Avokati i Popullit ka dërguar një rekomandim për ndërprerjen e menjëhershme të veprimeve të kundërligjshme të punonjësve të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë ndaj shtetasit Skënder Tufa etj., ish-i dënuar politik të regjimit komunist.
Rekomandimi i drejtohet drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ndërsa për dijeni i është dërguar edhe ministrit të Brendshëm Flamur Noka.
Në të thuhet se pavarësisht pretendimeve të policisë se shtetasit Skënder Tufa, Fatmir Lloçi, Petrit Lipo dhe Besim Valeri nuk mbahen në vëzhgim nga strukturat e DPQ Tiranë apo të Policisë së Shtetit, “ju bëmë të ditur se pretendimet e ankuesit për mbajtjen e tij në vëzhgim 24 orë në 24 nga punonjësit e policisë kriminale të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë, ishin provuar në tre raste nga stafi i Avokatit i Popullit, ndërsa në njërin prej këtyre rasteve edhe personalisht nga vetë Avokati i Popullit. Ky rast ka ndodhur në datën 01.03.2013, në momentin që ankuesi dhe dy shokët e tij ishin paraqitur në institucionin tonë për të bërë ankesë për këtë shqetësim. Nga verifikimi i bërë në këtë rast rezultoi se ata mbaheshin në vëzhgim nga dy punonjës të policisë kriminale, të cilët u identifikuan me saktësi nga ana jonë. Avokati i Popullit dhe stafi i tij komunikuan drejtpërdrejtë me të dy punonjësit e policisë, të cilët ndërmjet të tjerave pranuan se ishin ngarkuar nga eprorët e tyre me detyrën e vëzhgimit të ankuesit në mënyrë të hapur gjatë 24 orëve”.
Nga Avokati i Popullit rekomandohen marrjet e menjëhershme të masave për ndërprerjen e veprimeve të kundërligjshme të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë, për shoqërimin herë pas here në polici dhe mbajtjen në vëzhgim të shtetasve (ish-të përndjekur politikë) Skënder Tufa, Fatmir Lloçi, Petrit Lipe dhe Besim Valeri.