Anulohet takimi i planifikuar mes drejtuesve të Fedarës së Futbollit të Kosovës me përfaqësuesit e institucionit më të lartë futbollistik të Serbinë dhe zyrtarëve të FIFA-s. Lajmi bëhet i ditur në faqen zyrtare në internet të federatës kosovare, ku theksohet se “në datën 27 nëntor, FIFA ka nisur një letër në adresë të Kosovës ku bën me dije anulimin e takimit të planifikuar për t’u zhvilluar në Zyrih të Zvicrës në datën 29 nëntor”. Në komunikatën zyrtare të federatës kosovare nuk bëhen të ditura shkaqet e shtyrjes së takimit për një datë tjetër. Sipas informacioneve nga Prishtina, në mbledhjen e përbashkët do të diskutohej mes të tjerash edhe për mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve miqësore të kombëtares së Kosovës. Aktualisht, FIFA nuk e ka njohur ende Federatën e Futbollit të Kosovës dhe një pengesë e madhe për të hedhur këtë hap është bërë Federata Serbe e Futbollit. Takimi i fundit mes tre palëve ku morën pjesë presidentët respektivë të federatave u zhvillua në muajin tetor të këtij viti.