Studimet profesionale mund të kryhen edhe me kohë të pjesshme. Konkretisht në dispozitat normative për arsimin parauniversitar është përcaktuar se kanë të drejtë të vijojnë studimet në arsimin profesional me kohe të pjesshme të gjithë ata kandidatë që kanë përfunduar arsimin e detyruar, që janë të punësuar në një profesion dhe kërkojnë të rrisin nivelin teorik-profesional në profesionin që ushtrojnë dhe të kenë një certifikatë formale kualifikimi profesional (pa shkëputje nga puna). Këtë cikël studimesh mund të ndjekin edhe ata që janë të punësuar në një profesion dhe kërkojnë të kualifikohen në një profesion tjetër (pa shkëputje nga puna), si dhe të gjithë nxënësit që nuk janë në marrëdhënie pune dhe kërkojnë të kenë një certifikatë formale kualifikimi profesional, për të rritur shanset e punësimit.
Dy janë format e ndjekjes së arsimit profesional part-time. Forma e parë ka të bëjë me programet që përmbajnë kulturë të përgjithshme, teori profesionale dhe praktikë profesionale, për të gjithë ata që nuk janë të punësuar në profesionin përkatës. Si dhe forma e dytë është ajo që përmban kulturë të përgjithshme dhe teori profesionale për të gjithë ata që janë të punësuar në profesionin përkatës. Si praktikë profesionale u njihet puna që bëjnë ku janë punësuar. Mësimi dhe praktika zhvillohet vetëm gjatë orëve të pasdites, por sipas kushteve të shkollës, zhvillohet dhe paradite.
Për të plotësuar numrin e nxënësve për klasë, krijohen klasa të bashkuara. Dispozitat normative ngarkojnë drejtorët e shkollave që të caktojnë ditët e zhvillimit të mësimit dhe të praktikave profesionale pas konsultimit më këshillin e mësuesve dhe nxënësit. Module të detyruara të praktikës profesionale zhvillohen vetëm nga nxënësit që nuk janë të punësuar në profesionin përkatës. Modulet e praktikës zgjidhen në varësi të lëndëve teoriko-profesionale të përzgjedhura.
“Shkollat profesionale që ofrojnë studime profesionale me kohë të pjesshme mund të përdorin personelin mësimdhënës të shkollës profesionale me kohë të plotë ose të jashtëm (me kohë të pjesshme). Në përfundim të tyre nxënësi pajiset me këto dokumente : Dëshmi e përfundimit të shkollës së arsimit profesional, kur është kalues në të gjitha lëndët, si dhe certifikatë profesionale të nivelit përkatës, kur është kalues në provimin e teorisë profesionale dhe të praktikës profesionale të integruar, si dhe Diplomë e maturës shtetërore kur, maturanti është kalues në provimet e maturës shtetërore”, thuhet në dispozitat normative të shpërndara pranë shkollave.