Kandidati i Partisë Social Demokrate për Bashkinë e Fierit Albert Çaçi ka ftuar dy kandidatët e tjerë për këtë bashki që të përballen para publikut të Fierit për alternativat e tyre për këtë qytet dhe për rrethinat e tij.
Çaçi tha dje në një takim me banorët e qytetit të Fierit se dy kandidatët e partive të mëdha duhet të mos kenë frikë po të vijnë të flasin para popullit.
Kandidati i PSD-së, një ish-deputet i Partisë Socialiste për tre mandate, ose një deputet i orëve të para siç e quajnë në Fier dhe në PS, ka vendosur të kandidojë nën siglën e PSD-së, pas distancimit që i bëri partia e tij, por ai si kandidat dhe PSD përfaqësojnë të majtën e vërtetë si dhe të gjithë socialistët e Fierit.
Gjithashtu Çaçi tha në Fier se kundërshtarët e tij po bëjnë fushatë me miliona, duke veshur qytetin me flamuj e banderola, ndërsa njerëzit ankohen për varfërinë, mungesën e zhvillimit, papunësinë e korrupsionin.
Ai ishte në një takim me banorët e lagjes 16 Prilli në qytetin e Fierit, ku qytetarët ngritën problemet që shqetësojnë sot këta banorë si papunësia, mungesa e infrastrukturës dhe largimi i të rinjve në emigracion duke mos parë asnjë shpresë në vend.