Trupa e artistëve kinezë me aftësi të kufizuara, pas performimit në mbi 60 vende të botës mbërrijnë në Shqipëri. Një trupë artistësh kinezë me aftësi të kufizuara kanë mbërritur gjatë ditës së djeshme në vendin tonë,për të dhënë gjatë mbrëmjes së sotme koncertin e tyre special në Teatrin e Operas dhe Baletit. Po gjatë ditës së djeshme Ambasada kineze në Tiranë ka organizuar një pritje në një nga resortet e kryeqytetit për artistët e mbërritur. Burime zyrtare nga Radio e Jashtme e Kinës, e cila është dhe sponsor për ardhjen e tyre në Tiranë, bëjnë të ditur se trupa e artistëve kinezë përbëhet nga 110 persona me aftësi të kufizuara, si dhe një staf prej 37 anëtarësh. Mosha mesatare e artistëve është 20 vjeç, ndërsa e anëtarëve të stafit rreth 29. Dy nga këngëtarët do të këndojnë këngë shqiptare.
Liu Tao, një djalë që ka humbur shikimin në moshën 5-vjeçare, do të këndojë këngën “Kur të jesh mërzitur shumë” e Arditës Gjebreas dhe Zumulati, një vajzë me probleme fizike do këndojë :“Valsi i Lumturisë” të Vaçe Zelës. Trupa e artistëve funksionon si të gjitha trupat e tjera në fushën e artit, por e veçanta e saj është se Presidenti i Trupës, Drejtori artistik, Drejtuesit muzikorë dhe të kërcimit, janë persona me aftësi të kufizuara. Bazuar në filozofinë e respektit ndaj vetes, dashurisë për veten, përmirësimit të vetes, por dhe respektit e kujdesit reciprok, trupa ka krijuar familjaritetin e saj, që është kyç i suksesit të tyre. Në veprimtarinë e tyre të përditshme, anëtarët e trupës krijojnë programe artistike,promovojnë veprimtarinë e tyre dhe prodhimet audio-vizuale si dhe merren me marketingun dhe publicitetin e veprimtarisë artistike. Trupa e artistëve kinezë me aftësi të kufizuara, ka mision bamirës.
Trupa ka krijuar fondin e harmonisë me emrin “My dream” me anë të cilit mbledh të ardhura për bamirësi. Trupa ka dhuruar një fond prej 7.74 milion yuan për qëllime humanitare. Gjatë një periudhe dyvjeçare fondi ka mbështetur financiarisht me 770 mijë dollarë projekte brenda dhe jashtë vendit për të ndihmuar njerëzit në nevojë, ndër të cilat projekti për parandalimin dhe kurimin e verbërisë së fëmijëve në Afrikë, për studimet për ndryshimet klimatike, për zonat e përmbytura në botë, si dhe për fëmijë jetimë, të varfër dhe pa përkrahje në Kinë dhe jashtë saj. Koncertet e trupës së artistëve kinezë me aftësi të kufizuara në botë janë zhvilluar në : “Teatrin “La Scala”- Itali, Sydney Opera House në Australi, The John F. Kennedy Center- Ëashington, në Olympic Palaestra in Athens dhe në Carnegie Hall.