Në atentatin me armë zjarri që tronditi qytetin bregdetar të Vlorës është plagosur dhe një fëmijë 8-vjeçar.
Ai është djali i Ferdinand Llanajt, 39-vjeçarit që dyshohet se ka qenë objektiv i atentatit.
I mituri ndodhej brenda automjetit tip “Mercedes-Benz” që u qëllua me breshëri kallashnikovi nga persona ende të paidentifikuar.
Fëmija ka marrë një plumb në krah dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Edhe dy të plagosurit e tjerë Ferdinand Llanaj 39 vjeç dhe Dritan Begaj 50 vjeç që udhëtonin me makinë, kanë mbetur të plagosur dhe po marrin mjekim në spital.
Njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë.
Ndërkohë, grupi hetimor i policisë së Vlorës ka shoqëruar disa persona që kanë qenë dëshmitarë në vendngjarje.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se autorët qëlluan me breshëri kallashnikovi nga një tjetër makinë në lëvizje. Uniformat blu kanë ngritur postblloqe për kapjen e tyre, por deri tani nuk kanë asnjë shenjë.
Në vendngjarje u gjetën rreth 20 gëzhoja dhe një pistoletë, që dyshohet se i përket njërit prej të plagosurve.