Gjithnjë e më tepër “alkooli”, po shndërrohet në një mik besnik edhe për shqiptarët. Ndonëse flitet shpesh për dëmet e alkoolit në shëndet,ky fakt nuk e pengon aspak kthimin e disa gotave edhe mbi normat e lejuara. Shifrat e raportuara nga autoritetet shëndetësore tregojnë se pavarësisht dëmeve ndaj të cilave ekspozohen, shqiptarët duket se i qëndrojnë më besnik faktit se kthimi i vazhdueshëm i disa gotave, nuk bën dëm. Ndërkohë që në të vërtetë një teori e tillë vetëm sa shton varësinë e tyre ndaj alkoolit, e për pasojë edhe dëmet në shëndet. Po sipas autoriteteve shëndetësore, tashmë edhe në radhët e shqiptarëve, po shtohet numri i pirësve të rregullt të alkoolit, kategorie e cila kapërcen në kufijtë e alkoolpirjes abuzive. Megjithatë, për të shpëtuar nga problemet shëndetësore nuk është e thënë që të shmangim rreptësisht pirjen e alkoolit. Kthimi i ndonjë gote nuk është gjithmonë i rrezikshëm. Në një intervistë për gazetën “Dita” Roland Shuperka, Kordinator Kombëtar për Politikat e kontrollit të Alkoolit, tregon se kujdes duhet të kemi ndaj pirjes abuzive të alkoolit, për të mos fituar varësi. Në vijim, Shuperka detajon për lexuesit e “Ditës”, problemet që shfaqen në shëndet nga përdorimi i tepruar i alkoolit, si dhe kategoritë që duhet të jenë më të kujdesshme që të shpëtojnë nga kthetrat e varësisë alkoolike.
Çfarë është alkoolizmi?
Alkoolizmi, i njohur edhe si vartësia nga alkooli, është një sëmundje e cila përfshin katër simptomat e mëposhtme: “Dëshirë e papërmbajtur për të pirë. Humbje e kontrollit, pra të mos jesh në gjendje të ndalosh të pirën nëse ke filluar. Vartësi fizike. Simptomat e tërheqjes prej tij si ndjenja e të vjellës, djersitje, dridhje, ankth pas ndalimit të të pirës. Toleranca, nevoja për të pirë sasira gjithnjë e më të mëdha alkooli për të ardhur në “qejf”.
A është alkoolizmi një sëmundje?
Po, alkoolizmi është një sëmundje. Dëshira e papërmbajtur për të pirë alkool mund të jetë aq e fuqishme sa edhe ajo për ujë apo bukë. Një alkoolik do të vazhdojë të pijë pavarësisht nga problemet familjare, legale apo shëndetësore Si shumë sëmundje alkoolizmi është kronik, që do të thotë se ai mund të zgjatë gjatë gjithë jetës së një personi. Zakonisht ai ndjek një ecuri të parashikueshme dhe ka simptomat e veta. Risku për t‘u bërë alkoolist varet si nga gjenet ashtu edhe nga mënyra e jetesës së personit.
A trashëgohet alkoolizmi?
Në fakt studimet tregojnë se alkoolizmi ka bazë familjare. Trashëgimia e gjeneve të një personi e shpjegon pjesërisht alkoolizmin, por edhe mënyra e jetesës është një faktor. Aktualisht po punohet për të zbuluar rolin e gjeneve në alkoolizëm. Shoqëria, stresi si dhe disponueshmeria e alkoolit janë faktorë të tjerë që rrisin riskun e alkoolizmit. Por mos harroni së risku nuk është një fat. Kjo nuk do të thotë se domosdoshmërish fëmija e një alkoolisti do të bëhet alkoolist. Disa njerëz bëhen alkoolistë edhe pse në familjet e tyre nuk ka pasur fare probleme të alkoolit. Por duke e ditur se ju jeni nën risk, është një gjë e mire që ju ndihmon për të mbrojtur vetën që mos të bëheni alkoolist.
A mund të kurohet alkoolizmi?
Jo. Në stadin aktual alkoolizmi nuk mund të kurohet. Edhe pse alkoolisti mund të ketë një kohë të gjatë që nuk ka pirë, ai prapë do të bjerë në një mëkat të ripirjes. Që të mos ndodhë kjo ai duhet të shmangë pijet alkoolike.
A mund të trajtohet alkoolizmi?
Po, alkoolizmi mund të trajtohet. Programet e trajtimit të alkoolizmit përdornin si këshillimin ashtu dhe medikamentet për të ndaluar pirjen e tij. Shumica e alkoolistëve kërkojnë ndihmë për të lënë alkoolin. Me mbështetje dhe trajtim shumë alkooliste ndalojnë të piren dhe fillojnë ndërtimin e një jetë të re.
Cilat medikamente e trajtojnë alkoolizmin?
Ka një seri medikamentesh që përdoren për trajtimin e alkoolizmit. “Valium” dhe “Librium” përdoren ndonjëherë gjatë ditëve të para pasi një person ndalon të pirët, për ta ndihmuar atë që të heqë dorë prej tij. Megjithatë këto medikamente nuk mund të përdoret pas kalimit të ditëve të para, pasi organizmi mësohet shumë shpejt me to. Medikamente të tjera përdoren që t‘i ndihmojnë njerëzit të qëndrojnë esëll. Një medikament që përdoret për këtë qëllim është “ReVia”. Kur kombinohet me këshillime të mjekut ai mund të ndihmoje në pakësimin e dëshirës së madhe për të pirë alkool ose mund ta pengojë një person që t’i kthehet përsëri të pirës së fortë. Një tjetër medikament është Antabuse që bën një dekurajim të të pirës, pasi e bën tjetrin të ndihet keq kur pi alkool.
Megjithatë nuk ka një ilaç magjik që mund të shërojë këdo dhe kurdo. Zhvillimi i medikamenteve të tilla po përbën një nga prioritetet bazë të atyre që merren me alkoolizmin.
A funksionon trajtimi i alkoolizmit?
Për shumë njerëz ai funksionon. Megjithatë si për shumë sëmundje kronike ai jep rezultate të ndryshme në vartësi të njeriut. Disa ndalojnë të pirën dhe qëndrojnë esëll. Disa kanë periudha të gjatë të të qenurit esëll me momente pirjeje. Ndërsa të tjerë nuk ndalojnë dot fare. Megjithatë një gjë është e qartë. Sa më gjatë një person qëndron pa pirë as më tepër mundësi ka që ai të mos bjerë pre i ripirjes.
A duhet të jesh alkoolist që të kesh probleme me alkoolin?
Jo. Alkoolizmi është vetëm një lloj i problemeve të alkoolit. Edhe abuzimi me alkool mund të jetë po aq i dëmshëm. Një person mund të abuzojë me alkoolin, pra ai mund të pijë shumë dhe shumë shpesh dhe të mos krijojë vartësi nga alkooli. Disa nga problemet që mund të sjellë ky abuzim janë mospërmbushja e punëve, shkollës ose përgjegjësive familjare, ndalimi nga policia duke i dhënë makinës i dehur, përplasjet me makinë dhe gjendje shëndetësore që lidhen me të pirën. Ndonjëherë edhe e pira në aktivitete sociale apo e pira e moderuar mund të jetë e dëmshme për shembull kur je shtatzanë ose kur nuk je mirë me shëndet.
A ka grupe specifike njerëzish më tepër mundësi të kenë probleme me alkoolin?
Abuzimi me alkool dhe alkoolizmi nuk duan t’ia dijë për gjininë, racën apo kombin. Megjithatë përgjithësisht ka më tepër gra sesa burra që varen nga alkooli ose kanë probleme me alkoolin. Problemet me alkoolin janë më të mëdha në moshën 18-29 vjeç dhe më të pakta në moshën mbi 65 vjeç. Gjithashtu dihet se njerëzit që e fillojnë alkoolin në mosha të hershme si 14 vjeç e më pak, kanë shumë mundësi që të kenë probleme me alkoolin gjatë jetës së tyre, sesa ata që e fillojnë më vonë
A mundet që një person me probleme të alkoolit ta reduktojë pirjen?
Varet. Nëse ai person është diagnostikuar si një alkoolik përgjigja është “jo” . Alkoolikët që tentojnë ta ulin dozën rrallë arrijnë sukses. Kursi më i mirë i shërimit është abstenimi ndaj alkoolit. Ndërsa njerëz të cilët nuk janë alkoolistë, por që kanë pasur probleme që lidhem me alkoolin mund t‘a reduktojë dozën e alkoolit. Nëse nuk e bëjnë dot këtë, atëherë ata duhet ta ndërpresin atë fare.
Cili është niveli i sigurte i të pirës?
Për shumicën e të rriturve përdorimi i moderuar i alkoolit deri në dy gota në ditë për burrat dhe një për gratë dhe të moshuarit shkakton pak ose aspak probleme.
Por disa njerëz nuk duhet të pinë fare si:
- Gratë shatëzana ose ato që planifikojnë një shtatzani
- Ata që kanë ndërmend të ngasin makinën ose ata që punojnë në punë që kërkojnë vëmendje të madhe (me makineri me shpejtësi të mëdha)
- Njerëzit që marrin medikamente të caktuara pa recetë ose me recetë
- Njerëzit me gjendje shëndetësore të cilat mund të keqësohen nga të pirët
- Alkoolistët në kurë e sipër
- Të rinjtë me moshë nën 18 vjeç
Shifrat e alkoolpirjes
Rezultatet e një studimi pilot të kryer mbi konsumin e alkoolit në popullatën e Tiranës dhe qëndrimet ndaj alkoolit u pa se është shqetësues fakti që 2.0 për qind e personave konsumonin në nivele abuzive. Pra 22 për qind përdorin alkoolin mbi moshën 15 vjeç, e thënë ndryshe 1 ndër 4 ose 5 shqiptarë përdorin alkool mbi normat e lejuara. Nga studimi rezultoi: “Pjesa që nuk pi fare alkool dhe pjesa e popullatës që përdor alkool në norma të lejuara përbën 78 për qind. Rreth 20 për qind e popullatës përdor mbi normat e lejuara dhe që janë objekt i zbulimit dhe ndërhyrjes së menjëhershme nga punonjësit e shëndetit dhe trajtohen me këshilla të thjeshta dhe të shkurtra nga mjekët e familjes. Ndërsa 2 për qind janë përdorues të rëndë (të alklkoolizuar) objekt i trajtimit të specializuar, mjek, psikolog, punonjës social, edukues. Njohja e detyruar e dëmtimeve nga alkooli, këshillimet e shkurtra nga mjekët ambulatore e aftësimi i tyre për të ulur rreziqet e alkoolit dhe zhvillimi i mëtejshëm i veprimeve praktike përkatëse janë 4 objektiva me rëndësi të kulturës shëndetësore dhe të veprimtarisë së mjekësisë parandaluese. Gjatë hartimit të programeve duhet pasur parasysh dhe përvoja specifike e grumbulluar në praktikën e përditshme mjekësore. Pacientët alkoolikë paraqesin një shumëllojshmëri faktorësh që ndërhyjnë duke nxitur përhapjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të alkoolizmit.
Alarmi tek të rinjtë
Fatkeqësisht alkooli është kërcënim real për një të ri, ul aftësinë e të mësuarit, pengon zhvillimin emocional dhe mendor, redukton aftësinë për të arritur qëllimet e njeriut në jetë, rrit rrezikun për abuzimin me drogë, pirja në adoleshencë mund të ketë pasoja serioze të lidhura me: “Aksidentet, ekspozim të rrezikshëm ndaj aktiviteteve kriminale dhe abuzimit, shkelje të ligjit dhe konflikt me prindërit, seks i pasigurt të (HIV, shtatzani aksidentale, përdhunime), konflikte, luftime ,humbje te miqve. Qindra të rinj shqiptarë abuzojnë në alkoolpirjen duke shkaktuar dëme të rënda në zhvillimin e tyre fizik, mendor dhe moral. Konsumi i lartë i pavarur tek të rinjtë dhe pakujdesia nga ana e prindërve dhe mësuesve, të cilët kanë humbur kontrollin dhe nuk janë në dijeni mbi rrezikun që u kanoset fëmijëve të tyre prej alkoolpirjes. Më tej nga një sondazh i bërë në Tirane 15 për qind e përdoruesve të automjeteve janë përdorues të rregullt të alkoolit dhe 19 për qind janë përdorues të rastësishëm.
Sidoqoftë alkooli mund të sjell: “Çlirim të përkohshëm në një situatë të stresuar, vizione të këndshme dhe njëkohësisht të rrezikshme, ul vetëkontrollin dhe ndikon në një periudhë reagimi, sjell eufori dhe ulje të reflekseve gjatë përdorimit të automjeteve”.
Pasojat
Konsumi i pijeve alkoolike mendohet se është përgjegjës për rreth 9 për qind të gjithë peshës së sëmundjeve në rajonin evropian, duke rritur ndër të tjera rrezikun për cirrozë hepatike, tension të lartë të gjakut, sëmundje të zemrës, hemorragji cerebrale, pankreatit dhe kancer të gojës, faringut, ezofagut, stomakut, mëlçisë dhe rektumit (zorrës). Alkooli dëmton në mënyrë akute sferën psikomotore dhe njohëse të njeriut. Dëmtimi i sferës së kontrollit emocional mund të çojë në ushtrim dhune ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve. Përveç kësaj alkooli shton rrezikun e problemeve në familje, në vendin e punës dhe problemeve sociale siç janë moskryerja e punës, mungesa në punë, papunësia, aksidentet, futja në borxh dhe problemet e strehimit.
Alkooli i dënon më tepër gratë sesa burrat
Po alkooli vepron ndryshe edhe tek femrat. Madje shëndeti i këtyre të fundit është shumë herë më i rrezikuar. Gratë dëmtohen më lehtë se burrat pas pirjes të së njëjtës sasi të alkoolit. Kjo madje edhe kur merret në konsideratë pesha trupore. Kjo ndodh pasi gratë kanë më pak lëngje në trup kështu që e njëjta sasi alkooli tek ato koncentrohet më tepër. Po ashtu mendohet së gratë kanë një shtresë të brendshme që vesh stomakun, më të hollë dhe me sasi më të vogël të enzimës “detoksifikuese alcohol dehydrogenase”. Si pasojë një grua mund të dehet me gjysmën e sasisë që dehet një burrë. Prandaj për gratë rekomandohet sasi më e vogël alkooli. Përveç kësaj, abuzimi kronik me alkool i dënon më tepër gratë sesa burrat. Vartësia nga alkooli dhe problemet që lidhen me të si dëmtimi i trurit, zemrës dhe mëlçisë përparon shumë me shpejt tek gratë sesa tek burrat.
Në asnjë rast “jo” alkool gjatë shtatzanisë
Jo. E pira gjatë shtatzanisë është e rrezikshme. Alkooli mund të ketë një numër efektesh tek fetusi. Fëmija mund të lindë me vonese mendore ose me probleme të të mësuarit apo sjelljes që mund të zgjasin për gjithë jetën. Dihet që këto probleme mund të parandalohen 100 për qind nëse nuk pihet alkool gjatë barrës. Mënyra më e mirë për gratë që janë shtatzana ose kanë ndërmend të mbeten është të mos pinë asnjë pikë alkool.
Alkooli vepron ndryshe tek të moshuarit
Efektet e alkoolit ndryshojnë me moshë. Koha e reagimit më e ngadaltë, probleme me dëgjimin dhe shikimin dhe një tolerancë më e ulët ndaj efekteve të alkoolit, i vendosin të moshuarit në një risk më të lartë për t‘u rrëzuar, për t‘u përplasur me makinë dhe lloje të tjera dëmtimesh që mund të vijnë nga të pirët.
Të moshuarit po ashtu kanë tendencë të marrin më tepër medikamente se të rinjtë. Përzierja e alkoolit me medikamente mund të jetë shumë e rrezikshme, madje fatale. Më tepër se 150 medikamente ndërveprojnë në mënyrë të dëmshme me alkoolin. Përveç kësaj shumë gjendje të zakonshme shëndetësore të kësaj moshe si ulcera, tensioni, alkooli mund t‘i rëndojë dhe më tepër. Ndryshimet fizike të pleqërisë mund t‘i bëjnë të moshuarit që të ndjehen në “formë” edhe me shumë pak alkool. Pra të moshuarit duhet të reduktojnë pirjen e alkoolit vetëm në një gotë në ditë.
Alkooli duhet ndërprerë kur jeni duke marrë mjekim
Mundësisht. Më tepër se 150 medikamente ndërveprojnë në mënyrë të dëmshme me alkoolin. Këto ndërveprime mund të sjellin dëmtime, sëmundje madje edhe vdekje. Efektet e alkoolit rriten nga medikamente që deprimojnë sistemin nervor qendror si ato që merren për gjumë, antihistaminiket, anidepresivet, ata kundër ankthit dhe disa medikamente kundër dhembjes. Po ashtu edhe disa medikamente kundër diabetit, tensionit të lartë, sëmundjeve të zemrës mund të kenë ndërveprim të dëmshëm me alkoolin. Nëse ju jeni duke marrë medikamente, do të bënit mirë të pyesnit mjekun nëse mund të pinit apo jo alkool gjatë asaj kohe.
Eshtë alkooli i mirë për zemrën?
Studimet kanë treguar se pirësit e moderuar meshkuj të cilët kanë pirë dy ose më pak gota në ditë kanë më pak mundësi të vdesin nga sëmundje të zemrës sesa ata që nuk pinë fare alkool ose ata që pinë më tepër se kaq. Mendohet se kjo sasi alkooli ndihmon në kiminë e gjakut duke mos lejuar koagulimin e gjakut në arteriet e zemrës. Nëse ju nuk jeni pirës është më mirë që të mos e filloni atë për këtë arsye. Ju mund të mbroheni nga sëmundjet e zemrës përmes metodave të tjera si ushtrimeve, dietës. Në fakt pirja e forte rrit riskun për sëmundje zemre, hemorragji cerebrale dhe tension të lartë si dhe cirrozë të heparit.
prsh sapo e lexova artikullin tuaj dhe me pelqeu shume kjo tema mbi alkolin alkoli vtet jetet njerzve