Ndërsa shteti nuk ka mundur të gjejë autorin e vrasjes së të bijës, babai i 25-vjeçares Sonila Tafa ka deklaruar se do ta bëjë ai këtë gjë.
“Do të nis vetë lëvizjet për të gjetur vrasësin e bijës sime”. Kështu është shprehur për “Gazeta Shqiptare”, Riza Tafa, babai i balerinës së vrarë në muajin prill të këtij viti në kryeqytet nga një plumb, që në të vërtetë nuk ishte nisur për atë. Dje u bënë plot 40 ditë që nga ndarja nga jeta e 25-vjeçares Sonila Tafa. Për të gjithë të afërmit e saj, por sidomos për babain, motrën dhe nënën e saj, dhimbja nuk është fashitur ende dhe ajo duket në çdo fjalë që ata thonë apo veprim që bëjnë. Për babain e balerinës, Rizanë, duket se çdo gjë pas vdekjes së saj është bërë e pakuptimtë. Por dhimbja bëhet edhe më e madhe, kur autori i vrasjes nuk është kapur ende nga strukturat e policisë. 57-vjeçari Riza Tafa, lidhur me këtë fakt shprehet shumë i zhgënjyer dhe premton se që tani e tutje do të merret vetë me hetimet e ngjarjes.
“I premtova Sonilës se do të prisja deri sa të bëheshin 40 ditë nga vrasja e saj për të parë se çfarë do të bënte shteti për të gjetur autorin. Tani meqë sot (dje) u bënë 40 ditë nga vdekja e vajzës sime, nuk më mbetet gjë tjetër vetëm që të nis vetë lëvizjet për të gjetur se ku fshihet ai që më vrau vajzën”, rrëfen për ‘GSH’ 57-vjeçari. Më herët babai i 25-vjeçares, në një intervistë për ‘GSH’ ka kërkuar nga strukturat e shtetit që të arrestohet autori i ngjarjes dhe të vihet para drejtësisë për aktin që ka kryer.