Sekuestrohen pasuritë e paluajtshme të një shtetasi të kërkuar nga policia zvicerane për trafikim të lëndëve narkotike. Pasuritë u sekuestruan në Tiranë dhe Durrës pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Tiranës.
Bëhet fjalë për 2 apartamente dhe 2 dyqane në Tiranë si dhe për 21 mijë m2 tokë në Sauk të Tiranës dhe në Gjirin e Lalzit në Durrës, të cilat ishin fshehur nën emrin e familjarëve të personittë akuzuar si trafikant droge, me iniciale F.M, i kërkuar nga policia zviceriane.
Prokuroria e Tiranës ka njoftuar se “pas kërkesës së saj, gjykata ka vendosur sekuestro preventive për pasuritë e paluajtshme të shtetasit F.M, me vendbanim në Tiranë, i akuzuar për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose aktiviteteve kriminale”.
Ky shtetas akuzohet nga autoritetet zviceriane për “Shkelje të ligjit për drogës, trafik i organizuar heroine, posedim dhe konsumim heroine”.
Nga veprimet proceduriale dhe hetimi pasuror kriminal, të kryera nga Prokuroria e Tiranës, në bazë të materialit kallëzues të mbërritur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, janë identifikuar disa pasuri të këtij shtetasi, të cilat dyshohet se janë të tijat dhe që dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale, por që pronësia e tyre është fshehur duke u vendosur në emër të familjarëve.
Në përfundim të veprimeve hetimore, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur sekuestro preventive për pasuritë e mëposhtme, të cilat gjenden në Tiranë dhe Durrës:
Pasuri e llojit tokë arë, sipërfaqe totale 21.000 m2, në Gjirin e Lalzit e Marikaj të Durrësit;
dy apartamente, me sipërfaqe totale 210 m2, në Tiranë dhe dy dyqane, me sipërfaqe totale 140 m2, në Tiranë.