Avokati i Popullit u bën thirrje për t’u dorëzuar shqiptarëve të arratisur nga burgu i Triakallas disa javë më parë. Në një prononcim për mediat lidhur me ngjarjet e fundit që kanë të bëjnë me arratisjen e 8 shqiptarëve nga burgu i shtetit fqinj, Totozani tha se po e ndjek me shqetësim situatën e krijuar, ku deri tani 3 prej të arratisurve janë vrarë gjatë aksioneve të policisë për t’i kapur.
“Tre prej të arratisurve nga burgu i Trikallas kanë humbur jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit, po kështu kanë humbur jetën edhe një polic dhe një shtetase greke. Avokati i Popullit shpreh keqardhjen për humbjen e jetëve njerëzore. Bëj thirrje për shmangien e përdorimit të mëtejshëm të forcës. E drejta e jetës ka përparësi ndaj çdolloj mase. Vetëdorëzimi i shtetasve shqiptarë të arratisur nga burgu do të shmangë përdorimin e mëtejshëm të forcës, që të mos humben jetë të tjera”, u shpreh Totozani.
Avokati i Popullit kërkoi bashkëpunimin e Ministrisë shqiptare të Punëve të Jashtme dhe strukturave të saj në shtetin fqinj, në mënyrë që përmes negociatave të bëhet i mundur dorëzimi i të arratisurve, pas humbje jetësh të tjera.
Ndërkohë, po sot, gazeta “Dita” ka kontaktuar me stafin e ambasadës shqiptare në Greqi, nga ku u mor vesh se ambasadori ynë në shtetin fqinj, Dashnor Dervishi, ka marrë pushimet dhe prej ditësh nuk ka asnjë lloj interesimi në lidhje me çështjen e shqiptarëve të arratisur nga burgu.