Forumi i Gruas Kuq e Zi ka zhvilluar sot një protestë para Kuvendit të Shqipërisë. Protesta kundër dhunës ndaj gruas është mbajtur para zyrës së kryetares Topalli.
Përfaqësueset e femrave kuqezi ekspozuar një banderolë, e cila ishte konceptuar si antitezë mes grave në pushtet, që jetojnë në luks, dhe grave të thjeshta shqiptar, të cilat jetojnë në varfëri e shpesh bëhen viktima të dhunës.
Në fjalën e mbajtur gjatë tubimit, përfaqësuesja e Forumit të Gruas Kuq e Zi, Margarita Kola, tha se gruaja është lënë pas dore nga strukturat e shtetit. “Krahasoni të nderuar qytetarë “gratë e vrara me gratë e marra”. Këta deklarojnë se kanë arritur nivelin e përfaqësimit të gruas me 30% në politike dhe nivele drejtuese, në fakt janë 30% gra të cilat lustrohen, ndërkohë që janë me mijëra që dhunohen dhe të pambrojtura. Kryetarja e Kuvendit prej 16 vitesh ka marrë peng karrigen e Kuvendit duke treguar tolerancë zero ndaj diversitetit të gruas në politike. Gratë e Kuvendit të Shqipërisë janë imazhi jo realist i gruas shqiptare. Gra, të cilat ruhen me truproje dhe eskorta policore, ndërkohë që në zona të ndryshme të vendit gratë e thjeshta shqiptarë bien pre e krimeve makabre dhe masakrimeve si në filmat horror. Shembulli që duhet të jepnin këto gra duhet të ishte krejt tjetër nga ai që në shohim përditë. Gra që ruhen nga një komisariat e tërë policie e ndërkohë në zonat e thella të Shqipërisë nuk ka policë për të garantuar të drejtat minimale të grave shqiptare”.
Më tej, Kola theksoi se AK pas zgjedhjeve të 23 qershorit do të bëjë gjithçka për ta ndryshuar realitetin e trishtuar të grave.”Pas 23 qershorit, AK do të bëjë gjithçka për të ndryshuar legjislacionin dhe ligjet në fuqi duke rritur maksimalisht dënimin për dhunën ndaj grave shqiptare. Aleanca Kuq e Zi do të ngrejë në mbarë vendin zyrat për mbrojtjen e të drejtave të grave të cilat do të hartojnë politikat integruese të tyre në një shoqëri me rregulla të pastra dhe të drejta të barabarta. Është turp i madh që gruaja shqiptarë të përfaqësohet në politikë dhe nivele drejtuese nga politikane si këto, të cilat më shumë qëndrojnë në ajër dhe të lustruara se sa në tokë dhe të shqetësuara për femrat shqiptare”, tha Kola.