Përgjegjësi i grupit të Njësisë së Mbikqyrjes së Lojrave të fatit në Tiranë, Kledian Merxhani, është arrestuar nga Policia e Tiranës.
Gjykata e Tiranës kishte dhënë masën e arretit burg për Kledian Merxhanin për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe arrestimi i tij është kryer dje, më 14 maj 2015.
“Arrestimi i 33 vjeçarit me banim në Tiranë, me detyrë përgjegjës grupi në Njësinë e Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit Tiranë është kryer në bazë të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim. (Nenet 248-25 të Kodit Penal)” informon policia.
Mësohet se arrestimi është kryer në kuadër të operacionit të koduar “Stop” të nisur më 15 prill 2015 ku u arrestuan 10 persona, prej tyre 9 punonjës të Njësisë së Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe një menaxher kompanie lojërash fati
Sipas policisë, të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrën janë përfshirë në afera korruptive me kompani të basteve sportive dhe subjekteve të ndryshme të lojrave të fatit, të cilët kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shuma parash, që variojnë nga 90.000 deri në 100.000 lekë të rinj, në periudha te ndryshme kohore.