Si u shit trualli te Ekspozita . Është pretenduar përfshirja e personave të afërt me pushtetin në procesin e privatizimit ku ndërhyrja e tyre ka bërë që një e drejtë e njohur prej 15 vjetësh është materializuar në më pak se një vit dhe se pronarët e truallit nuk janë blerësit e vërtetë
Lidhja e pronarëve me Tartarin
...Është pretenduar përfshirja e personave të afërt me pushtetin në procesin e privatizimit ku ndërhyrja e tyre ka bërë që një e drejtë e njohur prej 15 vjetësh është materializuar në më pak se një vit dhe se pronarët e truallit nuk janë blerësit e vërtetë.
I janë marrë deklarime shtetases G.Dorezi, një nga trashëgimtaret ligjore të familjes Rada dhe përfaqësuese e saj. Sipas saj, që nga viti 1993 janë bërë kërkesa të vazhdueshme në institucionet shtetërore kryesisht në M.E.T.E për blerjen e godinës ish – ekspozita Shqipëria Sot. Me ndryshimin e ligjit i cili u përcaktonte institucioneve shtetërore detyrimin për t’iu kthyer pronarëve të truallit çdo ambjent i cili nuk përdorej më për interesa publike kanë aplikuar pranë M.E.T.E-s për zbatimin e këtij detyrimi ligjor. Në procesin e privatizimit janë angazhuar të gjithë pronarët.
Në vitin 2008 është lidhur një kontratë sipërmarrjeje me shoqëritë “Vision Construction” dhe “Victoria Construction“ e para me administrator shtetasin Arian Tartari ndërsa tjetra shtetasin L.Mata. Ky i fundit ishte shok i ngushtë prej shumë vitesh me L.Hidin, një prej trashëgimtarëve dhe që kishte 1/4 e pronës dhe së bashku me të motrën E.Reçi kishin ½ e pronës. Për shkak se marrëdhënieve të ngushta miqësore që kishin me Luanin dhe për faktin se ishte një shoqëri serioze në treg dhe që ofronte përqindjen më të lartë të momentit ishte rënë dakord për kontratën e sipërmarrjes. Nga ana tjetër në këtë kontratë u lidhën marrëveshje dhe me shtetasin Arian Tartari administrator i shoqërisë “Vision Construction“. Këtë të fundit e kanë njohur nëpërmjet L.Matës.
Marrëveshja noteriale
Në marrëveshjen e lidhur ishin parashikuar nje sere veprimesh, midis tyre marrja persiper nga ana e shoqerive ne fjale i detyrimit për ndjekjen e procedurave të privatizimit në emër dhe për llogari të pronarit. Kjo u bë pasi po bëhej gjithmonë e më e shtrenjtë pagesa e tarifave të avokatëve për përfaqesim dhe procesi i mbledhjes së detyrimeve për shpenzimet e përfaqësimit nga secili pronar ishte e vështirë. Në muajin dhjetor të vitit 2008 i janë dhënë tagrat e përfaqësimit shtetasit L.Mata që të ndiqte të gjitha veprimet juridike në emër dhe për llogari të tyre. Realisht të gjitha veprimet, kërkesa, ankime, paraqitje dokumentacioni janë kryer nga vetë pronarët dhe me shpenzimet e tyre. Lidhur me burimet e të ardhurave për blerjen e objektit dhe truallit, kjo shtetase ka deklaruar se familja Rada ka në pronësi pasuri të paluajtshme të konsiderueshme të përfituara nga trashëgimia apo të përfituara më vonë në qytetin e Tiranës. Gjithashtu dhe shtetasit L.Hidi dhe E.Reçi kanë në pronësi dyqane në rrugën e Kavajës. Pagesa e objektit me vlerë 60 milionë e 948 mijë lekë është bërë në shumën cash 12 milionë e 189 mijë e 600 lekë dhe pjesa tjetër me bono privatizimi të blera në treg. Pagesa është bërë nga bashkëpronarët në raport me pjesët takuese të secilit. Është administruar në Raiffeisen Bank i gjithë dokumentacioni lidhur me transaksionet bankare dhe origjinën. Sipas kësaj shtetaseje procesi i privatizimit ka qenë një angazhim vetëm i pronarëve. Gjithashtu ajo ka deklaruar se shtetasi Arian Tartari pas një jave është tërhequr nga marrëveshja për shkak se nga një pjesë e pronarëve nuk u ra dakord pas nënshkrimit të saj.
Humbja e kontratës
Më datën 20.03.2008 shtetasi Arian Tartari ka nënshkruar një deklaratë noteriale me nr.1049 rep. 969 kol. datë 20.03.2008 përpara noteres L.Kongoli, Dhoma e Noterisë – Tiranë. Nëpërmjet kësaj deklarate shtetasi Arian Tartari, përfaqesues ligjor i shoqërisë “Vision Construction” deklaronte se hiqte dorë dhe nuk kishte asnjë lloj pretendimi në lidhje me të drejtat dhe detyrimet që rridhnin nga kontrata e sipërmarrjes Nr.988 rep, Nr.920 kol, datë 13.03.2008, redaktuar po nga kjo notere. Nga kqyrja e regjistrit të veprimeve noteriale të noteres L.Kongoli, rezultonte se Deklarata Noteriale në fjalë nuk gjendej e regjistruar në këtë regjistër. Numrat përkatës të koleksionit 969 dhe repertitorit 1049 i përkisnin një veprimi tjetër noterial dhe konkretisht:
Numër 1049 rep; kol -, datë 20.03.2008 pasqyrohej veprimi “ Vërtetim Njësie me origjinalin “, në emër të shtetasit B.Beqja
Numër 969 kol i përkiste numrit 1048 rep dhe veprimi që pasqyrohej ishte kontratë hipoteke në favor të Banka Emporiki Albania.
E pyetur për këtë fakt shtetasja L.Kongoli ka deklaruar se kjo deklaratë ishte redaktuar në zyrën e saj noteriale dhe ishte nënshkruar nga shtetasi Arian tartari, të cilin e njihte personalisht. Për sa i përket faktit që kjo deklaratë nuk ishte e pasqyruar në regjistër, kjo sipas saj kishte ndodhur gabimisht, padashur nuk ishte regjistruar në regjistër.
Nga verififikimi në Sistemin e Administrimit Total të Informacionit (TIMS) ka rezultuar se në datën e përpilimit të deklaratës 20.03.2008 shtetasi Arian Tartari ka qenë jashtë vendit. Ky shtetas është larguar nga Shqiperia më datë 19.03.2008 dhe është kthyer më datë 24.03.2008.
Deklarimi i Tartarit
I janë marrë deklarime shtetasit Arian Tartari. Sipas tij, me pronarët e truallit është njohur nëpërmjet L.Matës të cilin e njihte prej vitesh. L.Mata i kishte thënë që ishte në kontakt me disa pronarë për një shesh të favorshëm për të ndërtuar. Fillimisht kanë rënë dakord në parim dhe më pas në muajin mars të vitit 2008 së bashku me L.Matën kanë vendosur që t’a materializojnë bashkëpunimin me anë të kontratës së sipërmarrjes.
Lidhur me parashikimin në kontratën e sipërmarrjes se nga ana e investitorëve ishte marrë përsipër procesi i privatizimit të objektit dhe truallit në fjalë, ky shtetas ka deklaruar se kjo ishte praktikë që ndodhte rëndom në lidhjen e kontratave të sipërmarrjes midis pronarëve të truallit dhe ndërtuesve. Sipas tij, nuk ishte angazhuar në procesin e privatizimit, nuk kishte të njohur në institucionet shtetërore apo të kishte ushtruar ndikim për realizimin e këtij procesi. Duke qenë se pronarët e truallit ishin në konflikt të vazhdueshëm me njëri – tjetrin ai është tërhequr nga marrëveshja e mëparshme. Disa ditë pas lidhjes së kontratës së sipërmarrjes kishte firmosur një deklaratë noteriale përpara së njëjtës notere ku deklaronte vullnetin e tij për të hequr dorë nga të drejtat dhe detyrimet që rridhnin nga kontrata e sipërmarrjes nr.988 rep, kol. 920 datë 13.03.2008.
Lidhur me faktin që deklarata noteriale nuk gjendej në regjistër dhe në datën e përpilimit të saj ai ka qenë jashtë shtetit, shtetasi Arian Tartari ka deklaruar se për sa i përket regjistrimit ose jo të kësaj deklarate ajo ishte një procedurë që nuk kryhej prej tij. Për sa i përket mospërputhjes së datës së deklaratës me qëndrimin e tij në Shqipëri ka deklaruar se në këtë kohë ishte nisur me urgjencë jashtë shtetit. Kishte komunikuar me noteren duke i kërkuar që të përpilonte një deklaratë noteriale në emrin e tij, thelbi së cilës kishte të bënte me heqjen dorë nga kontrata e sipërmarrjes dhe ëer rrjedhoje mospasjen e asnjë lloj të drejte apo detyrimi që rridhte nga ajo kontratë. Duke qenë se udhëtimi ishte planifikuar 24 orë para i kishte kërkuar noteres që të përpilonte deklaratën dhe me kthimin e tij të nesërmen ajo do të firmosej. Kthimi ishte shtyrë disa ditë dhe sapo ishte kthyer në Tiranë kishte shkuar tek noterja, kishte lexuar deklaratën dhe pasi kishte konstatuar që teksti i saj ishte pikërisht vullneti i tij e kishte firmosur pa i kushtuar rëndësi datës pasi deklarata ishte nominale, e firmosur vetëm prej tij dhe nuk kishte marrëdhënie me persona të tretë. Sipas tij, deklarata është firmosur në muajin mars të vitit 2008 dhe firma në këtë dokument është e tij.
I janë marrë deklarime shtetasit L,Mata. Sipas tij, me pronarët e truallit në zonën e ish – ekspozitës dhe sidomos me shtetasin L.Hidi njihej që prej 30 vitesh. Ka qenë gjithmonë në dijeni që familja e L.Hidit kishte në pronësi një sipërfaqe trualli tek ish – ekspozita. Duke qenë se kishte në administrim shoqërinë e ndërtimit “Victoria Construction” i interesonte që të ndërtonte në këtë pronë. Për të investuar në këtë pronë kishte kërkuar dhe bashkëpunimin e investitorit Arian Tartari, administrator te shoqërisë “Vision Construction”. Përfitimi i tij në këtë marrëveshje me pronarët do të ishte pas përfundimit të objektit, si rezultat i shitjeve të apartamenteve. Gjithashtu nga ana e pronarëve ishte kërkuar fillimisht angazhimi i shoqërive ndërtuese në procesin e privatizimit. Kjo nuk kishte ndodhur për shkak se pas disa ditësh Ariani ishte tërhequr nga të drejtat dhe detyrimet e kontratës së sipërmarrjes si rezultat i mosmarrëveshjeve me një pjesë të pronarëve. Duke qenë se ishin një numër i madh bashkëpronarësh dhe shpeshherë kërkohej prezenca e të gjithëve, në muajin dhjetor të vitit 2008 prej tyre është autorizuar nëpërmjet një prokure që t’i përfaqësonte ai në institucionet shtetërore apo të kryente veprime të ndryshme juridike për llogari të tyre. Pronarët kanë qenë gjithmonë prezent dhe e kanë ndjekur në mënyrë koherente procesin e privazitimit. Gjithashtu ky shtetas ka deklaruar se nuk është angazhuar në procesin e privatizimit.
*********
Pjesa I, e botuar dje:
Rreth dy vite më parë ky privatizim shkaktoi shumë “zhurmë” dhe prokuroria nisi një hetim ndaj ishministrit të ekonomisë Genc Ruli, por më pas hetimet kaluan në stanjacion dhe dosja u arkivua. Gazeta “DITA” ka mundur të sigurojë analizën e bërë në Prokurorinë e Përgjithshme për këtë dosje. E gjithë historia lidhet me çmimin favorizues dhe me përfshirjen e bizneseve pranë qeverisë për këtë privatizim. Ish-Ekspozita Shqipëria Sot gjendet në zonën 7/1 të ndarjes territoriale në Tiranë. Gjatë hetimit u konstatua se zonat kufitare me të ishin të vlerësuara nga instancat shtetërore me një çmim për m2 disa herë më të lartë se zona 7/1.
Për këtë vlerësim janë përdorur një sërë referencash si VKM, vendime të AKKP-së etj, e pikërisht këtu ka nisur dhe hetimi i prokurorisë. Aspekti i dytë është fakti se ish-pronarët e truallit që nisën privatizimin kishin bërë një kontratë paraprake me biznesmenin Arian Tartari (bashkëshorti i deputetes Albana Vokshi), ku kompania e Tartarit ndër të tjera merrte përsipër dhe realizimin e procedurës së privatizimit. Prokuroria ka nisur hetimin duke pyetur zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë dhe të AKKP-së të përfshirë në proces, mes tyre dhe ish-ministrin Genc Ruli, i cili duket se ka bërë “të paditurin” në lidhje me pyetjet për mënyrën se si u vendos një çmim dukshëm i ulët vetëm për parcelën 7/1. Më pas prokuroria pasi ka dëgjuar shpjegimet e zyrtarëve dhe metodologjinë që ata kanë thënë se është përdorur, ka marrë një eksperte vlerësimi për të hartuar një përllogaritje të re të vlerës së kësaj prone bazuar në këto metodologji. Raporti i ekspertes ka zbuluar se çmimi i fiksuar ka ulur vlerën e truallit në afro 650 mijë dollarë, duke krijuar një avantazh të dukshëm për ish-pronarët dhe kompaninë e Tartarit që kishte lidhur një parakontratë me ta.
Genc Ruli
Jane marrë deklarimet e shtetasit Genc Ruli, ish – Ministër i M.E.T.E – s, lidhur me procesin e privatizimit të ish – ekspozitës. Sipas tij, ministri i M.E.T.E-s kishte kompetencën ligjore për të kryer privatizimin e objekteve që ishin pronë shtetërore. M.E.T.E bënte miratimin për privatizim të çdo objekti pasuror si mbi bazën e kërkesës së ish pronarëve ashtu edhe me kërkesë të agjencive shtetërore që kishin në administrim prona shtetërore. Gjithashtu M.E.T.E bënte vlerësimin e objektit për privatizim duke ngritur për këtë qëllim një grup ekspertësh vlerësues. Dosjet e privatizimit të objektit të përgatitura nga ky grup i përcilleshin Ministrisë së Financës e cila është organi shtetëror që bën shitjen e objektit.
Ruli deklaroi përpara prokurorit se M.E.T.E nuk ka bërë caktimin e vlerës së truallit pronë publike që iu shitej ish-pronarëve, pasi caktimi i çmimit të truallit pronë publike për kompesimin e ish-pronarëve përcaktohej nga A.K.K.P-ja dhe miratohej me vendim qeverie. Çmimi për përcaktimin e vlerës së sipërfaqes së truallit merrej nga harta e miratuar e vlerës së truallit.
I pyetur nëse para apo gjatë procesit të privatizimit ka patur kontakte me pronarët e truallit, përfaqesues të tyre apo me ndonjë subjekt ndërtues, apo nëse këta të fundit kanë kërkuar ndërhyrjen e tij në këtë proces, ky shtetas ka deklaruar se nuk ka zhvilluar asnjë takim me ish – pronarët e truallit të Ish-Ekspozitës dhe as me përfaqësues të tyre apo me shoqëri ndërtimi të interesuara për atë truall. Ka patur kërkesa të përsëritura shkresore nga pronarë apo përfaqësues ligjorë të pronarëve ku kërkohej privatizimi i objektit në favor të tyre. Ata paraqitnin dokumentat e vërtetimit të pronësisë pasi pronësia e tyre mbi këtë truall ishte jo vetëm e njohur dhe e kthyer por edhe e regjistruar në emër të tyre në Z.R.P.P – Tiranë.
Hetimi i çmimit të parcelës 7/1
Prokuroria i ka kërkuar Agjencisë së Kthimit dhe Kompesimit të Pronave dokumentacionin lidhur me përllogaritjet e bëra për përpilimin e hartës së vlerës e cila ka shërbyer si bazë për nxjerrjen e vendimit të qeverisë Nr.139 në të cilën është bazuar fiksimi i çmimit. A.K.K.P – ja ka kthyer përgjigje sipas të cilës në arkivën e saj nuk rezulton të ketë material shkresor që lidhet me përpunimin e të dhënave të administruara nga institucionet e treta për qytetin e Tiranës, pasi përpunimi i të dhënave dhe treguesve mund të jetë kryer në mënyrë elektronike.
Janë marrë deklarimet e shtetasit P.Çobaj, i cili nga muaji nëntor i vitit 2005 deri në muajin maj të vitit 2008 ka patur detyrën e Shefit të Sektorit të Vleresimit të Pasurive të Paluajtshme pranë A.K.K.P-së Tiranë. Më pas deri në muajin dhjetor të vitit 2008 ka punuar si specialist pranë këtij sektori. Lidhur me procedurat e ndjekura për përcaktimin e vlerës së trojeve dhe hartës së vlerës të miratuara me V.K.M – në Nr. 139, ai ka shpjeguar se i gjithë informacioni i marrë dhe baza e të dhënave janë siguruar nga një numër i konsiderueshëm institucionesh të treta. Kjo referuar kritereve të metodikës për vlerësimin e pasurive të paluajtshme që kompensohen dhe atyre që do të shërbenin për kompensim, të miratuara me Vendimin e Kuvendit të vitit 2005.
Loja me çmimin
Moment i rëndësishëm i evidentuar gjatë hetimeve ishte çmimi lek/m2 i pasqyruar në të dy vendimet e qeverisë . Përkatësisht në vendimet Nr. 139 dhe Nr. 1620 çmimi i truallit në zonën 7/1 (Ekspozita) paraqitet i njëjtë në vlerën 42 mijë e 621 lek/m2. Nga ana tjetër çmimi në zonat kufitare në të dy vendimet e mësipërme ka ndryshuar. Përshembull për zonën 10/1 (zonë kufitare me ekspozitën) vendimi i parë i qeverisë paraqiste çmimin 51 mijë e 815 lek/m2 ndërsa në vendimin e dytë për të njëjtën parcelë paraqitet çmimi 120 mijë lek/m2. Lidhur me faktin se si ka gjeneruar ky çmim pra nga 51 mijë e 815 lek në 120 mijë lek shtetasi Genc Ruli ka deklaruar se dikasteri që drejtonte nuk ishte as organ sugjerues, as propozues në procesin e përcaktimit të hartës së çmimeve. Ai tha se e vetmja lidhje që institucioni që drejtonte kishte me A.K.K.P – në, ishte që për çdo objekt që do privatizohej në favor të ish-pronarëve merrej konfirmim për çmimin e truallit.
Lidhur me përcaktimin e çmimit të shitjes së truallit të ish – Ekspozites Ruli ka deklaruar se është përdorur metodika e formuluar dhe miratuar me ligj që në vitin 2005. Sipas tij metodika ndonëse e kritikuar nuk u modifikua.Referuar ekspertëve dhe specialistëve të shumtë kjo ishte një metodikë standard e marrë nga praktika e vendeve të tjera por mospërputhjet e çmimeve të trojeve që nxirreshin sipas saj dhe çmimeve reale që vërtetoheshin në tregun e shitjes së trojeve private vinin kryesisht nga cilësia dhe pamjaftueshmëria e informacioneve bazë që jepeshin të përgatitura paraprakisht nga një mori institucionesh të ndryshme.
Ekspertimi i çmimit
Ky deklarim i Genc Rulit sipas të cilit fiksimi i çmimeve bëhej pas bashkërendimit të informacioneve nga disa institucione të ndryshme, ka bërë që prokuroria të thërrasë një eksperte të pavarur për të bërë vlerësimin. Prokuroria ka pajtuar inxhinieren E.Lame për të bërë interpretimin dhe vlerësimin e vlerave dhe metodikave që ishin gjetur si justifikim nga Ruli dhe zyrtarët e tjerë.
Prokuroria shtroi këto pyetje për eksperten:
1.Në terma teknikë çfarë parashikon vendimi i Kuvendit të Shqipërisë i vitit 2005“Për metodikën e vlerës së tokës”?
2.Të përcaktohet çmimi i shitjes së trojeve në zonën 7/1, (territori i ish – ekspozitës Shqipëria Sot) si dhe në zonat kufitare me të për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2007 dhe për vitin 2008 bazuar në metodikën e përcaktuar me vendimin e vitit 2005 të Kuvendit të Shqipërisë.
3.Në varësi të përcaktimit të vlerës së truallit lek/m2 në zonën 7/1, të përcaktohet se sa është vlera e truallit për sipërfaqen 2984.3 m/2 në raport me të dy vitet (gjashtë mujori i dytë 2007 dhe për vitin 2008 )?
4.Si ka ndryshuar kufiri ndarës midis zonës 7/1 dhe zonës 10/1 në hartat e çmimeve të K.K.K.Pronave nga viti 2004 e deri sot ?
Pasi ka bërë vlerësimet ekspertja ka kthyer këto përgjigje për secilën pyetje:
1.Vendimi i Kuvendit të Shqipërisë i vitit 2005 nënkupton metodikën që duhet ndjekur për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme duke përcaktuar për çdo lloj pasurie kriteret që duhet të merren parasysh për nxjerrjen e vlerës, përgatitjen e hartës së vlerës së pronave dhe burimet e marrjes së të dhënave për vlerësimin e pronës.
2.Për çmimin e shitjes së trojeve në këtë zonë bazuar te metodika që referuan zyrtarët, nga ana e ekspertes janë marrë në konsideratë tre raste, si më poshtë:
-Zhvillimi i pronës me godina shumëkatëshe të ngjashme si ato të ngritura në anën lindore e perëndimore – vlera paraqitet 101 mijë e 455 lekë/m2.
-Zhvillimin i pronës me godina të ngjashme në anën veriore e jugore 5 – katëshe, ndërtime të para viteve 90 –të, pa kate nëntokë parkim, e kate përdhe banim , ku vlera paraqitet 46 mijë e 116 lek/m2.
-Moszhvillimi i pronës (i njëjtë me zhvillimin aktual ) ndërtim 1 –katësh, ku vlera paraqitet 41 mijë e 175 lek/m2.
-Në mesatare të të tre varianteve të mësipërme ekspertja jep opinionin e saj se vlera e tokës truall e pronës objekt vlerësimi, për fundvitin 2007 e fillim vitin 2008 është 62 mijë e 915 lekë.
Ndërsa për zonat kufitare çmimet varionin nga 52 mijë e 788 lekë deri në 75 mijë 298 lekë.
3. E pyetur në lidhje me vlerën e sipërfaqes që prokuroria kishte si objekt hetimi, pra sipërfaqen që përfshinte sipërfaqen në kontratën e lidhur nga Tartari prej 2984 metra katrorë, ekspertja ka arritur në konkluzionin se bazuar në vlerën mesatare prej 62 mijë e 915 lekë/m2 , vlera e sipërfaqes 2984m/2 del 187 milionë e 757 mijë e 234 lekë. Me vlerën e realizuar nga shitja që kishin bërë pronarët e truallit te kompania private diferenca është 60 milionë e 563 mijë e 384 lekë. Pra rreth 650 mijë dollarë më shumë del vlera e truallit sipas përllogaritjes së ekspertes.
4. Në lidhje me pyetjen e katërt ekspertja ka sqaruar se kufiri ndarës i zonës 7/1 dhe zonës 10/1 në zonën ku ndodhet objekti i vlerësimit nuk ka ndryshuar.
Konfrontimi me zyrtarët
I pyetur lidhur me konkluzionet e Aktit të Ekspertimit, shtetasi P.Çobaj ish-Shef i Sektorit të Vlerësimit të pasurive të Paluajtshme pranë A.K.K.P –së ka deklaruar se vlera e trojeve të përcaktuara në një moment të caktuar nuk është fikse dhe ndryshon nga njëri vit në tjetrin në bazë të ndryshimeve që pësojnë të gjithë treguesit fiskal imobiliar të studimeve urbanistike dhe sidomos të tendencës që ka rritja e përqindjes së shkëmbimit midis pronarëve dhe firmave ndërtuese. Si pasojë kërkohet që për çdo vit të bëhet azhornimi i vlerës së hartës. Ai ka thënë se për nxjerrjen e vlerës së trojeve për qytetin e Tiranës është marrë një informacion nga Zyra e Urbanistikës së Bashkisë së Tiranës që nga viti 2001 deri në vitin 2007, për të patur një saktësi sa më të madhe u morën vlera të një periudhe më të gjatë kohore. Kjo analizë mbështetej në metodikë dhe për të rritur saktësinë e përllogaritjeve.
Lidhur me konkluzionet e arritura në ekspertimin e kryer, shtetasi P.Çobaj ka deklaruar se ekspertja i është referuar të dhënave të një viti që janë tregues më të avancuar. Sipas tij nuk janë të njëjtat të dhena për periudha të ndryshme kohore.
Botuar sot në DITA / Nesër do të lexoni:
1- Kontrata paraprake mes Tartarit dhe ish-pronarëve nuk u gjet në zyrën e noteres
2 – Ditën e firmosjes së kontratës Tartari rezultonte se ndodhej jashtë vendit
3 – Çfarë deklaruan personazhet në prokurori për kontratën?
Korupsion,krim,klanor-verior dhe sigurimsa edhe shume poshtersi te tjera qe te gjithe i dime.Se fundi dhe Shkullaku eshte bere avokati i Berishes.Sa turp.Nuk mund te mbrohet Berisha duke e barazuar me Ramen.Berisha eshte mire te shikoje si te mare nje garanci qe pas zgjedhjeve te mos shkoje ne gjyq.Fundi i krimineleve eshte i afert!Ky eshte fundi i turpshem per Berishen dhe PD-ne dhe sahanlepirsit e tyre.
Cfare pret nga zoti Ruli. Shife fytyren e tij dhe shkruaj.Ai shiti drurin e arres per te fituar ca leke dhe jo mos beje para te pista vetem me kalemin e Sali shpellarit.
a mundesh me ja fut vetes permrapa ate qe ke ne dore more qen
Hajdut profesionist.
Mjerim profesional
Skuth i klasit te pare
Per mendimin tim cdo prone e tundshme apo e patundshme duhet te verifikohet nga nje pale e pa varur nga qeveria.
Korrupsioni me i madh vjen prej saj. Njerezit qe kane banuar ne te njejten shtepi mbi 70 vjet i eshte thene te dalin prej saj edhe pse ajo ishte banese e blere prej prinderve te tyre.
Truallet e gjysherve dhe baballareve te tyre i eshte zhdukur nishani nga anetaret e qeverise.
Truallet e blera in 1994 zhvendosen nga nje vend ne vendin tjeter nepermjet qeverise locale apo anetareve te bashkise se rrethit, e keshtu me rradhe.
Ku e gjeti te drejten nje minister te privatizoj apo manipuloj pronen qe i perket dikujt tjetri mbi 70 vjet.
Rrespektimi i prones private eshte nje ghe e shejte nga te gjitha vendet demokratike por no ne shqiperi.
Ndershmerisht,