Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga atentati në pritë në “Urën e vjetër” të Milotit, që i mori jetën 2 të rinjve dhe mbeti një i plagosur, policia e Lezhës nuk ka ende asnjë person të dyshuar në pranga. Hetimet janë përqendruar tek pistat dhe shkaqet e krimit, që do çojnë më pas tek autorët e mundshëm. Teksa dje janë hapur dyert e mortit dhe përcjellë dy kushërinjtë Klodian Ndreca dhe Taulant Prendi, familjarët shprehen të shokuar dhe të habitur nga ngjarja, pasi mohojnë të kenë konflikte të hapura. Ndërsa i plagosuri Aurel Prendi, vëllai i Taulantit, mbahet ende në spital nën kujdesin e mjekëve dhe pritet dëshmia e tij për të zbardhur krimin. Policia ka shoqëruar deri dje në mbrëmje 20 persona, banorë të zonës së Milotit, Pllanës ku ndodhi krimi, Lezhës dhe Laçit. Pistat e hetimit janë një hakmarrje për ndonjë sherr që të rinjtë kanë pasur në bilardo mbrëmjen e së mërkurës, para se të ktheheshin për në shtëpi, konfliktet e pronësisë për një gurore në zonën ku ndodhi atentati dhe ngatërresa e shënjestrës, pasi mjeti “Golf 5” me targa AA047VM, ishte në përdorim nga Ndreca, por në fakt ia kishte marrë të afërmit të tij N. P., një person me precedentë penalë në Itali. Gjithsesi policia mendon se paraprakisht objekt i sulmit ka qenë Klodian Ndreca, që ndodhej në timonin e veturës, ndërsa po hetohen rrethanat dhe shkaqet.
Flet xhaxhai i dy vëllezërve
Xhaxhai i vëllezërve Prendi, në një prononcim për median, tha dje se nuk kanë pasur asnjë konflikt dhe i kërkojnë qeverisë të zbardhë vrasjen dhe të vihet në vend drejtësia. “Ngjarja na ka shokuar. Ne nuk kemi pasur konflikt me askënd. I kërkoj qeverisë Rama, që të vihet drejtësia në vend”, thotë Gjovalin Prendi. Edhe të afërmit e tjerë mohuan konfliktet, apo që të rinjtë të ishin persona problematikë. Policia tha se nuk i njeh viktimat si kontigjent krimi apo me precedentë. Aurel Prendi ndodhet në spitalin e Lezhës dhe mjekët thonë se është jashtë rrezikut për jetën dhe dëshmia e tij është kyçi i hetimeve. Kurse Pashk Vokri, i afërm, tregon se djemtë që gjetën vdekjen nuk kanë konflikt me askënd dhe se njihen për persona të qetë në komunitet. Vokri shpjegon se makina me të cilën udhëtonin djemtë mbrëmjen e atentatit ka qenë në pronësi të Klodjan Ndrecës dhe bashkë me 3 djemtë ishin dhe 2 kushërinj të tjerë. Dy kushërinjtë kanë zbritur 50 metra para atentatit.
Hetimet e ngjarjes
Vrasja e dy personave dhe plagosja e një të treti kanë angazhuar forcat policore të Lezhës në një operacion të gjerë për kapjen e autorëve që mendohet se janë banorë të zonës pranë lumit të Matit. Në kuadër të hetimeve për zbardhjen e motiveve të ngjarjes së rëndë ku humbën jetën Klodian Ndreca dhe Taulant Prendi, janë shoqëruar rreth 20 persona që mund të kenë dijeni rreth ngjarjes. Sipas policisë, viktimat dhe i plagosuri dyshohet të jenë qëlluar nga dy persona. Janë përdorur dy armë, automatik “Kallashnikov” dhe pistoletë, që u gjetën të hedhura në rrugë nga autorët para se të arratiseshin, pranë një pike inertesh. Një pistë me rëndësi për grupin hetimor është edhe pronësia, pasi vëllezërit Prendi kishin një punishte afër Pllanës, ku punonin gurë dekorative.