Derisa çështja e pronësisë në vendin tonë të mbetet pa zgjidhur, ky vend nuk do të mund të bëhet. Do të duhen dekada që toka t’i shkojë të zotit, por kur skandalet thellohen nga pushtetarët që abuzojnë në emër të ligjit, nuk do të shkojë dot gjë në vendin e duhur. Shkeljet më të fundit janë vërejtur gjatë procesit të verifikimit nga prefektura e Tiranës e ku për këto është kërkuar një hetim i thelluar tashmë nga organet gjyqësore. Janë mbi 2 milionë metra katrorë tokë shtetërore që janë dhënë në mënyrë abuzive nga zyrtarët e kaluar, kur referuar ligjit 7501, në emër të të cilit janë dhënë, toka pa fryt, ranishte apo pyll është jashtë juridiksionit të tij. E po në emër të tij janë përjashtuar pa shkak shumë familje nga trajtimi me akte duke qenë subjekt të ligjit 7501, ndërkohë që e posedonin tokën bujqësore prej 20 vjetësh. Të gjitha këto kanë çuar në një iniciativë konkrete të prefekturës së Tiranës për të hetuar mbi bregdetin e dhënë në mënyrë abuzive dhe shtrirjen e kësaj iniciative në të gjithë bregdetin shqiptar.
Abuzimet me pronat në bregdet, emrat e personave që humbasin tokën
Ajo që ka ndodhur nga vetë shteti në këto 20 vite me pronën është krejt e paimagjinueshme. Toka të cilat kanë qenë shteti janë ndarë nga zyrtarë lokal si mall pa zot. Më e theksuar kjo është në zonat bregdetare dhe turistike ku lakmia për të pasur një tokë është më e madhe. Një raport i Komisionit Vendor ngritur pranë Prefektit të qarkut Tiranë ka zbuluar manipulime dhe mashtrime me tokat nga më të ndryshmet. Në raport janë konstatuar disa problematika të cilat nisin nga mos respektimi i ndarjes sipas normës për frymë për çdo fshat deri te fakti që kanë marrë pronë edhe persona që nuk janë fare subjekt i ligjit 7501, nuk kanë qenë banorë të fshatrave, kooperativave bujqësore apo ndërmarrjeve bujqësore në të cilën kanë marrë tokën. Po ashtu janë përjashtuar pa arsye shumë familje nga trajtimi me aktet duke qenë subjekte të ligjit 7501 ndërkohë që e posedojnë tokën bujqësore prej 20 vitesh. Janë konstatuar mbi vendosje midis akteve të marrjes të tokës në pronësi me vendime të Komisionit të të Kthimit të Pronave në vite, etj.
Problematika në zonat turistike
Në zonat turistike janë ndarë si toka bujqësore sipërfaqe toke të cilat figurojnë në zërin kadastral ti tokë pa fryt, pyll dhe sipërfaqe ranore në vitin 1991. Konstatohet se sipërfaqe të mëdha toke buzë detit në zonat turistike nga Komuna Gosë deri në komunën Golem janë ndarë sipas ligjit 7501 në kundërshtim flagrant me ligjin vetëm për arsye abuzimi. Në shumë raste subjekte të caktuara janë pajisur me 2 ose më shuam akte të marrjes së tokës në pronësi në kohë të ndryshme. Prefekti i Tiranës Sadi Vorpsi ka çuar për ndjekje penale disa zyrtarë lokal të cilët kanë abuzuar me pushtetin. Pritet që në ditët në vijim të ketë edhe shtetëzime të tjera të pronave që janë dhënë në mënyrë abuzive. Mësohet se një pjesë e këtyre prona që po shtetëzohen do të përdoren për kompensim për ish pronarët.
Në këtë zonë janë konstatuar edhe këto problematika:
- Nga verifikimi i përgjithshëm i të gjitha akteve të marrjes së tokës në pronësi në fshatrat përkatëse, ka rezultuar se ka shumë familje që janë mbi normë për frymë, domethënë kanë marrë tokë më tepër nga sa duhet të merrnin në momentin e ndarjes së tokës sipas kritereve të vendosura nga ligji 7501, datë 19.07.1991 “Për tokën”.
- Është ndarë tokë nga territori i një fshati në një fshat tjetër, nga komisione të ndryshme në kundërshtim me ligjin me qëllime përfitimi. Kryesisht në këto raste konstatohet se janë përfituar sipërfaqe në zonën PYLL dhe ranishte pranë bregut të detit.
- Janë lëshuar AMTP (akte të marrjes së tokës në pronësi) për persona qe nuk kanë qenë subjekt i ligjit nr 7501 dt 19.07.1991 “Për tokën”, nuk kanë qenë banorë të fshatrave në kooperativën bujqësore apo në NB respektivisht me datat 01.08.1991 dhe 01.10.1992.
- Për aktet e lëshuara nga komisionet e tokës brenda territorit të NB-ve në zbatim të VKM nr. 161 nuk janë të administruara dokumente që vërtetojnë pronësinë e vjetër me të cilat kanë dorëzuar tokë për themelimin e NB-ve.
Zyrtarët që janë çuar për ndjekje penale
Për çdo vendim shfuqizimi në rastet e pavlefshmërisë së aktit bashkëlidhet një kallëzim penal. Konkretisht janë kallëzuar penalisht: 1. Idriz Thaçi në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Tokës në fshatin Vilë-Bashtovë, Komuna Gosë. 2. Myzafer Xhelili në cilësinë e përfaqësuesit të Rrethit Kavajë në Komisionin e ndarjes së Tokës Bujqësore në Komunën Gosë, 3. Tomorr Baballari, Përgjegjës i SAMT. 4. Ilir Kaja në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Tokës në fshatin Spille, Komuna Kryevidh. 5. Murat Ajdini, në cilësinë e Përfaqësuesit të rrethit Kavajë në Komisionin e Ndarjes së Tokës në Komunën Kryevidh.
Lista e personave që humbasin të drejtën e pronësisë në Komunën Kryevidh në Kavajë:
Lista e personave që humbasin pronën në Komunën Gosë:
- Osman Kokoshi – shfuqizim i plote 9 300 m2 (detyrimi per te paguar 1 404 300 lekë)
- Rruzhdi Gjoni – shfuqizim i pjesshem 2 000 m2 (kthimi shtet).
- Murat Gjoni – shfuqizim i pjesshem 2 000 m2 (kthimi shtet).
- Arif Shala – shfuqizim i pjesshem 5000 m2 (kthimi shtet).
- Sinan Shala – shfuqizim i plote 7 000 m2 (kthimin shtet)
- Gezim Pepa – shfuqizim i plote 6 600 m2 (kthimin shtet)
- Dashnor Dema –shfuqim i pjesshem 5 000 m2(kthimin shtet)
- Pellumb Gjoni – shfuqizim i pjesshem 4 200 m2 ( kthim shtet)
- Azem Dema – shfuqizim i pjesshem 1 500 m2( kthim shtet)
- Riza Saraci – Shfuqizim i plote 4 200 m2 ( kthimin shtet)
- Myzafer Xhelili – plote 4 200 m2 (kthim shtet)
- Rexhep Demiri –shfuqizim i pjesshem 5 000 m2 (kthimim shtet)
- Nazmi Sefa – shfuqizim i pjesshem 2 000 m2 ( kthimin shtet )
- Hamdi Dema – shfuqizim i pjesshem 2 000 m2 (kthimin shtet)
- Banush Demiri – shfuqizim i pjesshem 2 400 m2 (kthimin shtet)
- Astrit Gjoni – shfuqizim i pjesshem 1 000 m2 (kthimin shtet )
- Isa Thaci – shfuqizim i pjesshem 3 000 m2 (kthim shtet)
- Isa Shala – shfuqizim i pjesshem 1 400 m2 (kthimin shtet)
- Astrit Shehu – shfuqizim i plote 1 000 m2 (kthimin shtet)
- Jonuz Shala – i pjesshem 2 000m2 (kthimin shtet)
- Ndricim Thartori – shfuqizim i plote 1 400 m2 (kthimin shtet)
- Lireti Meleqi – shfuqizim i plote 3 700 m2 m2 (kthimin shtet)
- Hajrulla Kalo – shfuqizimin e plote 1400 m2 (kthimin shtet)
- Agron Dema – shfuqizimin e pjesshem 2 000 m2 (kthimin shtet)
Gjithsej 69.000 m2 (kthim shtet)
***
Prefekti i Tiranës: Hetim pronave me 7501 në bregdet
Prefektura e Tiranës ka nisur një hetim të thellë për tokën e bregdetit që është dhënë në mënyrë të padrejtë duke përdorur ligjin 7501 për tokën bujqësore. Prefekti i këtij qarku, Sadi Vorpsi në një intervistë për DITA, sqaron se përse ishte i nevojshëm ky hetim dhe se i ka kërkuar qeverisë shqiptare të shtyjë afatin e aplikimit të këtij ligji deri në vitin 2016. Gjer tani prefektura Tiranë gjatë procesit të verifikimit ka anuluar pronësinë e 55 personave të cilët e kane fituar pronën në mënyrë të padrejtë. Hetimi që do të shtrihet në të gjithë bregdetin shqiptar, pritet të çojë para drejtësisë zyrtarët që kanë abuzuar në emër të ligjit 7501.
Z. Prefekt, mund të na jepni një panoramë të përgjithshme të institucionit tuaj dhe konkretisht të Komisionit Vendor të Verifikimit të Titujve të Pronësisë dhe punës që po bëhet për verifikimin e këtyre titujve?
Fillimisht dua të sqaroj se Komisioni Vendor i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë pranë Prefektit të Qarkut Tiranë ( KVVTP ) e ushtron veprimtarinë e tij sipas ligjit nr. 9948, dt. 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” i ndryshuar, të Udhëzimit nr. 1, datë 13.01.2010 “Për mënyrën e verifikimit apo të shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokat bujqësore të ish-NB dhe të zonës së zhvillimit me përparësi turizmin” dhe akteve nënligjore në zbatim të tyre. Ligji i mësipërm parashikonte përfundimin e verifikimit të titujve të pronësisë në 31 dhjetor 2013, por pas konstatimit të problematikave të mëdha në fushën e pronësisë që prekte ky ligj, abuzimit të bërë me lëshimin e akteve të marrjes së tokës në pronësi nga ish-komisionet e ndarjes së tokës bujqësore dhe zgjidhjen që ofron zbatimi i këtij ligji, me iniciativën time të drejtpërdrejtë është shtyrë nga parlamenti afati i verifikimit të titujve të pronësisë deri më 30 qershor 2016. Puna konkrete e Komisionit Vendor konsiston në verifikimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë, kryesisht në rastet e parashikuara nga ligji, bazuar në elementë dhe kriteret ligjore që ka sanksionuar ligji nr. 7501, datë 19.07.1991 ”Për tokën”. Konkretisht verifikimi i subjekteve përfituese dhe sipërfaqet e tokave për të cilat ata janë pajisur me AMTP ( akti i marrjes së tokës në pronësi ).
Aktualisht cili është prioriteti i punës tuaj?
Në zbatim të bazës ligjore të sipërcituar dhe me urdhrin tim të drejtpërdrejtë Komisioni Vendor ka ushtruar kontroll në zonën e zhvillimit me përparësi turizmin që përfshin Qarku i Tiranës, konkretisht Komunat Kryevidh, Golem dhe Gosë. Nga puna voluminoze e mbledhjes dhe përpunimit të dokumentacionit, hetimit administrativ të edhe në bashkëpunim me institucionet e treta si p.sh. Departament Antikorrupsion, pranë Këshillit të Ministrave, ka rezultuar se ka pasur shkelje të mëdha ndër vite në procesin e ndarjes së tokës bujqësore sipas ligjit nr. 7501.
Komisioni Vendor është fokusuar aktualisht për shkak të numrit të madh të akteve në proces verifikimi kryesisht në sipërfaqet e tokave PF (pa fryt), pyll, ranishte të cilat ndodhen brenda zonës me përparësi zhvillimin e turizmit, konkretisht Komunat Kryevidh, Golem dhe Gosë, në mënyrë që të rivendoset e drejta e pronësisë së shtetit shqiptar mbi këto sipërfaqe. Në fshatrat e këtyre komunave kryesish afër vijës bregdetare si Spille, Rreth-Greth, Karpen, Qerret, Vilë-Bashtovë janë ndarë tituj pronësie në toka jo bujqësore në vijën e parë bregdetare, si pyll, ranishte, toka të pafrytshme. Mbi këto sipërfaqe kryesisht janë kryer transaksione në favor të të tretëve. Një pjesë e tyre figuron në pronësi të përfituesve gjë që mundëson kthimin e pronësisë në emër të shtetit. Konkretisht Komisioni Vendor po procedon fillimisht me shfuqizimin e akteve të cilat figurojnë në pronësi të mbajtësit të parë të titullit të pronësisë ( përfituesit me akt ), ç’ka sjell shfuqizimin e këtyre akteve dhe kthimin në pronësi shtet të këtyre pasurive. Për këtë qëllim, Prefekti i Qarkut Tiranë ka kërkuar pezullimin e veprimeve ( shitjeve, transkriptimeve ) nga ana e ZVRPP-Kavajë me qëllim shmangien e cenimit të pronësisë shtetërore deri në përfundimin e procedurave të shqyrtimit administrativ nga Komisioni Vendor. Aktualisht janë shfuqizuar dhe kthyer pasuri në pronësi shtet në zonën turistike brenda 2 muajve një sipërfaqe prej 132 600 m2. Ndërsa është kryer hetim administrativ mbi një sipërfaqe toke prej 2 milion m2 dhe është në proces shtetëzimi pas shkeljeve të gjetura. Në vazhdim të punës së sipërcituar Komisioni Vendor, pranë institucionit tonë ka në proces vendimmarrje edhe 150 akte të marrjes së tokës në pronësi (AMTP) për të cilat ka përfunduar hetimi administrativ dhe për të cilat në mbledhjen e ardhshme do të shprehet me vendim përfundimtar të arsyetuar sipas kërkesave procedurale të ligjit.
Mund të na sqaroni specifikisht se ku konsiston problematika brenda zonës turistike?
Problematika kryesore mbi të cilën është fokusuar Komisioni Vendor është ndarja e tokës jo bujqësore me akt të marrjes së tokës në pronësi, tokë e cila nuk mund të ndahej në asnjë rast dhe është pronësi ekskluzive e shtetit shqiptar. Prefekti të Qarkut Tiranë nga hetimi paraprak ka konstatuar se: vetëm në fshatin Spille është ndarë tokë me akt të marrjes së tokës në pronësi në parcela të caktuara ( 35, 37, 38, 178, 1, 65, 90 ) që kanë figuruar në zërin kadastral PF në datën 01.08.1991, në total 991 900 m2. Në fshatin Domen janë ndarë tokë me akt të marrjes së tokës në pronësi në parcelat 73 dhe 96 në total 390 000 m2. Në Komunën Gosë vetëm në parcelën 295 janë ndarë akte të marrjes së tokës në pronësi 600.000 m2. Këto sipërfaqe janë vetëm një pjesë e vogël e sipërfaqes e cila është duke u verifikuar nga Komisioni Vendor.
A do të verifikohen zona të tjera problematike brenda Qarkut të Tiranës?
Në bazë të Udhëzimit nr. 1, datë 13.01.2010 “Për mënyrën e verifikimit apo të shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokat bujqësore të ish-NB dhe të zonës së zhvillimit me përparësi turizmin”, Prefekti i Qarkut Tiranë, nëpërmjet Komisionit Vendor ka planifikuar kontrolle të drejtpërdrejta mbi veprimtarinë e veprimeve të kryera nga ish-komisionet e tokës të të gjitha niveleve në proçesin e ndarjes së tokës bujqësore për sipërfaqet e tokave të ish-ndërmarrjeve bujqësore. Aktualisht ka dalë urdhri i kontrollit për verifikimin e ndarjes së tokës në ish NB “Gjergj Dimitrov”, që përfshin kryesisht fshatrat e Komunës Farkë. Gjithashtu në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë po verifikohen një numër aktesh në zonën e Linzës, në Komunën Dajt të cilat nga shqyrtimi paraprak rezultojnë se subjektet përfituese janë pajisur me tokë më shumë nga sa i takon sipas ligjit nr. 7501. Gjithashtu vlen për tu përmendur se institucioni i Prefektit të Qarkut Tiranë sipas sugjerimeve të ardhura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ka shfuqizuar në Bashkinë Kamëz, në fshatin Laknas 25 akte të marrjes së tokës në pronësi me një sipërfaqe të përgjithshme 50 000 m2.
Ç’ndodh me marrëdhënien e pronësisë mbi këto sipërfaqe toke që kthehet shtet?
Komisioni Vendor pasi kryen një hetim administrativ në kuptimin procedural dhe material, mbledh të gjithë dokumentacionin e nevojshëm nga organet apo institucionet që merren dhe janë marrë me administrimin e pronave në Shqipëri që nga viti 1991, përpilon një dosje konkrete dhe merr një vendim të arsyetuar për shfuqizimin e një titulli pronësie dhënë një subjekti në kundërshtim me ligjin.
Në këtë kontekst cilat janë pasojat konkrete që pasqyron vendimi i Komisionit Vendor dhe a janë këto vendime menjëherë të ekzekutueshme?
Vendimet e Komisionit Vendor janë dy llojesh, të cilat lidhen me statusin juridik aktual të pronave të përfituara në mënyrë të padrejtë. Në rastin kur mbajtësi i titullit të pronësisë nuk ka kryer transaksion mbi pronën përfituar me akt të marrjes së tokës në pronësi, Komisioni Vendor vendos kthimin e pronës në pronësi shtet, në rastin kur mbajtësi i titullit të pronësisë ka kryer transaksion mbi pronën ligji sanksionon detyrimin e përfituesit të parë me akt të paguajë vlerën e tokës në favor të buxhetit të shtetit, duke mos cenuar kështu blerësit të cilët konsiderohen në mirëbesim. Dua të sqaroj se vendimi i Komisionit Vendor nuk është përfundimtar, ky vendim për t’u bërë i ekzekutueshëm duhet të kalojë edhe shkallën gjyqësore.
Konkretisht për të gjitha vendimet e pavlefshmërisë së akteve që ka marrë Komisioni Vendor dhe vendimet që është duke marrë të cilat janë duke ndjekur rrugën ligjore të verifikimit në gjykatë. Kjo zgjidhje ligjore që ka parashikuar ligjvënësi është një mbrojtje më shumë për çdo shtetas nga vendimet arbitrare të administratës. Pra përfundimisht është gjykata ajo që vendos nëse verifikimi nga ana e administratës është bërë në përputhje me ligjin dhe nëse përfituesi e ka marrë tokën në përputhje me ligjin. Me fillimin e funksionimit të gjykatave administrative proceset gjyqësore janë shumë më të shkurtra në kohë. Nga përvoja e deritanishme vendimet e gjykatës janë në përputhje me vendimet e Prefektit.
Gjithashtu vlen të përmendet se në referim të ligjit nr. 9948, datë 07.07.2008, janë përpiluar dhe dërguar pranë organit të prokurorisë kallëzimet penale ndaj personave të cilët kanë ndarë dhe përpiluar aktet e marrjes së tokës në kundërshtim me ligjin. / Intervistoi: Erion Habilaj
* * *
Ligji 7501 për tokën bujqësore
Neni 1
Në Republikën e Shqipërisë toka ndahet në:
a) Toka bujqësore të zëna me bimët e arave, pemishtet, vreshtat dhe ullishtet,
kudo që ndodhen, në fshatra, në qytete e në qendra të tjera të banuara, pavarësisht nga
madhësia e tyre;
b) toka të zëna me pyje, kullota e livadhe;
c) toka jobujqësore: ato të zëna nga ndërtimet ekonomike, socialkulturore, repartet ushtarake dhe oborret e tyre etj., tokat e zëna nga ndërtimet e banimit dhe oborret (avllitë) e tyre, tokat në përdorim të përgjithshëm (rrugët, autostradat, aerodromet, hekurudhat, sheshet, parqet, lulishtet, fushat sportive, varrezat); vende shkëmbore, rërat bregdetare, plazhet; tokat me ujë (liqenet, rezervuarët, hauzët), kanalet e ndryshme, lumenjtë, përrenjtë, zallishtet, kënetat; sheshet e ndërtesave e të monumenteve me interes historik e arkeologjik etj.
Neni 2
Shteti u jep tokë personave fizikë a juridikë. Këta gëzojnë të drejtën e pronësisë dhe të gjithë të drejtat që përmbahen në këtë ligj. Ndalohet shitja dhe blerja e tokës.
Shkeljet i gjeni ne shkrimin e meposhtem:
http://gazetadita.al/abuzimet-me-pronat-rera-ne-bregdet-e-falur-ne-emer-te-7501/
Te gjitha keto abuzime kriminale, kanje emer:
Argita Sali Berisha Malltezi.
Kapni koken e mafies se tokave dhe cdo gje shkon ne vendin e vet.
he mre kavajse djepi demokracis te sal nordikut keni votu me ju frujt tokat, mani lapidarin me dy gishta ne tepsi tkavajes……………kujdes mos ju morin ene sumen .
I gjithe bregdeti nga derdhja e shkumbinit e deri ne karpen i Kavajes eshte i xanun me emra te politikes si deputete e tjer. Kto emrat e katunarve futni ne bythe o Edi Rama se don me bo shou. Po te duash te jap une nje dyzine emrash qe nuk kane asnje lidhje me kavajen si nga trashgimnia ashtu dhe nga topografia qe nuk jane Kavajes. monstra jeni te githe.
Jam plotesisht dakort Persa me siper thote,Askush.Pse nuk ka ndonje emer politikani ne liste,kur dihet qe te tere Kane prona ne bregdet.Nga I gjeti pronat ne kavaje e bija Sali Berishes??Cfare thoshte artikulli me fillim:PERDERISA PRONA NUK SHKON TE I ZOTI,kurre sdo kete sheet(principi base mbi te cilin ngrihet kapitalizmi)Konkluzionin e Cuni vete.
Po pse Ilir Kaja cfare ka bere???????
Ilir kaja e ka bo gjithë këto corbull..