AK ka vënë në dukje sot dy qëndrimet e kundërta të kryeministrit Berisha në lidhje me bashkimin kombëtar. AK thotë se Berisha kopjoi nismën e AK për dhënien e pasaportave të gjithë shqiptarëve edhe jashtë Shqipërisë, por disa ditë më parë përshëndeti vendimin e FIFA-s, e cila lejon kombëtaren e Kosovës që të luajë ndeshje miqësore. AK i cilëson kontradiktore të dy deklaratat e Berishës dhe thotë se kjo forcë e re politike do të vazhdojë të mbetet partizane e unifikimit të shqiptarëve në të gjitha fushat.
“Pak ditë më parë Federata Botërore e Futbollit, FIFA, mori vendimin që kombëtarja e Kosovës të lejohet të luajë ndeshje miqësore me kombëtaret e vendeve të tjera, një akt ky i përshëndetur me shumë emocione nga shtetasi Sali Berisha, i cili pati deklaruar se mezi pret të shohë përballjen e parë të kombëtares së Kosovës së bashku më shumë tifozë kuqezi. Si mundet që shtetasi Sali Berisha në të njëjtën kohë që kërkon të unifikojë pasaportat e kombit shqiptar për bashkëkombësit dhe nga ana tjetër përshëndet një vendim të FIFA-s, pasoja e të cilit do të ndihet menjëherë tek kombëtarja aktuale e Shqipërisë, pasi shumë lojtarë janë shqiptarë nga Kosova, të cilët kanë deklaruar se me krijimin e kombëtares së Kosovës do të largohen drejt saj. Aleanca Kuq e Zi ka qenë dhe do të mbetet partizane e unifikimit jo vetëm të pasaportave për bashkëkombësit shqiptarë në Kosovë, por për të gjitha fushat e mundshme të jetës sociale, kulturore, ekonomike, universitare me qëllim bashkimin e munguar të shqiptarëve të copëtuar.
Aleanca Kuq e Zi ka kërkuar muaj më parë nga të dyja federatat shqiptare të futbollit në Shqipëri dhe Kosovë unifikimin e kampionateve të futbollit, ndërsa shtetasi Berisha përshëndet ndarjen zyrtare të spektrit të sportit dhe kulturës mes dy Shqipërive. Sigurisht shtetasi Berisha kërkon të jetë i pari në fshatin e tij dhe po rrënon fushat e futbollit në pallate, ligën e futbollit në vatër bastesh dhe korrupsioni si dhe ndarjen e kombëtares kuqezi në ndasi mes dy shteteve shqiptare”, thanë përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi.