Asteroidi “2012 DA14” do t’i afrohet planetit tonë me një distancë prej 24 mijë km ditën e Shën Valentinit. Mundësitë për të goditur Tokën pothuajse nuk konsiderohen, por nëse gabimisht ndodh që ai të devijojë trajektoren e tij, përplasja do të ndodhë natën e 15 shkurtit. Në të dyja rastet të dashuruarit do të kenë mundësi të festojnë mbrëmjen e tyre romantike
Quhet “2012 DA14”, është i gjatë 50 metra, peshon 143 mijë tonë dhe ka fuqinë shkatërruese të një bombe me hidrogjen. Tranziti i tij do të kalojë shumë afër Tokës dhe pavarësisht se 24 mijë kilometra mund të japin përshtypjen e një distance të konsiderueshme, në fakt, ajo nuk është më e madhe se largësia e shumë satelitëve tregtarë të hedhur në hapësirë nga njeriu. Me pak fjalë, do të jetë një emocion më vete për të gjithë ata që e duan astrofizikën dhe zotërojnë një teleskop.
Nga laboratori i NASA-s “Jet Propusion”, shkencëtari Don Ieoman siguron të përditshmen “Huffington Post” se “2012 Da14” nuk do ta godasë Tokën. “E njohim mirë orbitën e asteroidit dhe kjo na jep bindjen që të përjashtojmë një impakt të mundshëm midis tij dhe planetit tonë”, thotë Ieoman.
Nëse asteroidi do të ndodhej në kursin e përplasjes me atmosferën tokësore, ai do të kishte shkaktuar një katastrofë të vërtetë. Shpërthimi i provokuar nga kontakti i mundshëm midis tij dhe kores së Tokës do të kishte prodhuar një energji të mjaftueshme për të shkatërruar një qytet me përmasat e Londrës. Por edhe kësaj radhe duket se ia hodhëm. “Që kur kemi nisur të kontrollojmë në mënyrë sistematike qiellin, nuk kemi parë kurrë një objekt kaq të madh të kalojë kaq afër Tokës”, shton Ieoman.
Shkencëtarët kanë arsye të besojnë se bëhet fjalë për një trup qiellor të zakonshëm, i përbërë nga masa shkëmbore. Një herë në çdo 40 vjet një asteroid i ngjashëm kalon afër orbitës së planetit tonë, megjithatë përplasje të tilla ndodhin përafërsisht çdo 1200 vjet. Ekspertët kanë të drejtë të besojnë se qarkullojnë më shumë se gjysmë milionë asteroidë të vegjël në orbitën tokësore. Këto janë objekte me përmasa jo më të mëdha se 30 metra, e megjithatë vazhdojnë të mbeten krejtësisht të panjohura. “Po zhvillojmë një sistem teleskopesh optike të automatizuara në gjendje që të identifikojnë asteroidë si ky. Me këtë prurje të re shkencore jemi në gjendje të vëzhgojmë trajektoren e tyre që tri javë para kalimit të tyre afër Tokës”, shpjegon Detlef Koshni, astrofizikant nga NASA.
Përgatiti: Dorina Gjuzi
sikur te binte ne kryeministri e te zinte ministrat e partise fashiste e ilir hajdutin