Nga Mihal Kalia
T’u referohesh rilindasve tanë, do të thotë të mbështetesh në vlerat e kombit. Vështirë se mund të gjesh njeri në vendin tonë që të mos dijë se vargjet himn: “Për Shqipërinë/ditët e mira/paskëtaj vinë/shkoi errësira/lum kush të rronjë/ta shohë zonjë!” të poetit kombëtar, Naim Frashëri. Vetëm në Parlamentin shqiptar gjen ndonjë të tillë, ku deputetja e PD-së, me pompozitetin që ia kërkon foltorja dhe “seriozitetin” e çështjes, i citon këto vargje, por… me autorësinë e Pashko Vasës!
Për ditë më të mira besoi populli shqiptar edhe në përkrahjen e fuqishme që u dha transformimeve demokratike të vendit, por jo për hir të lemerisë epistemologjike që ka parë akademiku ynë, veç të tjerash, në antropologji, ku thirrjen e fuqishme të Pashko Vasës për bashkim të popullit shqiptar: “Feja e shqyptarit asht Shqyptaria!”, në poezinë kryevepër “O moj Shqypni!”, e konsideron tezë totalitariste dhe fyese për kombin. Kjo, po, vërtetë është e lemerishme! Përçartje të tilla që dëshmojnë injorancë e ligësi, urrejtje dhe agresivitet, i gjen me shumicë në arenën politike të vendit tonë.
Politikanët tanë e kanë bërë zgjedhjen e gjuhës me të cilën komunikojnë dhe kundërshtojnë njëri-tjetrin, atë të rrugës, folësit e së cilës nuk mund të quhen ndryshe, veçse rrugaçë. Fjalimet e liderit histerik të PD-së në Parlament, herë të bëjnë të qeshësh si me një palaço parlamenti, herë të trishtohesh për injorancën gjuhësore apo filozofike të një njeriu që pretendon të ndriçojë e të drejtojë demokracinë e nje vendi, herë të revoltohesh për guximin dhe paturpësinë në përligjjen banale të krimeve dhe klithmave e sokëllimave, si prej një matufi çmendarak që kërcënon për krime të tjera shkatërrimtare… herë të acarohesh me mefshtësinë qeverisëse, herë i fyer, kur fare hapur prej budallallëkut, mendojnë se kanë përpara një popull budalla që i kapërdin idiotësitë dhe hipokrizitë e tyre.
Fundamentalisti është ithtar i pikëpamjeve a lëvizjeve fetare dhe karakterizohet nga një qëndrim fetar i skajshëm. Shprehja e preferuar e liderit “Ignorantia non e argumentum” përbën kuotat më të larta të ligjërimit të tij politik që, përzier me egërsinë e një inatçori sedërqar, e vë atë në pozitë të padenjë me humbjen e kontrollit të mendimit e të veprimit. Ndoshta kjo është arsyeja që provoi t’i ndërtojë fjalimet me mënyrën karakteristike të tregimit të përrallave, si për të realizuar unitetin e formës me përmbajtjen, pra, në politikën e tij përrallë, ku gjejnë vend shumë fjalë parazite, vulgare dhe pa funksion, si “elifi matrak”, “u kapi barku ju?”, “çullak”, “byk”, “prisni, prisni!”, “ua them unë ju”etj., që shoqërohen me kontraktime dhe lëvizje të pakontrolluara, të cilat krijojnë situatë komike.
Pinjolli i bindur i liderit histerik thotë se: “Kujt i shkonte ndërmend që njeriu që gjakosi në komisariat gjashtë njerëz, do të ishte sot në Parlament?!”. Sigurisht, se që të të shkojë mendja për diçka, duhet të kesh mendje. Por ky zotëri i menderuar harron se në Parlament livadhis idhulli i tij i damkosur me të gjitha hipokrizitë e hipokritëve, me të gjitha shpifjet e shpifarakëve, me të gjitha dredhitë e dredharakëve, me të gjitha marrëzitë e të marrëve, me të gjitha krimet e kriminelëve dhe me të gjitha tradhtitë e tradhtarëve.
Ja dhe thelbi i fjalimit politik: “Detyra ime është t’u shpjegoj shqiptarëve kush vjedh, çfarë vjedh, si të shpëtojmë nga vjedhja”. Ka sinqeritet apo budallallëk në këtë detyrë që i ka ngarkuar vetes?! Sepse, në të vërtetë, kush mund t’u tregojë më mirë shqiptarëve se si mund t’i shpëtosh drejtësisë nga vjedhja! Përvoja e tij është e suksesshme. Ai u deklaron njerëzve atë që që nuk do ta dëshironte kurrë ta shprehte, por aftësitë e fjalimit politik tek ai janë në nivelin më të ulët, ku edhe skuthllëku nuk i bën dobi për një retorikë që të shkaktojë efekte te dëgjuesit e t’i bindë ata, aq më tepër që terminologjia, jo vetëm nuk përdoret në funksion të tematikës, por, përkundrazi, e banalizon atë: “Unë jam që t’u jap shqiptarëve bukë e jo bajga”, thotë ky shpëtimtar i Shqipërisë, i ardhur për fatin e saj “të mirë” nga humbellat e shpirtit skëterror. “Ikni, shporruni, largohuni!”, u drejtohet kundërshtarëve në pushtet me zërin e tij të çjerrë e të pastërvitur për fjalime, por me oreksin e madh për t’u ulur në karriget e tyre. Kështu mendon i mjeri! Kur nis të lehë njëri qen i tufës, nisin të lehin pas tij edhe të tjerët: “Kemi akoma sekretarë të kohës së Enverit, të rinisë e të Partisë”, çirret ai, duke e konsideruar këtë konstatim si pamundësi që me njerëz të tillë të pretendosh demokraci dhe si pamundësi ta presësh atë prej forcës politike kundërshtare. Kjo thënie është pohim i drejtpërdrejtë i alternativës së zgjedhur nga kjo forcë politike që ka të bëjë me çdo gjë tjetër, veç jo me demokracinë e vendit.
Atë, që do ta damkoste si tradhtar, hapjen e depove të armëve në vitin ’97 dhe për të cilën akuzonte kundërshtarët dhe “bandat e tyre kriminale”, sot e pranon si veprimin më të mençur që bëri për të shpëtuar popullin shqiptar. Gjithë kjo, sepse kërkon të përligjë çmendurinë e thirrjes fashiste për luftë, për rrëmbimin e armëve, e shprehur kjo jo vetëm në përmbajtjen e thënies, por edhe në formën e saj, në lëvizjet e pakontrolluara, në një shfytyrim kanosës dhe në konvulsionet epileptike. Shtihet trim kur thekson se:“ Nuk i heq asnjë presje deklaratës sime”, por në fakt është aq frikacak sa jo vetëm presjet i ka hequr, por edhe pikëçuditëset, kur thotë se “Ishte vetëm një propozim ligji për armatosjen e qytetarëve”. Kujton ky aventurier mendjeshkalur se qytetarët do të mbrojnë deri dhe me jetën e tyre krimet e tij?!
Është apatia e forcës politike në pushtet, e shoqërisë civile, e intelektualëve që i jep kurajo këtij përbindëshi të rrisë gradualisht dozat e kërcënimit me një arrogancë krenare. Ai sfidon shtetin, politikën, demokracinë, inteligjencien e vendit. Në çmendurinë e tij, nëse gjen pak kthjellësi, ajo është kur sfida mbërrin te populli, i cili mençurinë e qëndrimin e vet e ka treguar në kutitë e votimit, ku ka qenë kategorik në refuzimin ndaj këtij njeriu të dashuruar me krimin, këtij gënjeshtari, shpifësi profesionist, ciniku, sherrxhiu, harbuti e gojështhururi, sajuesi situatash të rreme, këtij njeriu pa moral e ideal. Mediat, sidomos ato pamore, mbushin emisione të tëra me debatet në studio, por, mesa duket, interesi i tyre është t’i fryjnë zjarrit dhe jo ta shuajnë atë. Këta tregtarë fjalësh, që intervistojnë liderin historik, e zhvlerësojnë fjalën deri në atë masë sa kryekrimineli i këtij vendi të ligjërojë shpenguar për dekriminalizimin, të akuzojë për krime kundërshtarët nga pozitat e një luftëtari të devotshëm kundër kësaj dukurie primitive “me të cilën nuk mund të bëjë asnjë kompromis”. Asnjëherë nuk e ndieu veten ngushtë duke folur për ngjarjet e 97-ës, për ngjarjen e Gërdecit, për vrasjet e 21 janarit e për shumë bëma të tjera.
Thirrjet për armatosje të qytetarëve, pohimet për autorësinë e 97-ës dhe për një grusht shteti më mizor se 98-a, më tepër sesa lajthitje e ligjëruesit, është mefshtësi e plogështi e gjithë politikës shqiptare, pozitë dhe opozitë. Njëzet e pesë vjet që kjo hardallosje nuk shuhet e zhduket, pavarësisht se palët hahen si qeni me derrin. Pra, u intereson të dyja palëve, pavarësisht dozës së njërës apo tjetrës , që marrëzia të jetë e pranishme, ndryshe, kjo qyqe do e kishte ndërprerë këngën e saj. Të krijohet përshtypja se pozita qeverisëse bën aq sa mund të bëjë për ta mbajtur me frymë opozitën aktuale, sigurisht në emër të domosdoshmërisë pluraliste, edhe pse kjo lloj opozite ka treguar qartë, edhe kur ka qenë në pushtet, se pluralizmin e sheh si pengesë, ndaj marrëdhëniet me kundërshtarin politik i ka ndërtuar gjithmonë mbi bazën e konfliktit, zgjidhjen e të cilit e ka kërkuar te përdorimi i armëve, si e vetmja rrugë që, më së paku, garanton destabilizimin e vendit, çka për ta është frymëzim për thurje kurthesh të reja.