Aleanca Kuqezi organizoi sot një tubim në lagjen e Selvisë, në Rrugën e Dibrës në Tiranë. Gjatë fjalës para të banorëve të kësaj zone, kreu i AK, Kreshnik Spahiu, foli për programin e PD-së, i cili është prezantuar në faqen e internetit të qeverisë. Spahiu u ndal tek ajo që Berisha e ka cilësuar si ylli polar i programit të PD-së, që nga themelimi i saj, çështja kombëtare. Kreu i AK-së tha se në programin e sapopublikuar të PD nuk gjendet asnjë pikë ku flitet për bashkim kombëtar, gjë që tregon se Berisha ka gënjyer për të përfituar vota në zgjedhjet e qershorit.
“Shtetasi Berisha gënjeu miliona shqiptarë kur deklaroi se ylli polar i PD është bashkimi kombëtar sepse në këtë program nuk gjen asnjë pikë të prioritetit dhe asnjë fjalë ku të flitet për bashkim kombëtar. Shtetasi Berisha po mashtron shqiptarët nga Preveza në Preshevë për idealin e bashkimit të cilin e ka hequr nga programi i PD që kur përjashtoi Azem Hajdarin nga PD dhe i zuri vendin si kryetar. Gënjeshtra e shtetasit Berisha është 64 mijë km2 aq sa është edhe Shqipëria etnikë. Ai gënjeu gjithë kombin për të mos u larguar si tradhtar në këtë pranverë pas një sërë aktesh bashkëpunimi me Athinën dhe Beogradin. Atdheu i shtetasit Berisha është vetëm karrigja e pushtetit sepse ai ka mohuar edhe vendlindjen e tij, Viçidolin e Tropojës, të cilin ka 23 vite nuk rikthehet të shoh dhe vizitojë shtëpinë ku u lind dhe u rrit. 23 vite, vendlindja e tij nuk e pranoi atë dhe ai nuk guxon të kandidojë për deputet në Tropojë”, tha Spahiu.
Kreu i kuqezinjve komentoi edhe aktivitetin e mbajtur në Tropojë pak ditë më parë, për përvjetorin e 22 të themelimit të degës së PD-së në këtë rreth. Spahiu tha se as Berisha dhe as deputetët e tjerë të PD-së nuk mundën të shkonin në këtë përvjetor, por dërguan një grua.
“Ai sërish nuk merr guximin të kthehet në vendlindje aq sa para dy ditësh nuk guxojë asnjë burracak i PD të merrte pjesë në përvjetorin themelues të partisë në Bajram Curri, po dërguan një femër që e mbajnë si kukull në krye të parlamentit. Dërguan një grua duke treguar se janë 60 deputet burracak”, tha Spahiu.