Gruaja katolike dhe burri i saj protestant nuk u lejuan të varroseshin së bashku. Kështu që familjarët gjetën një zgjidhje për t’i mbajtur ata të bashkuar edhe pasi vdiqën. Në pjesën e varrezave protestane u varros J.W.C van Gorcum, kolonel i Kavalerisë Holandeze, ndërsa në pjesën katolike u varros e shoqja, J.C.P.H van Aefferden. Ata ishin martuar kur vajza ishte 22 vjeçe, ndërsa djali 33 dhe kishin qëndruar së bashku për 38 vjet me radhë. Gruaja vdiq tetë vjet pas burrit dhe mundësia e vetme për të qenë afër tij ishte varrosja në anën tjetër të murit. Rasti bëri bujë të madhe dhe preku zemrat e banorëve të qytetit Roermond, ku dy duar të gurta lidhin varret që ndahen nga një mur.
Varreza Recoleta është më e famshmja në Argjentinë, për shkak se në të prehen trupat e Eva Duarte de Peron e njohur si “Evita”, liderë ushtarakë dhe presidentë të vendit, shkencëtarë, artistë dhe njerëz të pasur. David Alleno ishte thjesht një emigrant italian, i cili ëndërronte të prehej krah tyre kur të vdiste. Ai punoi në këtë varrezë nga viti 1881-1910 dhe kurseu paratë e mjaftueshme për të blerë pak tokë për varrin e vet.
Madje, ai u kthye në atdheun e tij për të gjetur një artist që do t’i gdhendte statujën në mermer. Legjendat thonë se pasi varri përfundoi, ai u vetëvra brenda tij. Por, ka zëra të tjerë që thonë se ai vdiq disa vite pasi varri i tij ishte bërë gati.
Një tjetër histori e çuditshme nga Argjentina. Sërish në varrezat Recoleta. Siç shihet në foto, statujat e një burri dhe një gruaje janë ulur në karrige me shpinën kthyer njëri-tjetrit, duke parë në drejtime të kundërta. Poshtë tyre prehen një çift bashkëshortësh, të varrosur në të njëjtin pozicion. Historia e ka zanafillën në amanetin e burrit, i cili në shtratin e vdekjes pati një amanet të veçantë: të varrosej në një pozicion që simbolizonte marrëdhënien e tij me të shoqen. Ata i kishin kaluar 30 vitet e fundit të martesës pa këmbyer asnjë fjalë me njëri-tjetrin.
Një histori tjetër, krejt e kundërt me atë që ju treguam më sipër. Fernand Arbelot ishte një muzikant dhe aktor, i cili vdiq në vitin 1990 dhe u varros në varrezën Pere Lachaise, në Paris. Dëshira e tij e fundit para se të shkonte në botën e përtejme ishte të mund të shikonte fytyrën e së shoqes në përjetësi.
Varreza Père Lachaise në Paris është ndoshta më e vizituara në botë, për shkak të monumenteve të bukura dhe rëndësisë së personave të varrosur aty. Varri më dramatik i përket një shkrimtari, për të cilin pjesa më e madhe e njerëzve as kanë dëgjuar ndonjëherë. Georges Rodenbach ishte një shkrimtar belg i shekullit të nëntëmbëdhjetë.
“Bruges-la-Morte”, një prej romaneve të tij të publikuara në 1892, tregon historinë e një burri që mban zi për vdekjen e gruas së tij. Për këtë arsye, varri i Rodenbach është konceptuar si vetë ai, që del nga vendi ku prehet me një trëndafil në dorë.
Një tjetër histori dashurie që i kalon kufijtë e vdekjes. Kur Mary, bashkëshortja e Jonathan Reed, vdiq në vitin 1893, burri donte ta kishte në krah me çdo kusht. Kështu, ai u zhvendos në varrin e saj, ku jetoi me një papagall për 10 vite të tjera pas vdekjes së saj. Pas vdekjes së burrit, të dy bashkëshortët u bashkuan në të njëjtën mënyrë.
I mbani mend kapëset prej druri të rrobave? Jack Crowell ishte pronari i fabrikës së fundit që prodhoi të tilla në SHBA. Ai la amanet që mbi varrin e tij të skalitej një e tillë, në mënyrë që fëmijët të kishin mundësi të luanin sa herë kalonin aty. Ai u varros në Middlesex.