Në qytetin e Durrësit zhvillojnë aktivitetin e peshkimit rreth 170 mjete të madhësive të ndryshme. Prej vitesh peshkatarët ankohen për kushtet e vështira në të cilat ndodhen, pasi kanë vështirësi të shumta, duke filluar që tek zona e ankorimit, që është jashtë të gjitha kushteve dhe standardeve detare dhe nuk mjafton për flotiljen e peshkimit. Po kështu riparimet fundore rreth 80 % i kanë të pamundura që t’i bëjnë pas eleminimit të kantierit detar. Në gjueti dalin ndërkohë rreth 40 % e tyre, pasi kanë vështirësi në sigurimin e pjesëve të këmbimit, si dhe riparimit.
Rimbursimet
Një vështirësi tjetër është edhe mungesa e rimbursimit të naftës, e cila krahasuar me vendet fqinje, është shumë më shtrenjtë. Kryetari i Sindikatës së Peshkimit, Klodjan Kapiti, tregon për një paradoks që anijet shqiptare që kanë mundësi, shkojnë dhe furnizohen me naftë shqiptare në Mal të Zi, me rreth 1200 lekë të vjetra litrin, ndërsa në vend e kanë të pamundur që të furnizohen. Kjo po çon në faliment shumë peshkatarë, të cilët si në Durrës, ashtu dhe në rrethe të tjera, po nxjerrin anijet në shitje. Kreu i sindikatës thekson se gjendja është kaq e rëndë, sa që mund të quhet në prag të mbijetesës. “Kjo mbijetesë, në kushtet e sotme, është kthyer në një makth të vërtetë. Pasi sot në peshkim mungojnë të gjithë faktorët kryesorë për të kryer funksionet normale të një flote peshkimi”, shprehet Kapiti. Ai rendit 3 probleme madhore si: gjendja në portin aktual, naftën, si dhe portin në ndërtim e sipër të peshkimit, i cili paralizon gjithë aktivitetin e peshkimit për momentin dhe infrastrukturën mbështetëse, duke përfshirë edhe stabilimentet e peshkimit, si dhe punonjësit që janë të punësuar në to.
Nafta deri në Mal të Zi
Një problem jetik është nafta, e cila për peshkimin ka një çmim të lartë, krahasuar me të gjitha vendet e rajonit. Kapiti thotë se që nga viti 2007, nafta nuk rimbursohet më dhe se ky furnizim në vendin tonë nuk është më funksional. “Tashmë të gjitha anijet e mëdha shkojnë dhe furnizohen në shtetet fqinje dhe ju siguroj, që të paktën në Mal të Zi, ato furnizohen me naftë shqiptare, e cila shkon atje nga firmat e hidrokarbureve shqiptare të licencuara për import eksport. Nafta shkon në Mal te Zi dhe anijet shqiptare shkojnë atje ku shitet afërsisht sipas bursës rreth 1200 lekë”, shpjegon kreu i sindikatës.
Kantieri i riparimit mungon
Mungesën e kantierit të riparimit, Kapiti e cilëson si problem mjaft madhor. “Ka 4 vite që kantieri i dikurshëm është shuar fare. Mungesa e slipit, mekanizmit që nxjerr në tokë anijet e mëdha të peshkimit dhe që kryenin shërbimet fundore të mjeteve, ka bërë që të rrezikohen në lundrim seriozisht. Duke pasur mbi 4 vite pa këtë shërbim, rreth 80 % e flotës ndodhet në gjendje kritike. Sot, anijet mbi 100 tonë mund të ngrihen vetëm me bigën lundruese “Adem Reka”. Dhe kjo gjendje kërkon zgjidhje”, shpjegon Kapiti.
Porti aktual s’i mban dot anijet, por edhe i riu po bëhet i vogël
Në bankinat e sotme të peshkimit, mund të ankorohen vetëm 40 mjete. Nuk ka vend realisht. Të tjerat ankorohen aty ku u jep leje Kapiteneria e Portit. Nga 170 anije që janë, ka vend vetëm për 40 prej tyre. “Por edhe porti i ri i peshkimit, nuk ka destinacion për peshkimin. Është mjaft i vogël dhe i kufizuar. Që në fillim, kemi pasur rezervat tona për projektin e portit të ri të peshkimit, pasi nuk i përmbush kushtet për strehimin e të gjitha anijeve të peshkimit. Ishte menduar që të strehonte 220 mjete, por ai nuk e ka këtë kapacitet”, thotë kreu i sindikatës, Klodjan Kapiti. Në basenin e brendshëm manovrat janë mjaft të vështira për t’u bërë, sidomos për anijet me rreth 40 metra gjatësi. Dhe janë 120 mjete që kanë këtë gjatësi. Po kështu thekson, hyrja e portit është projektuar në mënyrë mjaft difektoze.
Proud to be Albanian! Moj kasolle ku na mblodhe, thote populli.
mreekullite e kapitalizmit salist shqiptar.
dhe patriotizmit ka kufi te lidereva tane politike.
ngordhalaq dhe Qelbesira
Mire me mire edhe keta ne rrezik falimentimi sikurse dhe fshataret etj etj..po peshku ne nje vit u grit dufish cmimi apo s’ka gje…te shkretet peshkatare..nashti nga leket e taksapaguesve do tu subvencionojme edhe naften…jemi me mire pa peshkatare se e grine peshkun keq e me keq…