Sektori i ndërtimit është një nga më të goditurit e ekonomisë dhe kjo pasyrohet veç te tjerash dhe në nivelin e ulët të punësimit. INSTAT ka publikuar shifrat më të fundit të anketës së forcave të punës, me të dhënat deri në fund të 2012-s. Sipas këtyre informacioneve rezulton se ky sektor ka humbur më shumë vende pune. Sipas INSTAT, të punësuarit në këtë sektor kanë rënë në 29 mijë në fund të vitit 2012, nga 35 mijë në vitin e mëparshëm dhe 56 mijë që ishin të punësuarit në ndërtim në vitin 2003. Të njëjtën tendencë kanë dhe të punësuarit në industrinë përpunuese, të cilët nga rekordi i lartë prej 63 mijë që kishin arritur në 2011 zbritën në 50 mijë në 2012. Ulja e të punësuarve në këto dy sektorë është kompensuar me hapjen e vendeve të reja në tregti, nga 65 mijë persona në 2011 në 83 mijë vetë në 2012, duke përbërë gati 20 për qind të të punësuarve në sektorin jo bujqësor. Në sektorët e tjerë numri i të punësuarve nuk ka shënuar ndryshime të dukshme nga viti në vit.