Ambasadori grek në Shqipëria, Leonidas Rokanas, shprehet se Greqia është e angazhuar për zgjidhje sa më të shpejtë të shkakut të kthimit të shtetasve shqiptarë nga policia greke. Sipas tij, disa udhëtarë janë lejuar të kalojnë, me gjithë pasaktësitë e gjetura në shkrimin e toponimeve greke në pasaportat biometrike të shqiptarëve. Gjatë një takimi në Bashkinë e Sarandës, Rokanas u shpreh se megjithatë, nuk është korrekte të mos shkruhen në trajtën ndërkombëtare emrat e qyteteve apo fshatrave greke, kur përdoren për dokumente zyrtarë me përdorim ndërkombëtar. Sipas tij, kjo është një normë e gjithëpranuar dhe si e tillë është e detyrueshme të aplikohet për të gjitha shtetet.
“Nuk mund të shkruhet në pasaportë Korfuz-Greqi, që është e saktë sipas gjuhës shqipe, por jokorrekte për emërtimin ndërkombëtar, që do të duhej të shkruhej Corfu-Grecce”, citon GSH ambasadorin grek.
Rokanas shoqërohej nga konsulli i përgjithshëm i konsullatës greke në Gjirokastër, Nikolaos Kotrakoi. Ai u prit në një takim nga nënkryetari i bashkisë Jorgo Mitro dhe Mariel Murati, drejtor i kabinetit të kryetarit Çipa. Gjithashtu, gjatë takimit u bisedua edhe në lidhje me marrëveshjen e re për autobusët e linjave të transportit Greqi-Shqipëri. Rokaknas tha se ky problem do të rishikohet dhe për këtë kanë marrë takim me ministrin shqiptar të Transporteve, Sokol Olldashi.