Sipërmarrësit fasonë i kanë paraqitur qeverisë një paketë me 34 pika, përmes së cilës kërkojnë mbështetje për biznesin e tyre, me qëllim nxitjen e eksportit. Në tryezën e përbashkët për diskutimin e kësaj pakete, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, tha se qeveria është e gatshme të plotësojë kërkesat e sipërmarrësve për uljen e qirave për asetet që do të përdoren prej tyre dhe rimbursimin automatik të TVSH-së.
“Këshilli i Ministrave ka kaluar një ndryshim në vendimin e procedurave të dhënies me qira të aseteve shtetërore, duke e ulur për manifakturat, për industrinë prodhuese, qoftë të veshjes, qoftë të këpucëve, qoftë të llojeve të tjera, e ka ulur vlerën e qirasë me 1 euro për vit për ato asete që ju keni marrë, apo që do të merren nga investitorë vendas, apo investitorë të huaj”, tha ministri Ahmetaj. Përfaqësuesit e fasonëve i kërkuan ministrit Ahmetaj heqjen e listës që cakton makineritë dhe pajisjet që importohen me ‘TVSH zero’, duke e cilësuar atë si klienteliste dhe bllokuese sa i përket ripërtëritjes teknologjike të biznesit. Ministri Ahmetaj, në fjalën e tij, tha se një ditë më parë Këshilli i Ministrave ka kaluar një ndryshim në vendimin e procedurave të dhënies me qira të aseteve shtetërore, duke ulur kryesisht për manifakturat, për industrinë prodhuese të veshjeve, këpucëve etj.
“Vlera e qirasë është ulur në 1 Euro në vit, për ato asete shtetërore që ju keni marrës, ose që do të merren nga investitorët vendas apo të huaj. Vendimi vjen si reflektim i nevojës së dyanshme për të ndihmuar industritë, për të tërhequr investime vendase dhe të huaja me një kosto të ulët në aspektin e qiradhënies dhe në të njëjtën kohë për t’i bërë efektive ato asete publike, të cilat janë aktualisht jo të përdorshme, janë në amortizim dhe janë jo efektive. Duke i afruar në fakt këto asete të cilat kanë vlerën e tyre të rëndësishme qoftë për t’u marrë me qira, qoftë për të strehuar brenda tyre linja prodhimi te mundshme apo edhe ato asete të cilat janë duke u përdorur tashmë nga ju, të pësojnë uljen e kostos në mënyrë që këtë kosto të ulur të mund ta ktheni në vende pune në favor të asaj politike që ju ndihmon, ndihmon edhe Qeverinë, politikën e punësimit”, tha Ahmetaj.