Në Fort Greely (Alaskë) është vendosur një pjesë e strukturës së ushtrisë amerikane që operon në mbrojtje të territorit kombëtar kundër sulmeve të huaja me raketa. Pas kërcënimeve koreanoveriore të viteve të fundit, autoritetet e Shteteve të Bashkuara i janë drejtuar shpesh herë kësaj baze
Avionët luftarakë F-16 pas ngritjes nga baza e forcave ajrore “Eielson”, nga lartësia tregojnë drejtimin e mjeteve ushtarake që ndjekin njëri-tjetrin në autostradën “Richardson”. Jemi në Alaskën qendrore (63 gradë gjerësi veriore), në mbretërinë e akujve ku gjatë kësaj periudhe të vitit dielli nuk e njeh perëndimin.
Disa orë me makinë në lindje të Fairbanks (qendra e fundit urbane para mbërritjes në Rrethin Polar Arktik), shtrihet në një terren prej 320 hektarësh Fort Greely, baza ushtarake më veriore e Shteteve të Bashkuara. Asaj i është besuar mbrojtja territoriale e Shteteve të Bashkuara prej rreziqeve që vijnë përtej Paqësorit verior, rëndësia e së cilës është bërë akoma më domethënëse qëkur Koreja e Veriut i është rikthyer retorikës së luftës nën regjinë e presidentit Kim Jong Un.
Fortesa e pozicionuar rreth 6 mijë kilometra nga Pheniani, është një lloj kabine gjigante në gjendje që të ndërhyjë sa herë që lideri i ri sorollatet për të dhënë prova force dhe kërcënimesh ndaj komunitetit ndërkombëtar. Objektivi për të neutralizuar raketat e pajisura me material bërthamor me një rreze veprimi përtej 5.500 km quhet “Intercontinental ballistic missile” (Icbm).
Në bodrumet nëntokësore të Fort Greely ndodhen 25 ‘interceptorë’ të konsideruar si “vrasësit e qiellit”, në gjendje për të arritur një lartësi prej 160 km dhe një shpejtësi prej 30 km/orë. Menaxhimi i tyre i është besuar njësisë “49th Space & Missile Defense Battalion” të rojes kombëtare të Alaskës. Ky është njëri nga dy komplekset që merren vetëm me çështjet e raketave, tjetri ndodhet në Kaliforni. Së bashku veprojnë si gardianë të Paqësorit.
Sa i përket armatimeve, Fort Greely është baza më e madhe qëkur Obama urdhëroi dërgimin e 14 raketave në Alaskë, si përgjigje ndaj tensionimit të Phenianit. “Paqja është në interesin e të gjithëve, për atë punojmë. Aktualisht nuk ka asnjë tension të veçantë, por bëhet fjalë vetëm për të menaxhuar një rrezik të mundshëm. Ndërsa për të tjerat punohet si gjithmonë”, thotë njëri nga ushtarkët e saj që prezantohet vetëm me emrin Willy.
Ekziston një lidhje e fortë dhe e thellë midis shtetit të hyrë në unionin e SHBA-së në vitin 1959 dhe ushtrisë amerikane. Mjafton të sintonizohesh në stacionet radifonike lokale për të dëgjuar se si publicitetet e bankave dhe të sigurimeve i dedikojnë një tribut të veçantë “heronjve ushtarakë”. Në këtë shtet kufitar, thuajse të gjithë pensionistët kanë qenë dikur pjesë e forcave të armatosura.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, jeta në bazën e re amerikane u përqendrua në dhënien e ndihmës me mjete ajrore Unionit Sovjetik kundër Gjermanisë e Japonisë.
Me fillimin e Luftës së Ftohtë, Fort Greely u shndërrua në “Artic training center”, qendër për stërvitjen në zonat e rrezikuara si pasojë e kontestimit të territoreve si Siberia. Me rënien e Perdes së Hekurt, baza ushtarake iu nënshtrua një riorganizimi tërësor, i cili në 2004-n përkoi me aktivizimin e programit më të madh raketor të Shteteve të Bashkuara. Roli saj do të rezultonte strategjik me shtimin e kërcënimeve nga Kim Jong Il dhe testet bërthamore e balistike të urdhëruara nga regjimi koreanoverior.
Sot në Fort Greely jetojnë rreth 1500 persona. Aty gjithçka zhvillohet sipas protokolleve ushtarake por në një klimë të vërtetë ndërkëmbimi njerëzor dhe me vetëdijësimin e të pasurit një rol të dorës së parë për sigurinë e kombit./ D.Gjuzi