Aleanca Kuq e Zi ka dorëzuar sot në gjykatë kallëzimin penal ndaj ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera. Në tekstin e padisë, Ksera akuzohet për “shpërdorim të detyrës dhe funksionit të lartë duke financuar individë që kontribuojnë në destabilizimin e jugut”.
Në një prononcim pas dorëzimit të padisë, sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në Aleancën Kuq e Zi, Rezar Balla, tha se Ksera prej katër vitesh paguan me paratë e taksapaguesve shqiptarë kreun e organizatës për “Pavarësinë e Vorio Epirit”.
“Sapo dorëzuam kallëzimin penal ndaj ministrit të Punës, Spiro Ksera, i cili me paratë e taksapaguesve shqiptarë paguan prej katër vitesh Theofan Kaliviatis, i cili është kreu i organizatës për “Pavarësinë e Vorio Epirit”. Pak ditë më parë Aleanca Kuq e Zi denoncoi këtë skandal të paprecedent të një zyrtari të lartë të qeverisë së shtetasit Sali Berisha. Ne kërkojmë që Prokuroria e Përgjithshme të nisë sa më parë hetimin zyrtarë për shtetasin Spiro Ksera dhe të marrë të gjitha masat që ky zyrtar të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi të parashtruara në kallëzimin penal të Aleancës Kuq e Zi”, deklaroi Balla.
Kallëzimi penal në adresë të ministrit Ksera është në kuadër të fushatës së AK për të zbuluar “fytyrat e krimit”.
“Ky është kallëzimi i parë penal ndaj një zyrtari të lartë të qeverisë së shtetasit Sali Berisha, kallëzim i cili lidhet më akte që cenojnë integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Ky kallëzim hap siparin e dhjetëra kallëzimeve të tjera që ne do t’i bëjmë publike në periudhat që do të pasojnë, dosje që janë të përgatitura nga Departamenti Juridik i Aleancës Kuq e Zi. Ka ardhur koha që shqiptarët të njohin realisht se cilët janë zyrtarët e lartë që punojnë për qarqet antishqiptare dhe që paguhen me paratë e shqiptarëve. Është koha për ndëshkimin e tradhtarëve dhe koalicionit që ka shitur, po shet dhe do të shesë interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, përfundoi Balla.