Plot ankth dhe me vuajtje, Tirana arriti të kalojë minimalisht 1-0 Teutën në “Qemal Stafa”, duke i vendosur kështu kapakun një sezoni të trazuar e pa trofe, por me shpresën për një vend në futbollin europian. Që të ndodhë kjo, me sigurimin e vendit të katërt falë golit të Elis Bakajt pas plot 82 minutash, Kukësi duhet të mposhtë Laçin në finalen e Kupës së Shqipërisë, javën e ardhshme për t’i hapur rrugën kështu kualifikimit të Tiranës në Europë.
Ashtu siç pritej, në pjesën e parë, përballë një Teute të pamotivuar dhe pa objektiva që qëndronte e mbyllur prapa, bardheblutë ishin më të qetë, por edhe më kërkues ndaj golit. Herë me Bakajn e herë me Karabecin, Tiranës nuk i munguan rastet siç është ai për Elisin që gjuan nga distanca, por topi pritet me lehtësi nga Rexhepaj. Mundësia më e mirë për “Djemtë e detit” vjen në minutën e 19-të me Hykën që e çon dëm, ndërkohë që Tirana vazhdon të ushtrojë presion me të tjera raste nga Bakaj dhe kapiteni Karabeci. Skuadrat shkojnë drejt dhomave të zhveshjes në një kohë kur Laçi është duke fituar, që do të thotë se fitorja për bardheblutë është e domosdoshme.
Pjesa e dytë nis me një Tiranë që duket se është zgjuar, është më agresive dhe tenton që në të 49-ën me Morinën për golin e avantazhit dhe më pas me Bakajn që nuk arrin të konkretizojë në këtë rast të artë. Bardheblutë luajnë me zemër, por kaq nuk mjafton sepse për momentin ndodhen shumë larg futbollit europian. Gjithsesi shpresa vdes e fundit dhe këtë kanë parasysh djemtë e ekipit kryeqytetas, teksa këmbëngulin me mish e me shpirt përballë murit të durrsakëve, që duket i padepërtueshëm. Goli vonon, por sidoqoftë vjen për Tiranën 8 minuta nga fundi, falë një super aksioni me pasime precize dhe Bakaj e shfrytëzon siç duhet shërbimin nga Bushiç, duke dalë më në fund fitimtar pas disa duelesh me Rexhepajn. Festa është e tëra për bardheblutë, që kanë edhe një shans të fundit për Europën, ndërsa Teuta e ka siguruar një jave më parë misionin e saj, duke arritur mbijetesën.