Sapo Arta Dade hap telefonin, dëgjojmë në sfond këngën “Djaloshi dhe shiu”. Sa shumë e kishte ngritur zërin e magnetofonit. Është Vaçe Zela, po këndon… dhe arsyeja se përse kërkuam të takoheshim me Artën është kjo; të kujtojmë vitet kur këngëtarja që dje i dhamë lamtumirën ishte në kulmin e saj. Në fakt është një kulm nga i cili nuk ka zbritur kurrë. Ndoshta sepse diti të ikte prej nesh atëherë kur duhej dhe shpëtoi nga balta morale e këtushme. Kushedi çfarë do ndodhte nëse nuk largohej nga Shqipëria që në 1992. Mbase do ta ftonin nëpër koncertet e mitingjeve të Berishës, ndoshta dikur do revoltohej dhe pas kësaj do shpallej “armike”, etj, etj. Por Vaçja për fat të mirë mbeti thjesht këngëtarja e viteve të rinisë së Artës dhe moshatareve të saj. Gjëja e parë që znj. Dade na tregon është se e ka dëgjuar Vaçen në adoleshencë, së bashku me disa shoqet e saj në fshehtësi, e strukur në një dhomë të Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë. Duket si skenë filmi, por është e vërtetë. “Isha në vitin e dytë në gjimnaz, së bashku me disa shoqe, lamë orën e mësimit dhe shkuam diku… Një hije errësire na mbulonte dhomën dhe ne u harruam aty, teksa dëgjonim këngët të cilat i ishin ndaluar Vaçe Zelës. Ishte një përjetim i veçantë”.
Ndoshta brezi i sotëm nuk e di, por Arta Dade ka qenë prezantuesja e Festivalit të 13-të të Këngës në Radio dhe Televizion së bashku me Esat Telitin në dhjetorin e 1974-s së largët. Peng i saj është që Vaçe Zela anuloi pjesëmarrjen e saj në këtë festival dhe ajo nuk mundi dot ta prezantonte atë në skenë. “Isha studente e vitit të tretë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe mundësia për të prezantuar festivalin m’u dha pas disa eksperiencash të mëparshme, që kisha patur në aktivitetet e shkollës së mesme dhe ato universitare”, tregon Dade, e cila nuk e ka patur të thjeshtë të thotë “Po”, pasi kujtojmë se çka kishte ndodhur në festivalin e 11-të. Në këtë atmosferë kujtimesh, teksa bëjmë këtë bisedë me deputeten e PS dhe ish-ministren e Kulturës, në sfond na shoqëron… “Nënë moj do pres gërshetin”.
Zonja Arta, kur i keni kontaktet e para me zërin dhe figurën e këngëtares Vaçe Zela?
Nuk kam një datë të caktuar, po ashtu si të gjithë shqiptarët e brezit tim, edhe unë mund të them që jam rritur me zërin e Vaçes dhe dashurinë që njerëzit kishin për të. Në vitet ’60, kam qenë ende në kopsht dhe Vaçja padyshim që kishte arritur të ishte artistja më e mirë e muzikës së lehtë. Mbaj mend, që për herë të parë u organizua Festivali i Këngës në Radio Televizion, dhe sigurisht që Vaçe Zela ishte fituese, pothuajse e çdo festivali.
Ishte vërtet një artiste e gjithëpranuar në atë kohë?
Absolutisht. Me thënë të drejtën, ndoshta nuk di shumë detaje nga jeta e Vaçes, por, më kujtohet kur isha në vitin e dytë në gjimnaz, unë bëja shkollën e gjuhëve të huaja, praktikisht, mjediset e shkollës ishin të shkollës pedagogjike, që tani kam përshtypjen që është shkolla e mesme ekonomike dhe një shoqja ime e ngushtë, Teuta Keta, vajza e Heroit të Popullit, Myslym Keta, kishte mamanë që i punonte në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë. Na thotë një ditë: Vajza, e dini ju që ka një disk me këngët e Vaçes që nuk transmetohen!? Ajo këndonte këngët ritmike që për një periudhë të caktuar, të paktën, kur unë isha 15-16 vjeç, nuk transmetoheshin më nga Radio Tirana. Sigurisht që kjo na intrigoi, pasi Vaçe Zela ishte diva e muzikës shqiptare dhe me këngët e saj nuk mërziteshe kurrë. Por, kurioziteti dhe një lloj ndjesie që do të dëgjoje diçka që nuk e dëgjonin të tjerët, na shtyu që të bënim diçka që unë nuk e kam bërë kurrë në jetën time. Vendosëm të linim orën e mësimit, duke qenë se Shtëpia Qendrore ishte shumë pranë shkollës, dhe praktikisht, ishin disqe në gramafon ku ishin incizuar këngët e Vaçes.
Çfarë ndodhi më pas?
Aty, së bashku me Edlirën, Shpresën, Teutën dhe Vjollcën, e lamë orën e mësimit të Gjeografisë. Mësuesja jonë e kësaj lënde ishte Llambrini Kallamata, motra e artistes Marika Kallamata. E donim shumë sepse ishte një mësuese mjaft liberale. Na donte dhe ishte mjaft e afruar me ne vajzat dhe menduam që me mësuese Llambrinin mund ta rregullonim, edhe po t’i thoshim se përse e kishim lënë orën e mësimit, sigurisht që ajo nuk do të na qortonte. Problemi ishte pasi ne shkuam atje dhe nuk ditëm t’i thonim mjaft diskut që po dëgjonim dhe për këtë arsye, humbëm edhe orën e Biologjisë. Mësuesja e kësaj lënde ishte pak e sertë dhe si nxënës, ne u ndjemë keq që do të merrnim dy mungesa dhe ndoshta do të qortoheshim e mund të na vinin prindërit në shkollë për mungesat e pajustifikuara. Aty vendosëm që t’i tregojmë të vërtetën mësuese Llambrinisë, dhe ajo të na justifikonte te mësuesja e orës tjetër. Dhe kështu bëmë. Të dyja mësueset qeshën, sepse kjo ishte një mungesë shumë e justifikuar edhe në këndvështrimin e mësueseve tona, pasi edhe ato kishin të njëjtën ndjesi ndaj këngëve dhe Vaçes. Më është kujtuar sot ky moment duke përcjellë Vaçen, ashtu sikurse ndoshta ndonjë moment tjetër.
Ju keni qenë edhe prezantuese e një prej Festivaleve të Këngës në Radio dhe Televizion …
Po, është e vërtetë, unë kam prezantuar Festivalin e 13, kur kam qenë në vit të tretë studente. Ai ishte një festival ku m’u desh të merrja një vendim edhe me pak debat brenda familjes, sepse vinte pas festivalit të 11, ku pati edhe dënime e internime, pasi sipas kohës, në festival u vunë re “shfaqje të huaja”. Unë isha studente për Anglisht dhe nuk më lidhte asgjë me televizionin dhe me shkollën e artit. I fejuari im punonte në Radio Televizion dhe drejtuesit e këtij televizioni kërkuan që unë të bëja një provë për të prezantuar festivalin. Pata një hezitim deri në momentet e fundit, por më pas vendosa që ta prezantoj festivalin.
Çfarë mbani mend nga ai festival?
Një nga momentet që mbaj mend ishte dëshira që unë do të prezantoja Vaçe Zelën, pasi nuk mund të konceptohej kjo ngjarje artistike pa Vaçen. Dhe ndodhi surpriza ditët e fundit. Kur ne po bënim përgatitjet, Vaçe Zela vendosi të mos marrë pjesë në festival. Dhe ju mund ta merrni me mend… sinqerisht, pata një mërzitje të momentit që edhe në rastin e vetëm kur unë kam qenë prezantuese, është pikërisht i vetmi festival ku Vaçe Zela nuk do të merrte pjesë. U mërzita.
Cilat ishin arsyet që ajo nuk mori pjesë, u mor vesh kjo gjë?
Unë nuk e kam kuptuar, por mesa duket, Vaçja kishte një karakter që nuk mund të bënte gjëra të sforcuara. Ndoshta ka pasur një kundërshti, mbase për këngën, ndoshta për mënyrën se si duhej kënduar kënga. Duhet pasur parasysh që festivali i 13 vijonte pas të 11-it dhe organizatorët e festivalit ishin ekstremisht të kujdesshëm që të mos kishte ndonjë “shfaqje të huaj” tjetër. Por asnjëherë nuk e kam kuptuar se përse Vaçja refuzoi të merrte pjesë në festivalin e 13.
Dhe ju prezantuat festivalin pa thirrur emrin e Vaçes…?
Patjetër, dhe ishte një nga boshllëqet që më ka krijuar ky kujtim për festivalin e 13. Përtej faktit që, duke qenë se unë u angazhova në politikë, sa herë që janë bërë festat për jubiletë e festivalit, unë nuk jam ftuar të marr pjesë. Keqardhja më e madhe ka qenë përpara disa vjetësh, kur u bë një ceremoni madhështore, megjithëse dikush, që ishte organizator i kësaj ceremonie, më pati thënë që do të më ftonte, nuk më ftoi. Kjo, pasi unë nuk i përkisja partisë që qeveriste vendin, përpara katër–pesë vitesh. Dua të vlerësoj faktin që Esat Teliti, i cili ishte partneri im prezantues në këtë festival, sigurisht që e ka përmendur, kur ai ka marrë fjalën në këtë ceremoni. Është për të ardhur keq që në mjaft raste vazhdohet me atë mentalitet të asaj kohe, të cilën ne e kemi lënë pas.
Tolerohej Vaçja atë kohë?
Vaçja ka spikatur dhe për këtë iu imponohej edhe organizatorëve. Ajo mund të këndonte në një mënyrë pak më ndryshe se sa të tjerët, mund të vishej në një mënyrë më ndryshe se sa të tjerët dhe kjo falë personalitetit të saj të fuqishëm dhe faktit që, sigurisht, nuk mund të futej në korniza të cilat ajo nuk do t’i pranonte dot.
Ishte tërësisht e lirë, apo edhe ajo pati kufizimet e veta?
Një pjesë e këngëve të saj, ato këngë ku i binte vetë kitarës, këngët “Lemza”, “Djaloshi dhe shiu”, nuk u transmetuan për një kohë të gjatë. Kjo tregon se kjo nuk kishte të bënte vetëm me Vaçen, por kishte të bënte dhe me tekstet e këngës apo edhe me kompozitorin. Në mënyrë të veçantë, Agim Krajka, i cili ishte një kompozitor i mahnitshëm dhe shumë i pëlqyeshëm për brezin e ri atë kohë.
Sot iu dha lamtumira e fundit…
Kur ju më morët në telefon për të më kërkuar këtë intervistë, unë po dëgjoja ekzaktësisht diskun me këngët e Vaçes. Mbas ceremonisë shumë dinjitoze që u bë në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit, në skenën ku Vaçja kaloi jetën e saj artistike, u ktheva në shtëpi dhe vendosa të dëgjoja diskun me këngët e saj. Ndihem mirë që Ministria e Kulturës e financoi realizimin e këtij disku kur unë kam qenë ministre për herë të dytë, në vitin 2003-2004. Eshtë një përmbledhje, një përzgjedhje e këngëve më të bukura të Vaçes. Aty kuptoj që mesa duket, ka qenë shumë e vështirë që të sfumoheshin duartrokitjet, pra edhe në këngët e ndaluara në atë kohë, po të vihet re nga shpërthimi i duartrokitjeve në sallë, kuptohet që në mënyrë të veçantë, brezi i ri, por edhe gjithë moshat e tjera, e kanë adhuruar dhe pëlqyer, pikërisht atë muzikë që i përshtatej edhe zërit të Vaçes.
Keni ju këngë të preferuara nga ajo?
Unë prekem vazhdimisht kur dëgjoj këngën e gjyshes. Është një këngë e papërsëritshme, që mua më krijon emocione tani që jam gjyshe vetë. Në fakt, edhe nipçja im, që ka hyrë për 17 vjeç, e adhuron këtë këngë. Por unë nuk e kam provuar dashurinë e gjyshes, pasi nuk kam pasur gjyshe. Mënyra se si ajo e këndon këtë këngë, të krijon dashuri të pakufishme për gjyshen. Por në të njëjtën kohë edhe e portretizon realisht se ç’do të thotë të kesh një gjyshe dhe të jesh gjyshe.
Nëse Vaçe Zela do të ishte jetuar në një vend tjetër, apo vendi ynë do të ishte i hapur me botën, a do të ishte ajo një këngëtare me përmasa botërore?
Pa asnjë mëdyshje, Vaçja do të ishte një artiste me dimension mbarëbotëror. Vetë këngët që ajo këndon në gjuhë tjetër e bënë atë një artiste të papërsëritshme. Në kushtet e Shqipërisë, edhe në kohën e diktaturës, pati vëmendje në art, kulturë dhe ndaj vlerave dhe në mënyrë të veçantë edhe ndaj talenteve që nuk kishin mundësi që të zhvillonin në kushte të tjera. Dhe në këtë aspekt, duhet parë me pozitivitet që vendi arriti t’i krijonte këto mundësi. Por unë them që më shumë Vaçja i ka bërë shërbim Shqipërisë se sa vetë vendi në kohën kur ajo këndoi i bëri shërbim Vaçes. Ajo na ka bërë të gjithëve të jemi krenarë dhe sigurisht, ajo është krenaria jonë, e të gjithëve dhe me të drejtë është “Nder i Kombit”.
Zonja Dade, shumë shqiptarë mendojnë sot se politika duhet të bëjë më shumë për artistë të tillë kur ata janë gjallë…
E vërtetë. Siç ju thashë, unë sot ndihem mirë jo vetëm për përmbledhjen e këngëve të Vaçes për të cilën folëm, por si ministre e Kulturës në ’98-n, kur njëherazi kam qenë edhe deputete e Lushnjës, kam vendosur që Shtëpisë së Kulturës në qytetin e saj të lindjes, t’i jepet emri i vajzës lushnjare, “Vaçe Zela”. Vath Korreshi, të cilin e kam respektuar gjithë kohës, na propozoi që ky pallat të mbajë emrin e këngëtares. Atëherë kemi bërë një ceremoni në përvjetor të ditëlindjes së Vaçes dhe është vendosur edhe busti i saj.
Por shteti është gjithmonë borxhli ndaj vlerave të papërsëritshme. Sot flasim për Vaçen dhe i bëjmë homazh, por është për të ardhur keq që shumë kolosë të kulturës dhe të artit kanë pasur jetë të thjeshtë dhe më shumë se sa modeste. Ka ardhur koha që shteti duhet të mendojë dhe të artikulojë politika serioze në mbrojtje të të drejtës së autorit. Ndër vite, Shqipëria, mbas hapjes, ka krijuar Agjencinë e të Drejtave të Autorit dhe vetë brenda Ministrisë së Kulturës ka një strukturë që merret me të drejtën autorit. Besoj që shumë pak është bërë për të zbatuar të gjithë instrumentet ligjorë, të cilat edhe në kuadrin e integrimit në BE, i kemi për detyrë që t’i përmbushim, por edhe për të respektuar, punën, mundin, mendjen, kontributin e papërsëritshëm dhe të vyer të këtyre kolosëve të artit dhe kulturës.
Ne qofte se Vace Zela do te kishte patur lirine qe kerkon cdo kengetar, ajo do te ishte kolege e dives amerikane Aretha Frenklin, Vacja do te ishte nje DIVE boterore.
Tregojne se ne nje turne ne France, salla ku Ansambli i Kengeve dha koncert, ishte e boshatisur, ishin vetem pjestare te ambasades dhe ndonje kurioz.
Shfaqja u mbyll para kohe dhe artistet shkuan te hane darke ne nje restorant, ku kishte edhe muzike live, Vaces i lind ideja te kendoje dhe i thote kryetarit te grupit, qe ishte dakort, por duhej edhe pergjigja e sigurimsit, qe ndodhej aty dhe mbasi sigurimsi e pa situaten e shfaqjes se pare, dhe Okej-in dhe Vacja filloi, kendoi disa kenge franceze e italiane, i mahniti te pranishmit me zerin e saj dhe kitaren akustike.
Te nesrmen ne diten e dyte te shfaqjes, biletat kishin mbaruar qysh ne dreke.
Kete tregim ma ka treguar nje kompozitor mik i babait, i madhi Feim Ibrahimi.
Po mashtron keq,o “Horr….”!!!
Kurre nuk ka ndodhur bojkoti i publikut ne shfaqjet e ANSAMBLIT TE KENGEVE E VALLEVE POPULLORE,aq me teper ne France ku ky ANSAMBEL KISHTE FITUAR NE DIZHON MEDALJEN E ARTE,pra vendin e PARE!!!
Skam cfare te them o feniks, mos e beso, eshte e drejta jote.
Por mashtrues skam qene asnjehere, se po te isha mashtrues, do te me shifje ne krah te Saliut, ndoshta do ti kisha mbyllur syte, per ti bete qejfin Argites, nga zorri.
Emocion
Sa bukur… Nis me Djaloshi dhe shiu e pefundon me, Nene moj do pres gershetin, nje mrekulli. Ne qe jemi rritur me zerin e saj nuk e harrojme kurre
Znj.Arta, kam punuar ne Ministri ne kohen kur ju keni qene Ministre e Kultures dhe mund te them qe vleresimi me I madh nga shteti per Vacen e madhe eshte bere pikerisht ne ate kohe.Bravo!
Kur degjonim Vace Zelen,vertet harronim se ku jetonim…….edhe tani qe i rikthehemi degjimit te kengeve te saj,serish na jep shume emocion…..edhe une dua te besoj ate qe Driteroi tha “..eshte kthyer ne flutur”..Iliri
Teknikisht,ka kenduar pa hile.Komisjonet qe pergatisin kengetare te vleresojne zerin e paster qe del nga gjoksi.