Teprimi me gotat e alkoolit mendohet të jetë përgjegjës për më shumë se 9 për qind të peshës se sëmundjeve në vendet evropiane, duke shtuar më tepër rrezikun për cirroze hepatite, tension të lartë të gjakut, sëmundje të zemrës, hemorragji cerebrale, probleme të pankreasit dhe kancer të gojës, faringut, ezofagut, stomakut, mëlçisë dhe rektumit.
Mjekja Ilda Xhelili, tregon ndërlikimet më të shpeshta shëndetësore që shfaqen në shëndet nëse konsumi i alkoolit është në limite të pakontrollueshme, kjo veçanërisht nga moshat adoleshente dhe të rinjtë. Lidhur me pyetjen se cili është niveli i sigurte i të pirës gjatë ditës, ekspertët e shëndetit thonë se për shumicën e të rriturve përdorimi i moderuar i alkoolit deri në dy gota në dite për burrat dhe një për gratë dhe të moshuarit, shkakton pak, ose aspak probleme.
Problemet me të theksuara shëndetësore nga konsumi i alkoolit shfaqen kryesisht tek adoleshentët, të moshuarit, si dhe tek gratë, kryesisht gjatë fazës së shtatzanisë. Sipas ekspertëve të shëndetit, gratë dëmtohen më lehtë se burrat pas pirjes së të njëjtës sasi të alkoolit. Kjo madje edhe kur merret në konsideratë pesha trupore.
Kjo ndodh pasi gratë kanë më pak lëngje në trup, kështu që e njëjta sasi alkooli tek ato koncentrohet me tepër. Gjithashtu rezulton se gratë kanë një shtresë të brendshme që vesh stomakun më të hollë dhe me sasi më të vogël të enzimës “detoksifikuese alcohol dehydrogenase”.
Si pasojë një grua mund të dehet me gjysmën e sasisë që dehet një burrë. Prandaj për gratë rekomandohet sasi më e vogël alkooli. Ndërkohë që abuzimi kronik me alkool i dënon me tepër gratë sesa burrat. Vartësia nga alkooli dhe problemet që lidhen me të si dëmtimi i trurit, zemrës dhe mëlçisë përparon shumë më shpejt tek gratë sesa tek burrat.
Cilat janë efektet e përdorimit të alkoolit në mënyrë të pakontrolluar?
Abuzimi me alkoolin përfshihet në diagnozën e çrregullimeve të përdorimit të alkoolit dhe konsiderohet sot një sëmundje. Kjo sëmundje karakterizohet nga modeli i një mospërshtatjeje të personave me alkoolin e pijshëm duke rezultuar në efekte negative, në aspektet mjekësore, ligjore, arsimore dhe sociale. Individët që abuzojnë me këtë substancë, tentojnë të vazhdojnë ta përdorin atë, pavarësisht pasojave të tilla negative. Efektet e abuzimit në përdorimin e alkoolit mund të përfshijnë edhe rritjen e abuzimit në familje, të dhunës në familje. Fëmijët e alkoolistëve paraqesin rrezik më të lartë për të përjetuar ndjenjat më negative të tilla si: stresi, depresioni, tjetërsimi i personalitetit, sjellje antisociale apo edhe agresioni. Sipas statistikave janë të prirur më shumë meshkujt për të abuzuar me alkoolin se sa femrat. Megjithatë, kohët e fundit diferenca midis meshkujve dhe femrave ka ardhur duke u ngushtuar. Vendet verë-prodhuese priren të kenë normat më të larta të konsumimit të alkoolit. Në shumë vende evropiane, birra ka tendencë të jetë pijë alkoolike më e zgjedhur nga ana e të rinjve. Ndërsa, vendet e Mesdheut kanë shkallën më të lartë të mospërdorimit të pijeve alkoolike. Alkoolizmi është konsideruar një sëmundje dhe jo një dobësi e karakterit apo model i zgjedhur i sjelljeve të këqija. Kjo është sëmundja e tretë më e zakonshme mendore, duke prekur më shumë së 14 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo sëmundje sjell gjithashtu shpenzime të mëdha ekonomike në drejtim të shpenzimeve për trajtim apo të uljes së produktivitetit të punës.
Cilët janë faktorët e rrezikut që çojnë drejt alkoolizmi?
Faktori kryesor është depresioni, probleme të tjera me humorin e individit, apo edhe problemet që kanë prindërit me alkoolin. Si burrat ashtu edhe gratë kanë një sojë gjasash për të zhvilluar alkoolizmin nëse kanë histori dhunimi apo abuzimi në fëmijërinë e tyre. Fëmijët dhe adoleshentët që kanë provuar pijen e tyre të parë në mes moshës 11-14 vjeç janë të prirur për të zhvilluar probleme me pijen në dallim nga ata që e bëjnë këtë kur janë të rinj, apo më të vjetër në moshë. Një arsye mjaft e shprehur për vendet në zhvillim është varfëria, e cila i çon njerëzit në dëshpërim dhe që zgjidhjen e kërkojnë te alkooli. Ashtu si edhe në shumicën e çrregullimeve të tjera të shëndetit mendor, varësia e alkoolit nuk ka një shkak të vetëm dhe nuk transmetohet direkt nga një brez në tjetrin në familje. Përkundrazi, ajo është rezultat i një grupi kompleks të faktorëve gjenetikë, psikologjikë dhe të faktorëve të mjedisit ku jetojmë dhe punojmë. Alkooli, sidomos ku konsumohet në sasi të mëdha, jep ndikime të ndryshme tek burrat, gratë, adoleshentët dhe të moshuarit.
Konkretisht çfarë ndikimesh jep tek secila kategori?
Gratë dhe të moshuarit kanë tendencë që të kenë përqendrime të larta të alkoolit në gjak në krahasim me burrat dhe individët e rinj që pinë të njëjtën sasi. Gratë alkoolike janë më shumë në rrezik për zhvillimin e cirrozës së mëlçisë, problemeve nervore, problemeve të zemrës në raport me meshkujt. Po ashtu edhe të moshuarit kanë më shumë probleme shëndetësore, të cilat mund t’u rrezikojnë edhe jetën. Adoleshentët që konsumojnë alkool kanë prirje të kenë çrregullime në zhvillimin e organeve si rezultat i dëmeve të mundshme nga çrregullimet hormonale të shkaktuara nga alkooli. Kjo vë veçanërisht në rrezik zhvillimin e sistemit riprodhues. Po ashtu adoleshentët që abuzojnë me alkoolin kanë prirje të abuzojnë më substanca narkotike. Përdorimi i tepërt i alkoolit mund të shkaktojë probleme të shumta emocionale siç janë ankthi apo depresioni. Po ashtu adoleshentët kanë prirje për t’u angazhuar në aktivitetin seksual, në marrëdhënie të pambrojtura dhe në dhunime seksuale. Gjithashtu ka një rritje të tendencës për braktisjen e arsimimit.
Si trajtohet alkoolizmi?
Sot studimet prezantojnë programe të detajuara mirë për detoksikimin e personave të alkoolizuar që përfshin sportin e afërt mjekësor, monitorimin, mjekimin me barna të posaçme, sportin familjar dhe rehabilitimin social. Kjo është një periudhë mjaft e vështirë si për persinin që vuan ashtu edhe për familjarët e tij. Njerëzit që janë të varur nga alkooli kanë dëshirë të fuqishme për të pirë, nervozizëm, djersijnë shpesh dhe kanë edhe halucinacione kur tentojnë të lënë pijen. Shenja paralajmëruese të çrregullimit të përdorimit të alkoolit përfshijnë humbjen e interesit për aktivitetet që më parë e gëzonin, humbjen e interesit për shkollën apo punën, si edhe nervozizmi i shpejtë kur të dashurit mund t’i vënë në dukje problemet me alkoolin. Gjithashtu, bebet që kanë lindur nga nëna alkooliste janë të prirur për të pasur probleme të rëndësishme shëndetësore të zhvillimit, të sjelljes dhe të emocioneve. Megjithatë edhe shumë foshnja, nënat e të cilat kanë konsumuar edhe sasi minimale të alkoolit gjatë shtatzanisë kanë pasur probleme të tilla. Efektet afatgjata të alkoolizmit mund të jenë shkatërruese dhe madje edhe të rrezikshme për jetën. Konsumimi i tepërt i alkoolit në mënyrë kronike mund të ndikojë negativisht pothuajse në të gjitha sistemet ku më të shpeshtat janë problemet kardiovaskulare dhe hipertensioni, çrregullime të aparatit tretës, të pankreasit apo cirroza e mëlçisë. Përafërsisht 10-15 për qind e njerëzve të alkoolizuar kanë tendencë për të kryer vetëvrasje. Meshkujt, te cilët kanë humbur bashkëshortet e tyre, brenda vitit të parë janë në rrezik të lartë për vetëvrasje.
A është e mundur të bëhet parandalimi i alkoolizmit?
Faktorët për parandalimin e alkoolizmit janë socialë, familjarë dhe ligjorë. Prindërit dhe mësuesit mund të ndihmojnë në edukimin e adoleshentëve për të parandaluar alkoolizmin. Fëmijët duhen sqaruar dhe bindur se problemet e shumta nuk zgjidhen duke përdorur alkool apo drogë. Faktorët ekonomikë kanë gjithashtu një rol të madh. Po ashtu nga ana ligjore ndikon pozitivisht ngritja e kostos së alkoolit, kufizimi i vendeve dhe kohës kur mund të përdoren pijet alkoolike, apo ndalimi i shitjes nëpër lokale për fëmijët nën moshën 18 vjeç. Pas trajtimit rreth 70 për qind e njerëzve të alkoolizuar arrijnë të përmirësojnë statusin e tyre shëndetësor dhe social brenda 6 muajve.
A ka qendra detoksifikimi ne Shqiperi? Nese ka sa kushtojne.