dhe simpatizantë të opozitës) etj. Këto dukuri të reja në proçesin e rekrutimit të burimeve njerëzore nuk është se kanë shkuar si në vaj dhe i kanë dhënë hakun secilit. Sidoqoftë, mundësitë janë bërë më të shumta, aksesi më i madh dhe shkalla e gabimit më e vogël.
- Vulnerabilitetet e ligjit dhe të procesit
A ka difekte proçesi i sotëm i rekrutimit? Pa asnjë dyshim. Një pjesë e tyre lidhen me vulnerabilitetin e ligjit për shërbimin civil. Ligji është vlerësuar i mirë dhe mund të jetë i tillë. Por ai ka një kontradiktë të madhe, që nuk e kanë ligjet e tjera të shërbimit civil në vendet e qytetëruara. Mbrojtja e nëpunësve civilë është maksimale; ata mund të ikin nga vendet e punës vetëm nëse lajthisin ose dëshirojnë vetë. Por ligji nuk parashikon mekanizma funksionalë për të numerizuar performancën e tyre. Proçeset e vlerësimit janë tepër formalë dhe evazivë. Por edhe proçesi përmban elemente të vjetëruar. Për shembull, a shkon sot që në publikimet për vende të reja pune të përmenden si kërkesë dëshmia e kompjuterit? Kur aplikantët, duke qenë të paktën studentë, e kanë bërë këtë standard të vjetërohet? Në kushtet kur një e treta e aplikantëve vjen nga universitete të huaja, a ka kuptim tu kërkohet paraqitja e dëshmisë së gjuhës? N. është diplomuar në Princeton për Politika Publike, por nuk ka as dëshmi kompjuteri. Kur dihet që detyrimet mësimore në shumicën e universiteteve perëndimore shlyhen online. Nuk ka as dëshmi anglishteje. Sepse TOEFL ka vlerë vetëm për dy vjet dhe ligjërisht nuk mund të paraqitet si dëshmi pas diplomimit. Për pasojë, ata janë të detyruar të blejnë dëshmi nga shërbimet përkatëse private. Në këtë mënyrë, praktikat e sektorit publik nxisin artificialisht informalitetin në tregun privat. Për të mos thënë që një pjesë e pozicioneve të rangjeve të ulta, kërkojnë disa vite përvojë pune, duke përjashtuar automatikisht nga proçesi studentët e sapodimplouar. Një pjesë e të cilëve janë ekselentë të universiteteve prestigjioze. Proçesi ka gjithashtu edhe mjaft paradokse të tjera, të cilat është koha të rishikohen. Por për të riparuar këto, duhet të mos gjykojmë nga plateja.
O Brajaba, keto jane leksione or mik, shqiptaret duan te din se kur do futen ne pune, sodomos spocialistet qe u maskaruan ne protesta e ne varferi. gjersa fitoi PS, nuk ka diskutim qe duhet te futen socialsitet ne pune, keshtu ndodh ne cdo0 pushtet ne bote, futen ne pune ata qe kane partin ne pushtet
”Pallati i kotesirave ,, !!!
Si ju ra kostumi qe e[bleve] ne USA.
Edhe IELTS skadon per 2 vite, prandaj le te japin Toeic.