Kancelarja gjermane ka shtuar presionin mbi fuqitë e eurozonës Francë dhe Itali që të punojnë më shumë për të vënë rregull në financa dhe ekonomi.
Komisioni ekzekutiv i Bashkimit Europian hoqi dorë muajin e kaluar nga sanksionimi në atë moment i dy vendeve për mospërmbushje të objektivave të financave publike, duke u dhënë kohë deri pranverën e ardhshme që të përpunojnë plane më të mira për të reduktuar borxhin dhe deficitin buxhetor.
Merkel një mbrojtëse e madhe e disiplinës fiskale dhe reformave strukturore, si dhe kreu i qeverisë së shtetit me ekonominë më të madhe në Europë, u citua të dielën nga gazeta “Welt am Sonntag” duke theksuar se vendimi i Komisionit Europian është i justifikueshëm, sepse Franca dhe Italia janë në procesin e kryerjes së reformave. Megjithatë ajo shtoi se komisioni e ka bërë të qartë se “ajo që kemi deri tani nuk është e mjaftueshme” dhe se ajo bie dakord me këtë.
Në intervistën e dhënë për gazetën gjermane kancelarja gjithashtu akuzoi Rusinë se po ndërhyn në çështjet e brendshme të disa vendeve që po tentojnë të ngushtojnë marrëdhëniet me Bashkimin Europian. Muajin e kaluar Presidenti rus Vladimir Putin firmoi një marrëveshje “asocimi strategjik” me rajonin separatist të Abjasias në Gjeorgji, diçka që provokoi kritika të forta nga Bashkimi Europian dhe NATO.
Pas këtyre lëvizjeve Merkel akuzoi Moskën se po tenton që vendet e Ballkanit të jenë ekonomikisht dhe politikisht të varura nga Rusia me objektivin për të fituar influencë në këto rajone. Kancelarja gjermane mbrojti vendimin që mori në samitin e NATO-s në 2008 që të mos lejonin që Ukraina dhe Gjeorgjia të ishin pjesë e Aleancës Ushtarake, por pohoi kompromisin e organizatës për të mbrojtur vendet në lindje të Europës, si Polonia, apo shtetet balltike që janë anëtare të saj.
Nuk ka asnjë arsye për të folur për një luftë në Balltik, por pavarësisht kësaj neni 5 i traktatit të NATO-s që sheh sulmin ndaj çdo anëtari të aleancës si një sulm ndaj aleancës në tërësi qëndron ende, shtoi ajo. Merkel u mbrojt edhe nga kritikat e paraardhësve të saj, të cilët i bënë thirrje që të vërë në zbatim një marrëdhënie më të afërt dhe më pajtuese me Moskën.