Për të vijuar studimet e larta në një nga degët e arteve, sporteve apo dhe arkitekturës, krahas rezultateve të arritura përmes maturës shtetërore, maturantët duhet të sigurojnë pikët maksimale edhe në konkurset specifike që pritet të zhvillohen në javën e parë të muajit shtator.
Agjencia Kombëtare e Provimeve ka zbardhur tashmë në faqen e saj zyrtare udhëzimin e plotë në lidhje me procedurat se si do të zhvillohen konkurset e pranimit në këto degë, së bashku me pragun minimal të pikëve që kandidati duhet të sigurojë në të gjitha fazat e testimeve të konkursit. Për të marrë pjesë në konkurse kandidatët duhet të bëjnë detyrimisht regjistrimin në një nga datat e përcaktuara (16 deri në 27 gusht) pranë sekretarive mësimore të secilit universitet, duke derdhur edhe tarifën e përcaktuar për regjistrimin. Për t’u regjistruar kandidatët duhet të dorëzojnë dosjen me dokumentet e kërkuara, të cilën e gjeni të detajuar në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Kostoja që maturantët duhet të paguajnë për të marrë pjesë në këto konkurse mbart vlera të ndryshme në varësi të fakultetit. Sikundër ka ndodhur edhe në maturat e mëparshme, tarifat më të larta për këtë vit shkojnë në degën e arkitekturës. Për të marrë pjesë në tre fazat e konkursit që do të zhvillohen në këtë fakultetet kandidatët duhet të shlyejnë tarifën prej 8000 lekësh. Ndërsa për degët e tjera tarifa e regjistrimit ndryshon nga 4000 në 5000 lekë sipas llojit të universitetit. Kandidatët që duan të vijojnë studimet në degët e arteve apo të sporteve duhet të tregojnë kujdes maksimal gjatë plotësimit të formularit A-2. Kjo pasi pranimet në këto degë do të përzgjidhen nga testimet specifike, që do të zhvillohen në nisje të muajit shtator. Kështu, maturantët-kandidatë që parapëlqejnë më shumë programet e studimeve që parashikojnë konkurs, si: arte, sporte, arkitekturë, dhe vendosin t’u nënshtrohen konkurseve përkatëse të pranimit, në preferencat e tyre këto programe duhet t’i rreshtojnë në krye të listës, përndryshe rrezikojnë të humbasin shansin për t’u shpallur fitues në këto degë. “Paketa informuese për renditjen e degëve në formularin A-2 vë në dukje se ndodh shpesh që maturanti-kandidat mund të arrijë nivelin e fituesit në disa programe studimi të përzgjedhura prej tij. Por, pavarësisht kësaj theksohet se ai shpallet fitues në preferencën më të lartë (të sipërme) të këtij grupi. Kjo është arsyeja që në plotësimin e formularit A-2 është shumë e rëndësishme jo vetëm përzgjedhja e programeve të studimit (preferencat), por dhe renditja e tyre prioritare”, – saktësohet në udhëzuesin për renditjen e programeve ku maturanti duhet të vijojë studimet e larta. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara të plotë datat dhe tarifat që duhet të paguajnë secili kandidat. Për të vijuar më tej garën e pranimit kandidatët duhet detyrimisht që gjatë fazave të testimit të sigurojnë pikët minimale të detajuara në tabelën bashkangjitur shkrimit.
Procedura që duhet të ndiqet nga maturantët
Rregullat e konkurrimit
– Për të marrë pjesë në konkurs fillimisht duhet bërë regjistrimi, ku dorëzohet dosja me dokumentet e kërkuara në data 16-27 gusht sipas orareve të caktuara.
Dosja e regjistrimit duhet të përmbajë:
– Diplomën e maturës të këtij viti ose dëftesën e pjekurisë për kandidatët që kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2012. Në dosje kërkohet kopja e noterizuar e secilës prej tyre.
– Po ashtu kandidati duhet të dorëzojë dokumentin e identifikimit, që mund të jetë karta e identitetit ose pasaporta.
– Pjesë e dokumenteve është edhe mandati arkëtimit të tarifës së regjistrimit në filialin përkatës të një banke të caktuar.
– Gjithashtu kërkohen edhe dy fotografi të individit që konkurron.
Datat e zhvillimit të konkurseve
Universiteti i Arteve, Tiranë
Për të tre fakultetet, konkursi zhvillohet në datat 2-6 shtator
Universiteti i Sporteve të Tiranës
Për të dy fakultetet, konkursi zhvillohet në datat 2-4 shtator
Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër
Edukim Fizik dhe Sporte, konkursi zhvillohet në datat 2-4 shtator Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan
Edukim Fizik e sporte, konkursi zhvillohet në datat 2-4 shtator Universiteti Politeknik i Tiranës,
Për të dyja profilet konkursi zhvillohet në datat 2-4 shtator
Universiteti “A. Moisiu”, Durrës (programe në gjuhë angleze)
Për të gjitha fakultetet konkursi zhvillohet në datat 2-4 shtator
Akademia e Arteve, Shkodër
Për të dy fakultetet konkurset do zhvillohen në datat 2-4 shtator
Tarifat e regjistrimit për të marrë pjesë në të gjitha degët me konkurs
Në të gjitha programet e studimit në Universitetin e Sporteve të Tiranës: 5000 lekë.
Në të gjitha programet e studimit në Universitetin e Arteve, Tiranë: 5000 lekë.
Në programet e studimit në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër: 5000 lekë
Në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte” në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan: 4000 lekë.
Në programin e studimit “Arkitekturë” dhe “Arkitekturë-urbanist” në Universitetin Politeknik të Tiranës: 8000 lekë.
Në të gjitha programet e studimit të Akademisë së Arteve në Shkodër: 5000 lekë.
Raporti ndërmjet pikëve të konkursit dhe provimeve të maturës për të fituar një të drejtë studimi
Në Universitetin e Arteve të Tiranës dhe në Akademinë e Arteve në Shkodër rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e maturës shtetërore) do të llogariten në masën 30% dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 70%.
Konkurrimi për kandidatët e Akademisë së Arteve të Shkodrës do të bëhet në bashkëpunim me Universitetin e Arteve të Tiranës, në ambientet e këtij të fundit. Kandidati që nuk kalon pragun e pikëve minimale të konkursit të pranimit, nuk fiton të drejtën e studimit.
Në Universitetin e Sporteve të Tiranës rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e maturës shtetërore) do të llogariten në masën 50%, kurse rezultatet e konkursit të pranimit në masën 50 %.
Në Universitetin Politeknik të Tiranës për programet e studimit “Arkitekturë” dhe Arkitekturë-urbanist” rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e maturës shtetërore) të llogariten në masën 40%, kurse rezultatet e konkursit të pranimit në masën 60%.
Në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, dhe “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporteve” rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e maturës shtetërore) do të llogariten në masën 50%, kurse rezultatet e konkursit të pranimit në masën 50%.
Në programet e studimit të FASTIP të Universitetit “Aleksandër Moisiu”,
Durrës, rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e maturës shtetërore) të llogariten në masën 40%, kurse rezultatet e konkursit të pranimit (gjuha angleze dhe intervista e punësimit) në masën 60%.