Gjendet i masakruar për vdekje në një kanal trupi i vajzës 19-vjeçare, dyshohet aksidenti dhe vrasja në grabitje. Ngjarja mendohet të ketë ndodhur orët e vona të së mërkurës në rrugën automobilistike të fshatit Bilaj në Krujë, kurse trupi i Enkeleda Mëhillit, u gjet nga vetë familjarët rreth orës 08:10 të mëngjesit të djeshëm, i pajetë. Policia vendore bëri me dije se ngjarja ka ndodhur shumë pranë shtëpisë së viktimës, e cila mendohet se ka qenë duke kaluar rrugën në krahun tjetër kur është sulmuar.
“Në vendngjarje shkoi menjëherë grupi hetimor, i cili po vijon veprimet e para. Paraprakisht rezulton që në trupin e viktimës të ketë dëmtime fizike, të cilat dyshohet të jenë shkaktuar nga goditje me automjet. Por hetimet janë zgjeruar dhe po vijojnë edhe në pista të tjera, në funksion të zbardhjes së rrethanave”, tha zyrtarisht drejtoria e Policisë Durrës. Ekspertët hetojnë në dy pista, atë të aksidentit gjatë kohës që vajza 19-vjeçare kthehej në shtëpi pas përfundimit të punës në turnin e dytë në fabrikën e këpucëve në qytet dhe po kalonte rrugën.
Kurse pista e dytë është ajo e vrasjes për grabitje, pasi gjatë marrjes në pyetje të shoqeve të viktimës dhe drejtuesve të firmës, mësohet se dita e mërkurë ka qenë shpërndarja e rrogave për punonjëset e fabrikës. Ndaj edhe dyshohet për një grabitje të mundshme me qëllim grabitjen e parave që vajza ka pasur me vete. Grupi hetimor ka gjetur sende personale, por jo shumë lekësh ndaj edhe hetohet për mundësinë e vrasjes në grabitje nga persona të paidentifikuar. Por sipas ekspertëve, goditjet që ka marrë 19-vjeçarja i ngjajnë atyre të një aksidenti rrugor, por nuk përjashtohet mundësia që në të vërtetë Mëhilli të jetë goditur nga një mjet, drejtuesi i të cilës më pas e ka grabitur dhe është larguar.
Po punohet për të gjetur prova që të çojnë tek autorët, gjurmë gomash, shenja gishtash apo prova biologjike që do zbardhin këtë ngjarje të mistershme. Policia mori në pyetje edhe familjarët e 19-vjeçares, që thanë se nuk kishin konflikte me persona të tjerë apo hasmëri dhe po kështu vajza nuk ishte ankuar për kërcënime apo probleme të tjera. Mësohet se Mëhilli punonte prej disa vitesh në këtë fabrikë këpucësh dhe ishte me statusin e beqares. Hetuesit dyshojnë se autori apo autorët mund ta kenë ndjekur vajzën, pasi kanë pasur dijeni për tërheqjen e rrogës nga fabrika dhe më tej e kanë sulmuar afër banesës.
Por burime zyrtare thanë se nuk përjashtohet as pista e aksidentit dhe më pas drejtuesi të jetë larguar për të humbur gjurmët dhe shpëtuar. Familjarët nisën kërkimet për vajzën pasi nisën të shqetësohen për mungesën e saj në mëngjes, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur copa të thyera pasqyre, që dëshmojnë për mundësinë e një aksidenti automobilistik. Nga këqyrja e kufomës rezulton se viktima ka dëmtime të rënda të shtyllës kurrizore. Ende nuk ka persona të ndaluar, ndërsa po kryhen verifikime për të gjetur modelin e makinës dhe pronarin e saj.
Ky lajm eshte ulerites dhe me vjen keq qe nuk shoh nje ngushellim per familjen dhe shpirtin e masakruar te viktimes. Dite zie duhet te behet per kete fatkeqe, per te cilen shkruhen vetem 5 rreshta lajm, per ta lene ne harrese ne ditet dhe javet ne vazhdim.
Edhe pse nuk besoj ne Zot do doja qe me gjithe mend te ekzistonte nje vend si Parajsa ku te preheshin ne paqe shpirtat e pafajshem te ketyre njerezve “anonime” qe per publikun e gjere humbja e jetes se tyre nuk perbejn lajm interesant. Te qofte dheu i lehte dhe ai qe te mori jeten e paste fatin me te zi se tendin. Qofsh e paharruar per gjithe ata qe te kane njohur dhe dashur.