Muajt e fundit të vitit 1947, evidentojnë hapur pakënaqësitë e udhëheqjes shqiptare ndaj Jugosllavisë së Titos. Ndërkohë, diplomatët rus në Tiranë kanë pikasur një grup në udhëheqjen shqiptare (Nako Spiro, Mehmet Shehu, Liri Belishova, etj) kanë prirje pro sovjetike dhe informojnë Stalinin…Sipas dokumenteve origjinale të arkivave sekrete ruse (përfshirë në studimin e Hamit Kabës e Ethem Çekut), në vazhdim sjellim për lexuesin pjesë nga ditari sekret i sekretarit të Parë të Ambasadës ruse në Tiranë (13 shtator 1947) lidhur me informacionin në Moskë për përkeqësimin e marrëdhënieve të Enverit me Titon dhe shfaqjen e një grupi në udhëheqjen shqiptare me prirje pro ruse…
(Bisedë e regjistruar e A.I. Lavrentjev me J. B. Titon, mbi marrëdhëniet e Jugosllavisë me Shqipërinë, Bullgarinë, Hungarinë dhe Rumaninë)
Beograd, më 13 dhjetor 1947
Sekret
Sot i bëra një vizitë Titos.
1. Pasi e njoftova, se qeveria shqiptare i ka drejtuar qeverisë sovjetike një kërkesë, për furnizimin e Shqipërisë me 5 mijë ton tërshërë, në shkëmbim të furnizimit me lëndë të parë – lëkurë e bakër, e pyeta Titon nëse nga ana e qeverisë jugosllave ka ndonjë kundërshtim ndaj këtij operacioni.
Tito u përgjigj, se për këtë çështje duhet të konsultohet me Kidriçin, për arsye se, marrëdhëniet tregtare midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë nuk janë zhvilluar normalisht. Gjatë këtij viti, Jugosllavia ka shpenzuar për Shqipërinë, në formën e shërbimeve të ndryshme dhe në formën e furnizimit me mallra, afërsisht 2 miliard dinarë, por në këmbim, Shqipëria nuk ofroi asgjë. Prandaj, ka ekzistuar atmosfera e një keqkuptimi. Në takimin e djeshëm me Enver Hoxhën, i cili ndaloi në Beograd gjatë rrugës për në Sofje, u prekën të gjitha këto probleme. Tito foli sinqerisht me Enver Hoxhën, duke i ngritur atij pyetjen se çfarë mund të shpresonte Shqipëria në të vërtetë, në rast se do të mbante politikën që të çon drejt prishjes së marrëdhënieve, gjë të cilën u përpoq të bënte edhe Nako Spiru. Enver Hoxha, në bisedë shprehu qartësisht mendimin e tij, mbi domosdoshmërinë e afrimit të mëtejshëm ekonomik e politik midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë.
Me sa duket, u shpreh më tej Tito, Shqipërisë i duhet të përfshihet në planin pesëvjeçar jugosllav, ndërsa shpenzimet e ushtrisë së saj, të përfshihen në buxhetin e ushtrisë jugosllave.
Pyetjes time, nëse Enver Hoxha gjatë kohës së qëndrimit në Sofje do ta nënshkruante paktin e aleancës, Tito iu përgjigj pozitivisht. Pakti bullgaro-shqiptar për nga karakteri është i ngjashëm me paktin jugosllav-shqiptar.
2. U prek çështja e vizitës së delegacionit qeveritar jugosllav në Bullgari. Tito tha, se ky udhëtim i ka lënë atij përshtypje jashtëzakonisht të thellë. Para këtij udhëtimi duket se ai kishte parashikuar atë ç’ka do të ndodhte në Bullgari. Prandaj, ky udhëtim i dha Titos shumë kënaqësi. Populli bullgar e priti me përzemërsi të jashtëzakonshme delegacionin jugosllav. Në bisedë me Dimitrovin u arrit mirëkuptimi i plotë për të gjithë çështjet, të cilat i përkasin marrëdhënieve midis Jugosllavisë dhe Bullgarisë, duke përfshirë edhe përmirësimin e mëtejshëm të tyre, në të ardhmen.
3. Edhe udhëtimi në Hungari i ka lënë Titos përshtypje të mira. Rrethet qeveritare dhe populli shfaqën vëmendje të madhe ndaj qëndrimit të delegacionit jugosllav. Madje, edhe shtypi reaksionar ishte i detyruar të përshëndeste vizitën e Titos në Hungari. Gjendja e brendshme politike në Hungari, sipas mendimit të Titos, po përmirësohet. Partia Komuniste Hungareze i kupton detyrat e veta dhe i përmbahet një kursi të fortë. Situata në Hungari nuk i ngjall Titos asnjë shqetësim. Por, për sa i përket gjendjes në Çekosllovaki, ajo e shqetësonte shumë. Tito, shpreh frikë se mos komunistët çekosllovakë, duke u nisur nga pasioni për forma parlamentare, mund të humbnin zgjedhjet e ardhshme. Për të gjitha këto çështje, Tito ka dëshirë t’i shkruajë një letër Gotvaldit.
4. Më 16 dhjetor Tito do të shkojë në Rumani. Më 17, ai do të jetë në Bukuresht. Sipas mendimit të tij, kohët e fundit, gjendja e brendshme politike në Rumani është përmirësuar ndjeshëm…..
(Burimi:Sf ve, t.I, AVP RF, F. 06, Op. 9, P. 82, D. 1285, L. 173-174. Nr. 182. Origjinal).
* * *
Letër politike e D. S. Çuvahinit drejtuar V.M. Molotovit,
mbi gjendjen në Partinë Komuniste Shqiptare
Tiranë, më 17 tetor 1948
Sekret
Shokut V. M. Molotov
(Mbi gjendjen e brendshme të Partisë Komuniste Shqiptare)
Rezoluta e Plenumit të shtatorit, të KQ të Partisë Komuniste Shqiptare pati një jehonë të madhe në të gjitha organizatat e partisë. Aktivet e partisë, që u zhvilluan këto ditë në qendrat kryesore të vendit, diskutuan gjerësisht problemet, që kishte vënë para Partisë Komuniste Shqiptare, kjo rezolutë.
Si rregull, masa e partisë e priti me një entuziazëm të madh këtë dokument, duke shprehur besim të plotë në udhëheqjen politike të Enver Hoxhës. Aktivat e partisë miratuan unanimisht analizën, e bërë në rezolutë mbi situatën politike aktuale në Partinë Komunistë Shqiptare, si dhe shprehën solidaritetin e plotë me vendimin e Plenumit të muajit shtator të KQ të PKSH mbi lirimin e Koçi Xoxes, nga detyra e Sekretarit Organizativ të KQ të PKSH, dhe e ministrit të Punëve të Brendshme, mbi largimin nga Byroja Politike, të të infiltruarve dhe militantëve të verbër të Koçi Xoxes, si: Pandi Kristo e Xhorxhi Blushi. Ç’është e vërteta, disa organizata partie nuk ishin dakord me konkluzionet organizative, që bëri Plenumi i fundit i KQ në drejtim të Koçi Xoxes, Pandi Kristos e Xhorxhi Blushit. Kështu, organizata e partisë së Korçës mori një vendim të posaçëm, nëpërmjet të cilit i kërkon Komitetit Qendror të Partisë të rishikojë vendimin e Plenumit, lidhur me masat organizative dhe kërkon që ndaj këtyre personave të merren masa më të rrepta ndëshkimore. Për shembull, në aktivin e partisë së Korçës u përhapën zëra, që kërkonin largimin e plotë të Koçi Xoxes dhe pasuesve të tij, nga të gjitha pozicionet shtetërore e partiake.
Problemet kryesore, të cilat u shqyrtuan në mënyrë të veçantë në aktivet e partisë, në mënyrë të përmbledhur theksohen si më poshtë:
1. Problemet e marrëdhënieve me Komitetin Qendror të Partisë Komuniste Pan sovjetike (Bolshevike), me qeverinë sovjetike dhe me përfaqësuesit sovjetikë të cilët punojnë në Shqipëri.
Masa e Partisë tregoi interes të madh ndaj problemeve të tilla, p.sh., se sa ngushtë ishte lidhur Komiteti Qendror i PKSH-së me Komitetin Qendror të PKPS(b) për çështjet politike aktuale, a ishte konsultuar gjithnjë KQ i PKSH-së me Moskën, përpara se të merrte këtë apo atë vendim, për probleme të rëndësishme me karakter partiak apo shtetëror. Masa e Partisë vijoi me kritikat e saj të ashpra ndaj Komitetit Qendror, për faktin, se nuk ishte konsultuar sa duhet me Moskën për çështjen e Nako Spirut dhe për problemet që lidheshin me punimet e Plenumit të shkurtit të KQ të PKSH-së – Plenum i cili miratoi, siç dihet, një rezolutë antimarksiste, anti bolshevike, e cila, në esencë, justifikoi veprimtarinë subversive të klikës së Titos në Shqipëri dhe pasuesve të saj shqiptarë, të grupit të Koçi Xoxes.
…Dy shembuj dëshmojnë për faktin se ç’besim të patundur kanë anëtarët e thjeshtë të PKSH, tek Partia Komuniste Pan sovjetike (Bolshevike) dhe shoku J.V.Stalin. Kur, në aktivin e partisë të qytetit të Shkodrës referuesi foli mbi veprimet antisovjetike të jugosllavëve në Shqipëri, pjesëmarrësit në këtë aktiv, duke pritur me zemërim këtë njoftim, deklaruan se, në qoftë se do të duhet, “ne me armë në dorë do ta mbrojmë Bashkimin Sovjetik dhe Partinë e lavdishme Sovjetike”. Dhe një shembull tjetër, nga aktivi i partisë në qytetin e Korçës, ku disa diskutantë deklaruan, se ata nuk janë krejtësisht dakord me propozimin për ta emërtuar partinë e tyre nga Partia Komuniste Shqiptare në Parti të Punës të Shqipërisë, por, vazhduan ata, – “në qoftë se kjo çështje është konsultuar me shokun Stalin, atëherë ne nuk mund të kemi asnjë dyshim në këtë drejtim.”
2. Pyetje që lidhen me çështjet jugosllave
Masat e gjëra të Partisë, siç e tregon puna e aktiveve të Partisë, dënuan me unanimitet tradhtinë e klikës së Titos në Jugosllavi. Pavarësisht nga fakti, se në aktivet e Partisë ishin përfshirë kuadrot kryesore të Partisë Komuniste të Shqipërisë edhe në këto aktive partie folën qindra vetë – në to nuk u dëgjua asnjë zë në mbrojtje të veprimtarisë anti bolshevike të drejtuesve të tanishëm trockistë të Jugosllavisë.
Ç’është e vërteta, në disa rajone, si për shembull, në Shkodër e Përmet, gjatë kohës së bërjes së pyetjeve përfaqësuesve të KQ të PKSH, u bënë pyetje me qëllime të qarta provokative, si: “pse KQ i PKS(b) nuk u ka kushtuar vëmendje më parë udhëheqësve jugosllavë për gabimet e tyre?”, “a ka qenë informuar KQ i PKS(b) mbi punimet e Plenumit VIII (të shkurtit) të KQ të PKSH?”….
Në qoftë se do t’ju besohet përfaqësuesve të KQ të PKSH, që drejtuan këto aktive partie, pyetje provokative të kësaj natyre morën përgjigjen e duhur. Lidhur me këtë, është me vend të thuhet, se gjatë punimeve të aktivit të partisë në qytetin e Përmetit, në godinë u hodh një fletë letre ku ishte shkruar me dorë se “Tito shikon larg” dhe se “Tito është udhëheqësi i popujve të Ballkanit”. Sipas deklaratës së Hysni Kapos, i cili ndoqi aktivin e partisë në Përmet dhe më foli mua për të, këtë akt e bëri, me sa duket, njëri nga anëtarët e Partisë Komuniste Shqiptare, që kishte qenë në përbërjen e brigadës shqiptare për ndërtimin e hekurudhës në Jugosllavi.
Në aktive u sollën mjaft shembuj mbi faktin, se si KQ i PKSH nuk u kishte kushtuar asnjë vëmendje sinjaleve të anëtarëve të thjeshtë të Partisë, mbi veprimtarinë minuese të jugosllavëve në Shqipëri, se si organizatat lokale të partisë i akuzonin këta persona për “antijugosllavizëm” dhe i përjashtonin nga radhët e Partisë Komuniste.
Shumë u fol edhe për sabotimin e jugosllavëve në Shqipëri dhe për mosrespektimin e rregullave shqiptare. Tregojnë, për shembull, se si drejtuesit jugosllavë të ndërtimit të segmentit hekurudhor Shkodër – Podgoricë, nuk e lejuan sekretarin e komitetit të partisë komuniste të rajonit, Ago Dino të shihte ecurinë e punimeve, se si shkoi ai në komitetin e qytetit dhe u ankua për sabotimin që bënte pala jugosllav dhe si e përjashtuan atë, nga radhët e partisë për “anti jugosllavizëm”. Duke shkuar në Komitetin e qytetit, ai deklaroi hapur, se sido që të silleshin me të, çfarëdo etikete që t’i ngjisnin, ai nuk mund të heshte më për sabotimin e jugosllavëve në Shqipëri. Ose, kur anëtarët e thjeshtë të organizatave të partisë në komitetet lokale të partisë, flisnin për blerjen masive nga punonjësit jugosllavë të kafes, radiove, makinave të shkrimit, qilimave etj në Shqipëri, me qëllim që mallrat e blera t’i rishisnin në Jugosllavi me çmime spekulative, – atëherë, këtyre anëtarëve ju deklarohej, se ata e “njohin keq vijën e KQ të PKSH për çështjen jugosllave”.
Lista e shembujve të tillë mund të vazhdonte: Të gjitha këto dëshmojnë për karakterin kolonizues të politikës së qeverisë jugosllave ndaj Shqipërisë, dëshmojnë për praktikën poshtëruese të disa udhëheqësve shqiptarë dhe për nënshtrimin e bindur para çdo presioni të jugosllavëve.
Në aktive u fol shumë për metodat e punës së jugosllavëve në Shqipëri. Metodat e tyre tregojnë, se me çfarë këmbëngulje dhe konsekuence i arrinin qëllimet e veta, udhëheqësit jugosllavë në Shqipëri. Për jugosllavët ishte pak, që kishin një ndikim kolosal, në një pjesë të caktuar të udhëheqjes shqiptare. Ata kërkonin nga shqiptarët, që të zhvillohej më gjerësisht propaganda jugosllave në popull, t’i tregonin popullit shqiptar, siç shpreheshin ata, domosdoshmërinë për t’u bërë, siç këshillonin përfaqësuesit jugosllavë, t’i provonin popullit domosdoshmërinë, që Shqipëria të mos mbetej asnjë hap prapa nga vija e caktuar nga Beogradi. Kështu, për shembull, kur jugosllavët ngritën çështjen e unifikimit të ushtrisë shqiptare me atë jugosllave, ata ngulën këmbë që në të gjitha repartet e ushtrisë shqiptare të bëhej propagandë e gjerë, për domosdoshmërinë e një unifikimi të tillë të të dyja ushtrive. Tregojnë, se në rastet kur auditori nuk e kuptonte këtë çështje, siç do ta dëshironin jugosllavët, çështja e unifikimit diskutohej nga tre-katër herë. Nuk është e nevojshme të flasim këtu, se ushtria shqiptare edukohej kryesisht me material jugosllav, me artikujt e Titos, Kardelit etj. Në aktivet e partisë në Tiranë, Fier e Lushnjë deklaronin se pas Plenumit VIII të KQ të PKSH e gjithë puna politike në ushtrinë shqiptare konsistonte në faktin që mbi 75% e të gjithë kohës së punës politike i kushtohej temave jugosllave….
Mbi Enver Hoxhën
Vlen të theksohet, se pothuajse në të gjithë aktivet e partisë ka dalë në dukje roli i Enver Hoxhës, në çështjen e luftës kundër veprimtarisë përçarëse të përfaqësuesve të klikës nacionaliste të Titos në Shqipëri. Diskutuesit në debatet e zhvilluara deklaruan, se Enver Hoxha e kishte parë punën armiqësore të jugosllavëve, më mirë se anëtarët e tjerë të Komitetit Qendror, se ai ka luftuar kundër sulmeve antisovjetike të përfaqësuesve jugosllavë në Shqipëri. Pavarësisht nga presioni i madh i jugosllavëve dhe lakenjve të tyre në Shqipëri, si Koçi Xoxe, Pandi Kristo etj., ndaj tij, Enver Hoxha mbrojti vijën bolshevike të Partisë Komuniste të Shqipërisë, u orientua për lidhje të ngushta me PKPS(b) dhe qeverinë sovjetike. Ndërkaq, duke qenë nga natyra njeri i butë, liberal në kuptimin e plotë të kësaj fjale, Enver Hoxha nganjëherë binte në qëndrime oportuniste lidhur me mbrojtjen konsekuente të pikëpamjeve të drejta për probleme parimore të jetës e punës së partisë.
Gjatë debateve në aktive u bënë pyetje legjitime, se përse Enver Hoxha duke qenë në pozita të drejta në çështjen e vlerësimit të konkluzioneve të Plenumit të Beratit të KQ të PKSH-së, nuk mbrojti deri në fund pikëpamjen e tij dhe nuk e shtroi këtë çështje për diskutim në të gjithë partinë, pasi KQ nuk ra dakord me propozimin e tij mbi domosdoshmërinë e revizionimit të vendimeve të Plenumit të Beratit, si politikisht i padrejtë dhe që sillte dëm të madh, në të gjithë punën e partisë? Përse Enver Hoxha, pyetën pjesëmarrësit e aktivit të partisë në Shkodër, duke mos qenë dakord me vendimet e Plenumit të shkurtit të KQ të PKSH-së, nuk foli hapur kundër këtyre vendimeve dhe nuk deklaroi para partisë qëndrimin e tij për këtë problem?
…Aktivet e partisë treguan se klika trockiste e Titos, pasi masakroi me duart e grupit të Koçi Xoxes kuadrot, që qëndronin në pozitat e partisë dhe që mbështesnin Enver Hoxhën, e çoi punën deri aty sa të zhdukte edhe pengesën e fundit në rrugën e arritjes së qëllimeve djallëzore – të hiqte nga udhëheqja Enver Hoxhën dhe ta zëvendësonte atë me të infiltruarin e vet, Koçi Xoxe.
Klika Tito-Rankoviç dhe agjentët e saj mundën të zhvillonin këtë veprimtari të ndyrë në Shqipëri vetëm sepse ajo fshihej e spekulonte me emrin e shokut Stalin dhe me deklaratat e veta hipokrite për besnikëri ndaj PKPS(b) dhe shtetit socialist, duke krijuar në popull përshtypjen, se të gjitha veprimet e tyre janë në përputhje të plotë me politikën e PKPS(b).
Aktivet e partisë treguan në të njëjtën kohë, se midis komunistëve shqiptarë gjithnjë e më shumë po forcohet dashuria ndaj BRSS, se në Partinë Komuniste Shqiptare ekziston besim i thellë tek PKPS(b) dhe tek shoku J. Stalin. Komunistët shqiptarë me sinqeritet dhe në unanimitet të plotë falënderojnë Komitetin Qendror të PKPS(b), i cili me letrat e veta për çështjet jugosllave e shpëtoi partinë Komuniste Shqiptare nga eliminimi i paevitueshëm, ku e kishte çuar klika trockiste Tito-Rankoviç dhe agjentura e tyre në Shqipëri…
…Rrezik i madh është edhe fakti që, fqinjët e Shqipërisë e shfrytëzojnë situatën aktuale për qëllimet e tyre subversive, në një kohë që organet e Sigurimit të Shtetit, siç doli edhe në aktivet e partisë, tashmë janë të demoralizuar dhe nuk janë në gjendje që t’i kundërvihen punës armiqësore të reaksionit të brendshëm dhe të jashtëm. Duhet pranuar që 2-3 muajt e fundit situata e brendshme politike është acaruar. Është rritur aktiviteti i bandave të armatosura, kurse numri i tyre gradualisht po rritet. Çdo ditë shkojnë në male elementë të pakënaqur, madje në qoftë se më parë ky fenomen vihej re vetëm në rajonet veriore, tani po përhapet edhe në rajonet jugore të vendit. Një punë veçanërisht të shfrenuar në Shqipëri bën OZNA e Jugosllavisë.
Nga korriku i vitit 1948 nga Shqipëria në drejtim të Jugosllavisë u larguan rreth 300 persona (me gjithë familjet e tyre). Në Veri të Shqipërisë u shpërndanë trakte jugosllave, të cilat bënin thirrje për luftë kundër udhëheqjes aktuale shqiptare dhe për arratisje në Jugosllavi. Elementë të ndryshëm me precedentë penalë dhe kriminelë në këto trakte shpallen si patriotë të Shqipërisë….
Dm. Çuvahin
(Burimi: Sf ve, t. I, RGASPI, F. 82, Op. 2, D. 1124, L. 1-16. Nr. 217. Kopje).
(Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Arkivat sekrete ruse. Letër e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë Enver Hoxha, drejtuar Stalinit mbi kërkesën për pranimin
e Shqipërisë në Këshillin Ekonomik të Ndihmës Reciproke
-Ditari sekret i A. Ja. Vishinskit. Biseda në pritjen e Enver Hoxhës në Moskë më 22 mars 1949 lidhur me çështjen e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave.
-Biseda e Enver Hoxhës në Moskë me krerët e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik lidhur me situatën Shqipëri-Itali dhe mundësinë e vendosjes së marrëdhënieve ekonomike.
Mire qe na kujtoni diktatorin dhe doni ta nxierrni si shpetimtar I vendit.Po mos le pa treguar edhe nje ne lidhjet vllazerore qe kishte me Jugosllavet qe dikur I quante vllezer.Tregoni kti populli rrenimin qe I beri ne marrveshtjen me Titon ne lidhje me cversimin e napulonin e arit,duke bere ma te vlefshim nje dinar se nje napolan arit.Tregtart Jugosllave erdhen e blen gjith arin ne shqiperi duke na lene dore dinart qe me nje urdhen e cversuan perseri.Ket marrveshje e kundershtoj Nako Spiro te cilin Enveri e vrau si kundershtar I popullit vlla Jugosllave.Kto tregoju njerzve se kto prralla I kemi ndigjuar me qindra her nga baballart e socialistve te sotem.
o mark palla o injorant meso shkruaj shqip mor gja e trashe ,komunist ke lindur dhe komunist do vdesesh mos u mundo te fshehesh biografine ne internet.Spiun legen ke qene gjith jeten.
ah mo mark apo s’kishte ne te kohe flori ne Shqiperi. Ah po se tani u kujtova, ti flet per ate qe la pas mbreti i nones tate zogollua. Ik mor kriç qe shyqyr qe se arrite ate kohen e Zogut se do ishe atje lart ne bjeshke bashke me ariun dhe riqebullin (nese e di se c’eshte) tu qeru koken nga morrat
ermiri: Ju sikur me nifni flisni.Pse ragon po te kritikoj kush komunizmin sikur te shau njeri njerzit e shtepis.Ju kam share nje her me cfar te permban pragu dhe as qe ke replikue fare.Nuk po ju fyej se nuk bie ne nivelin tuaj.Ju zemroheni sikur Enveri eshte babaj juej,ndoshta edhe jeni se nuk ka arsye ti delni kaq haptas per zote.Ndoshta edhe nuk e dini po gjaku te bene ti delni ne mbrojtje ne ket menyre.
Per Mark Uk-un dhe ndonje ‘Ujk’ tjeter!
Lexoni me vemendje kete cikel Dossier-esh qe po boton ‘Dita’. Jane arkiva te te tjereve dhe jo te Enverit apo te kundershtareve te tij. Pra, jane arkiva te ruseve qe publikohen pas shume dekadash… Dihet, ruset kane pare politiken e tyre dhe interesat e tyre… Po ca te verteta qe po sjelle ‘Dita’ nga arkivat sekrete ruse, jo vetem Mark-Uket, por shumekush ne Shqiperi nuk i ka ditur, apo i ka mesuar sipas nje versioni(atij zyrtar ne diktatatur), apo dhe spekullanteve te shumte qe ‘mbine’ pas vitit 1990.
Eshte mire dhe me vlere(per ate qe do e ka interes) qe bagazhit te tij njohes per kete periudhe, ti shtoje dhe ato qe sjellin arkivat sekrete ruse nfga ajo kohe…
Me ben parshtypje pershkrimi qe Çuvahini ben per E. Hoxhen: “Njeri i bute, liberal ne kuptimin e plote te kesaj fjale”… Tregojua kete atyre qe e kane provuar mbi kurrizin e tyre prej E. Hoxhes. Sic duket komunistent ruse apo shqiptare asnjehere nuk thonin te verteten.
Nuk shof arsye per tu sulmuar marku per cka na thot se dashurin e madhe te Enverit per titon dhe jugosllavin e asaj kohe ,ata qe akoma jan gjall apo bijt e tyre e din shum mir dhe te pakten nga fjalimet e asaj kohe di qe “Ne pa Jugosllavin nuk jetojm as 24 or “shprehej E Hoxha e hajde te guxoje te shaje Titon e me von Stalinin !Kto jan te verteta qe nuk haroen e pavaresisht si rodhen ngjarjet me von qe shpetuam nga kthetrat e Titos revizionistit qe ju kundervu politikes staliniane e keshtu i hiku edhe shqiperia nga duart !Prishja e titos me Stalinin ishte edhe shpetimi i E hoxhes..dhe i joni njekohesisht por qe e pagoi ky popull me dhunen e tmershme te sigurimit shtetit e mir e thua o Vasil !E pagoi me agjentet e pafund te UDB qe akoma levrijn neper kembet tona se synimet nuk haroen !Natyrisht shum te verteta qe i dim ndryshe do mund ti marim vesh tani por ce do qe ne duam te marim vesh te vertetat e tanishme qe nuk po hapen se ato van e shkuan …..