Ulja e kufirit moshë në nisjen e aktivitetit seksual po shoqërohet me shtimin e gamës së sëmundjeve që shfaqen tek femrat duke u ndalur veçanërisht tek sëmundjet kanceroze që prekin organin gjenital. Si rrjedhojë e neglizhencës apo dhe kulturës së ulët shëndetësore femrat në pjesën dërrmuese të rasteve vihen nën kërcënimin e sëmundjeve kanceroze.
Ndërkohë që kryerja e testeve specifike i ndihmojnë ato që të kapin dhe trajtojnë në kohë sëmundjet kanceroze të organit gjenital. Duke u ndalur tek kjo situatë shqetësuese drejtoresha e Maternitetit “Koço Gliozheni”, Rubena Moisiu, bën me dije se vajzat në moshën e adoleshencës që kanë nisur aktivitetin seksual duhet të jenë shumë të kujdesshme dhe të mos neglizhojnë kryerjen e paptesteve.
Sipas saj, këto ekzaminime gjinekologjike mbrojnë nga pasojat e rënda shëndetësore të cilat mund të kërcënojnë edhe jetën. Përballë kësaj situate, ekspertët e shëndetit vënë në dukje se tashmë ka ardhur koha që këto kontrolle që parandalojnë tumoret në qafën e mitrës, duhet të fillojnë të aplikohen që në momentin kur një femër ka filluar aktivitetin seksual.
Ndërkohë që vaksina mbrojtëse duhet aplikuar që tek femrat në klasat e 9-ta. Moisiu më tej vë në dukje se si shkak i mos kryerjes në kohë të këtij kontrolli të thjeshtë janë shtuar rastet e femrave që vuajnë nga sëmundjet tumorale.
“Nëse dikur ne thonim që kontrolli duhet bërë i rregullt tek gratë 40- 45 vjeç sot rekomandohet që të kryhet tek të gjitha vajzat, të cilat kanë filluar jetën seksuale. Ndërrimi i partnerëve predispozon për sëmundje seksualisht të transmetueshme të cilat nga ana e tyre, ose më saktë disa prej tyre mund të shkojnë deri në kancer nëse nuk trajtohen në kohë.
Një nga këto është edhe virusi që quhet HPV, që shumë vajza mund ta gjejnë nëpërmjet rezultateve të paptestit. Në këtë formë mund të parandalojnë në kohë problemet e rënda shëndetësore”, ka deklaruar Moisiu. Ky apel vjen pas të dhënave shqetësuese të zbardhura së fundmi nga Instituti i Shëndetit publik sa i takon niveleve të përhapjes së këtyre sëmundjeve kanceroze.
Të dhënat e këtij studimi vënë në dukje se kohët e fundit është shtuar me disa mijëra raste të reja në vit përhapja e të gjitha llojeve të sëmundjeve kanceroze, veçanërisht atyre të qafës së mitrës. Për këtë mjekët rekomandojnë vaksinimin duke filluar që nga femrat në klasat e sistemit 9-vjeçar. Vaksinimi me vaksinën kundër virusit HPV dhe bërja rregullisht e Pap-testit parandalojnë gati 90 për qind të rasteve me kancer të qafës së mitrës.
Ndër shkaqet që po çojnë në shtimin e këtyre rasteve është edhe mungesa e kulturës që kanë shqiptarët në ndjekjen e shëndetit të tyre. “Kostoja e një paptesti është 2500 lekë, po ndërkohë për pacientet të cilat vijnë të rekomanduara nga mjeku i lagjes dhe kanë një librezë që vërteton se paguan sigurimet shëndetësore, është falas.
Nuk është aq kostoja, sa është çështja e kulturës shëndetësore”, shton më tej Moisiu. Ky fenomen bëhet edhe më i theksuar në zonat rurale, në të cilat rezulton se femrat janë më pak të informuara për këto kontrolle gjinekologjike sesa ato në qytet. Ndërkohë që ka dhe nga ato gra që gjatë gjithë jetës së tyre nuk e kryejnë paptestin, pasi janë indiferente edhe ndaj shqetësimeve.
Kanceri i qafës së mitrës
Kanceri i qafës së mitrës është një tumor që formohet në qafën e mitrës së një femre. Ai renditet i dyti mbas kancerit të gjirit, por ka një vdekshmëri më të lartë. Në Shqipëri kanceri i qafës së mitrës përbën gati gjysmën e rasteve me tumore malinje që prekin aparatin gjenital femëror dhe në pjesën më të madhe të rasteve kapet në faza mjaft të avancuara.
Shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës është Human Papiloma Virus (HPV). Ka më shumë se 100 tipe të virusit HPV, por vetëm një pjesë prej tyre janë viruse me rrezik të lartë dhe shkaktarë të kancerit të qafës së mitrës. HPV është një virus i cili pasi hyn në organizëm mund të mbetet aty i fshehur me vite pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje. HPV përhapet nëpërmjet kontakteve seksuale dhe rreziku i infektimit rritet me shtimin e numrit të partnerëve seksualë.
PAP Testi
Paptesti është një test i shpejtë, i thjeshtë dhe i padhimbshëm, që zgjat vetëm pak minuta, por që mund të shpëtojë jetën! Paptesti bëhet për të treguar nëse një femër ka apo jo kancer të qafës së mitrës. Nga momenti i shfaqjes së qelizave jo normale në qafën e mitrës deri në shfaqjen e plotë të kancerit të qafës së mitrës duhen shumë vjet, rreth 10 deri në 20 vjet. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë rekomandohet që të gjitha femrat e moshave nga 20 (por edhe më parë nëse është filluar aktiviteti seksual) deri në 65 vjeç, sidomos ato me risk, duhet të kryejnë Paptestin rregullisht. Nëse një femër kontrollohet rregullisht, pra bën papteste të rregullta, mund ta kapë në kohë kancerin e qafës së mitrës. Në rastet kur kanceri i qafës së mitrës kapet herët, është i lehtë për t’u trajtuar dhe kjo është e lidhur me mbijetesën dhe me një cilësi jete më të mirë.