Një biznesmeni në Shkodër i është bërë pritë ndërsa shkonte në banesën e tij duke e qëlluar me pesë plumba. Ngjarja ndodhi rreth orës 2:30 të mëngjesit të së premtes, ndërkohë që Besnik Riza Fangaj po shkonte për në shtëpi.
Burimet nga policia bënë të ditur se 44-vjeçari, lindur në Bardhaj të komunës Rrethina dhe banues në lagjen “Kongresi i Përmetit” në Shkodër, ka marrë disa plagë në trup dhe ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Sipas rindërtimit të ngjarjes rezulton se 44-vjeçari ishte duke ndërtuar një pallat dhe në mesnatë, pasi njërit prej rojeve i kishte mbaruar turni dhe ishte ndërruar, e kishte çuar në shtëpi dhe më pas ishte nisur drejt banesës së vet. Në rrugën në hyrje të tregut të Zdrales, në drejtim nga teatri, atij i është zënë pritë dhe është qëlluar disa herë me armë zjarri.
Mësohet se në momentin që është qëlluar Fangaj ishte duke hyrë në pallatin ku banon, pasi kishte parkuar automjetin. Sipërmarrësi ka qenë i vetëm dhe si rrjedhojë nuk ka pasur dëshmitarë, por dyshohet se autorët kanë ndjekur çdo lëvizje të tij dhe kanë pritur momentin kur ai nuk ka qenë në makinë, për t’u siguruar se do ta eliminonin plotësht.
Dyshohet se personat kanë qenë me makinë dhe njëri prej tyre ka dalë prej mjetit dhe ka qëlluar në kohën kur Fangaj po i drejtohej hyrjes së pallatit. Pasi kanë qëlluar mbi të, autorët janë larguar me shpejtësi, ndërkohë që rojet private të ndodhur me shërbim në atë zonë, pasi kanë dëgjuar të shtënat janë afruar dhe e kanë marrë 44-vjeçarin duke e transportuar me shpejtësi drejt spitalit të Shkodrës.
Mësohet se Fangaj, i cili është futur menjëherë në sallën e operacionit, i është nënshtruar një ndërhyrjeje të gjatë kirurgjikale për rreth 6 orë.
Policia bëri të ditur se në vendin e ngjarjes ka gjetur 5 gëzhoja, të cilat dyshohet se i përkasin një arme pisteltë TT. Ndërkohë, janë marrë në pyetje rojet e objektit ku banonte Fangaj. Policia deklaroi se për të identifikuar autorët do të përdorë edhe kamerat e sigurisë të objekteve që ndodhen pranë vendit të ngjarjes, me shpresën se ato do të kenë filmuar gjithçka ka ndodhur.
Biznemesni Fangaj është duke ndërtuar një pallat në qendër të qytetit të Shkdorës dhe nuk dihet që të ketë ndonjë konflikt. Ai njihet si person i rregullt dhe jo problematik.
Gjithsesi atentati ndaj tij është i ngjashëm edhe me ngjarje të tjera në Shkodër, ku të tjerë biznesmenë kanë mbetur viktima, ndërsa autorët ende nuk janë gjetur. Nga policia ende nuk ka as motive për ngjarjen.