Arrestohet për korrupsion drejtori i burgut të Shën Kollit në Lezhë. Valentin Miri është vënë në pranga pasditen e së premtes, me akuzën e abuzimit me detyrën. Miri dyshohet se lëshonte leje lirie për të burgosurit në këmbim të parave.
“Pas një hetimi intensiv 3 mujor në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Tiranës, njësinë Task Force, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe njësitë e specializuara të saj bënë të mundur arrestimin e drejtorit të IEVP, Lezhë, Valentin Miri. SHKBB pas mbledhjen së një sërë provash materiale ka provuar se drejtori i burgut Valentin Miri ka konsumuar veprat penale të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe shpërdorimit të detyrës”, thuhet në deklaratën e policisë.
Burime të tjera bëjnë të ditur se çdo leje ku drejtori vinte firmën i siguronte atij 100 euro. Por ai është kallëzuar nga një prej personave të prekur nga kjo skemë. Burime të grupit të hetimit bëjnë me dije se janë të dokumentuara më shumë se tre raste abuzive të Valentin Mirit, ndërkohë që pas arrestimit të tij materialet i kanë kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme.