Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha sot se INSTAT fsheh dy të dhëna të rëndësishme statistikore: numrin e të papunëve në vend dhe numri i popullsisë rezidente sipas qarqeve. Gjatë diskutimeve në Kuvend për projektligjin “Për statistikat”, Balla tha se kryeministri prej vitesh i ka zënë grykën INSTAT-it, prej të cilit dalin dokumente qesharake. “Sot dua të akuzoj publikisht INSTAT për fshehjen e dy të dhënave shumë të rëndësishme, përllogaritja e të cilave ka përfunduar, por me urdhër të Sali Berishës mbahen fshehur. E para është: niveli i papunësisë. INSTAT disa javë më parë nuk e publikoi këtë të dhënë. Por brenda këtij institucioni konfirmojnë shifrën e 1 milionë të papunëve në Shqipëri. INSTAT disponon të përpunuar edhe popullsinë rezidente sipas qarqeve. Por edhe kjo e dhënë u bllokua me urdhër nga Sali Berisha, sepse nxirrte zbuluar pisllëqet e Flamurit të partisë, me rritjen fiktive të popullsisë në fshatra të braktisura, me qëllim keq-shpërndarjen e mandateve parlamentare. Mjaftojnë këto dy elementë të rëndësishëm për të kuptuar se sa i varur dhe i keqpërdorur është institucioni zyrtar i statistikave. Prandaj është e rëndësishme që kur behën rregullime ligjore të kurohen edhe sëmundjet e këtij institucioni. Në përgatitje të diskutimeve për këtë projektligj iu drejtova zyrtarisht EUROSTAT, institucionit zyrtar të statistikave në Bashkimin Europian. EUROSTAT zyrtarisht m’u përgjigj se çdo vend anëtar i BE duhet të garantojë pavarësinë institucionale dhe profesionale, objektivitetin dhe besueshmërinë e materialeve zyrtare statistikore. Dhe pavarësia garantohet që nga mënyra e zgjedhjes së drejtuesit, por edhe të anëtarëve të Këshillit të Statistikave. Si mund të garantohet pavarësia kur qoftë titullari, qoftë anëtarët e Këshillit të Statistikave përzgjidhen nga Kryeministri. Edhe në rast se doni që titullarin ta zgjedhë kryeministri, të paktën anëtarët e Këshillit të përzgjidhen nga Kuvendi, si mbajtës i një pushteti të ndryshëm nga ai ekzekutiv i Kryeministrit”, tha Balla. Më tej, ai theksoi se qytetarët shqiptarë e kanë humbur plotësisht besimin te INSTAT, i cili është kthyer në një instrument në dispozicion të propagandimit të gënjeshtrave të pushtetit. Balla shtoi se pas ardhjes në pushtet, PS do t’i kthejë seriozitetin dhe pavarësisë Institutit të Statistikave, duke e vënë drejtimin e tij nën kontrollin e Kuvendit të Shqipërisë dhe kjo masë do të jetë pjesë e planit tonë të 100 ditëve të para.