Arratisja e këngëtarit Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe me emrin e artit “Stresi”, u ka kushtuar shtrenjtë 15 efektivëve të Komisariatit nr. 3 në Tiranë dhe Policisë Rrugore.
Neglizhenca dhe mos ruajtja e të shoqëruarit për kundravajtje të Kodit Rrugor, ka sjellë dy muaj më pas largimin nga puna për 7 efektivë të Komisariatit numër 3, ndërsa për 8 të tjerë janë marrë masa më të lehta ndëshkimore. Bëhet e ditur se 3 efektivë janë ulur në detyrë, ndërsa 5 policë të tjerë janë pezulluar pa të drejtë page për 10 ditë. Mësohet se mes efektivëve që janë marrë masat administrative janë edhe efektivë nga Policia Rrugore e kryeqytetit, që nuk kryen procedurat e ndalimit.
Por për shkak se edhe ky institucion është vendosur përkohësisht në ambientet e Komisariatit nr. 3, janë penalizuar edhe efektivët e rendit. Më të ndëshkuarit ishin policët e turnit, oficerët rojë, që lejuan “Stresin” që me justifikimin e pirjes së një cigareje të dilte në dhomën tjetër, nga ku u hodh prej dritares së katit të dytë dhe u arratis. Arkimed Lushaj është ende në kërkim nga policia prej 31 janarit të këtij viti, kur është arratisur nga ambientet e Komisariatit, ndërsa ka dalë jashtë Shqipërisë. Pas arratisjes ai ka publikuar shpesh foto dhe statuse të ndryshme në rrjetet sociale, duke dhënë edhe versione të ndryshme të vendit se ku ndodhet.
Madje në një rast shprehu keqardhje për policët, por deklaronte se nuk do kthehej në Shqipëri, sepse nuk donte të arrestohej. “Ika se nuk duroja dot burgun, nuk mund të rrija në qeli”, tha ai ndër të tjera.
O rrace halesh.