Finalja e Ligës së Kampionëve do të jetë gjermane! Bajerni i Mynihut tregoi se rezultati 4-0 i fituar në Mynih nuk ishte rastësi dhe se ata ishin përgatitur mirë përballë një Barcelone “jashtëtokësore”. Kështu gjermanët do të kenë përballë po gjermanë e pikërisht ata të Dortmundit që arritën të mposhtnin “hyjnorët” e Realit.
Trajneri i Barcelonës vendosi që Mesin të mos e fuste në lojë, duke e lënë atë në stol përgjatë gjithë ndeshjes, pavarësisht se një ditë më parë ishte shprehur se ishte pikërisht Mesi që do të vendoste rezultatin e lojës dhe që do të mund të ndërronte “fatin” e saj.
Pjesa e parë e ndeshjes, me një zotërim të mirë të topit nga skuadrat, u mbyll e bardhë, pa asnjë gol, vetëm me dy kartona të verdhë: i pari në minutën e ‘32 për Robenin për një faull ndaj Songut të Barcelonës, dhe i dyti për Daniel Alvesin i cili në minutën shtesë shkaktoi një faull ndaj mesfushorit gjerman Shvajnshtajger.
Pjesa e dytë ishte ajo që kishte gjithë emocionet dhe që solli me këmbë në tokë Barcelonën. Mesi vazhdoi të mos ishte në lojë, ndërkohë që në minutën ’49 David Alaba jep një pas të gjatë nga e majta në të djathtë dhe Roben arrin të shmangë Adrianon dhe e drejton topin në cepin e portës me një gjuajtje me të majtën. Një supergol, dhe Valdes nuk kishte asnjë mundësi për të reaguar. E që në këtë moment mund të thuhej fare mirë se Bajerni i Mynihut ishte skuadra e dytë finaliste e Ligës së Kampionës, për vitin e dytë radhazi dhe për herën e tretë në katër sezonet.
Përpjekjet e Barcelonës për të shënuar një gol vazhduan, por Bajerni nuk i dha asnjë mundësi për t’iu afruar portës së tij dhe për të shënuar. Kështu, në minutën e ’72, Pike, në përpjekje për të shmangur një gol, shënon në portën e vet duke e çuar rezultatin në 2-0 për skuadrën gjermane.
E megjithatë nuk mbaron këtu, pasi vetëm 4 minuta më vonë Bajerni shënon sërish, këtë herë me anë të Mylerit dhe me një asist të Riberisë, duke e ulur përtokë moralin e Barcelonës për të shënuar qoftë edhe një gol në portën kundërshtare.
Vetëm pak minuta pas golit, Pike merr karton të verdhë për një faull ndaj Mylerit. Por tashmë mund të thuhet se çdo gjë ka marrë fund. Barcelona tashmë është eliminuar. Mesi nuk është “harxhuar” dhe Bajerni arriti të tregojë se ndeshja në Mynih nuk ishte “e vetmja”, pikërisht ashtu siç kishte parashikuar trajneri i skuadrës Jup Hejnkes.
Finalja e Ligës së Kampionëve Bajern – Dortmund do të luhet më 25 maj në Londër, Angli.